E Martë, 28 Korrik 2015 11:07

Intervista për Ora News Qato zbulon misionin e qeverisë: Strasburgu të kthejë dosjet e “Pronave”, të gjykohen këtu

Për herë të parë pas 23 vitesh për çështjen e pronave në Shqipëri fillon një përpjekje e re për ta sjellë në parametra bashkëkohore dhe pranë zgjidhjes. Përtej hartimit dhe ndryshimeve pa fund ligjore ajo që u vjen tani në  ndihmë pronarëve dhe gjithë qytetarëve të interesuar do jetë dixhitalizimi i këtij procesi.

 

Në një intervistë ekskluzive për Ora News Drejtorja e Agjensisë Kombëtare për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave, Sonila Qato shpjegon me detaje reformën e saponisur, problemet e hasura, si dhe u jep përgjigje gjithë pretendimeve të opozitës dhe shoqatës së pronarëve për draftin e ri të pronave.

Zonja Qato shpjegon se është përcaktuar në ligj përfundimi  brenda tre viteve i Reformes së Pronësisë, një ambicie e fortë që synon të shpëtojë  shtetin shqiptar nga rreziku i falimentimit nga vendimet e Gjykatës së Strazburgut për çështjet e pronës.

Ajo zbulon se nisma ka për qëllim të pezullojë dosjet në këtë gjykatë dhe t’i kthejë ato sërish për shqyrtim në Shqipëri, për ti dhënë zgjidhje përmes reformës së re.

Intervista e plote

Mimoza Picari: Çfarë pritet nga kjo reformë-

Sonila Qato: Reforma pritet t’i japë një zgjidhje përfundimtare çështjes së kthimit dhe kompensimit të pronave.

Dy janë misionet 1- të mbyllim një herë e mirë trajtimin e 9300 dosjeve që kemi trashëguar ndër vite sipas afateve të mirëpërcaktuara për qytetarët.

2- Të trajtojmë për herë të parë kompensimin e pronarëve që për 23 vjet është trajtuar përmes vendimeve të Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Zyrave Rajonale.

Janë 26 mijë vendime për kompensim të pronarëve, dhe do të trajtohen me reformën që do të kryejmë brenda një afati 10 vjeçar

Kemi trashëguar një arkivë shumë problematike

Mimoza Picari:  Si trajtohen cështjet e pronës ?

Sonila Qato: Qytetarët paraqiten në Zyrën e Marrëdhënieve me Publikun për të kërkuar shërbimin. Pajisen me kopje të dokumenteve arkivore të cilat disponojnë.

Arkiva për herë të parë ka grumbullur të gjitha arkivat vendore nga shumë rrethe të vendit ku ishin depozituar për shkak të strukturës. Ata janë unifikuar të gjitha vendimet dhe dosjet përkatëse në arkivën teknike.

Reforma pritet t’i japë një zgjidhje përfundimtare çështjes së kthimit dhe puna në arkive vijon për azhornimin dhe inventarizimin e të gjitha dosjeve. Kemi trashëguar një arkivë shumë problematike.

Arkiva në këto 22 muaj punë është sistemuar përmes inventarizimit, skanimit dhe dixhitalizimit të arkivës.

Ata punonjës që do të shqyrtojnë dosjet do të mund të bëjnë verifikimet përmes kompjuterit pa pasur nevojë të hapen letrat e arkivës. Gjithashtu shpejtohen procedurat

Pretendimet e pronarëve mbi draftin nuk qëndrojnë

Mimoza Picari:   Cila është garancia që do marrin nga ky institucion pronarët?

Sonila Qato: Transparenca është garanci optimale për të gjithë subjektet që do të trajtohen me ligjin e ri i cili ka një datë fillimi dhe një datë fundi

Mimoza Picari:   Cmimi i kompensimit a është ai i vitit 1945?

Sonila Qato:  Jo nuk është ai i vitit 1945
Pjesëmarrja e Shoqatave të Pronarëve më 16 korrik por dhe tryeza e konsultimeve që bëmë më 21 korrik ishte dëshmi se Shoqata e Pronarëve nuk kanë arritur dot të lexonin draftligjin e shpërndarë nga ministria e Drejtësisë dhe prononcimet publike të tyre kanë qenë të gabuara dhe nuk pasqyrojnë realitetin

Ajo që kërkoj nga pronarët është të jenë të drejtë
Cmimet që parashikon ligji i ri janë të hartës së vlerës së pronës në momentin e hyrjes në fuqi të këtij ligji. Ndërsa zëri kadastral i cili llogaritet për të vlerësuar ekonomikisht këto 26 mijë vendime asnjëherë të vlerësuara për likuidim është zëri kadastral i momentit të shpronësimit të këtyre pronave. Kjo është formula që propozon ligji dhe nuk ka vend për abuzim sepse është shkruar si e zeza në të bardhë

Afati tre vjecar

Shoqata e pronarëve pretendon se nuk është pasqyruar e drejta e kthimit të pronës përmes këtij procesi me draft ligjin e ri dhe kjo nuk është aspak e vërtetë. Kapitulli që trajton procesin e kthimit të pronës veçse lehtëson procedurat e deritanishme të kërkesave ende të paezauruara të pronarëve dhe përcakton disa afate që janë shumë të rëndësishme pasi për herë të parë vendoset një afat tre vjeçar në vendimjarrje nga dita e parë deri në ezaurimin e dosjeve brenda këtyre tre viteve.

Mimoza Picari:   Pretendohet se u është hequr e drejta e ankimit. ..

Sonila Qato:  Kjo nuk është absolutisht e vërtetë. Qeveria nuk mund të heqë një të drejtë kushtetuese. Prandaj i ftoj ta lexojnë drafjt ligjin dhe të japin vërejtje konkrete dhe të bashkëpunojnë për përmirësimin e këtij draft ligji.
Të jemi bashkëveprues me njëri tjetrin pasi kjo reformë do realizohet

Mimoza Picari:   Ka vërejtje për vijën e verdhë …

Sonila Qato: Kjo ëshë formula që bën ndryshimin për këtë reformë. Në këtë draft janë konceptuar dy elemente kryesore: Trajtimi i pronës siç ka qenë në momentin e shpronësimit të tij: Pra nëse ka qenë tokë bujqësore do të trajtohet si tokë bujqësore nëse ka qenë tokë truall do trajtohet si e tillë. Këtu përfshihen 75% e të gjithë dosjeve që do të trajtohen përmes këtij ligji.

Nëse ka qenë tokë bujqësore vitet e para të shpronësimit dhe aktualisht është tokë truall do të trajtohet me formulën e re si tokë bujqësore por me çmimin aktual të hartës së vlerës së pronës në fuqi nuk ka referenca për çmimet e viteve 45. Edhe pse ka qenë sugjerim i BB, ne nuk e kemi parë të arsyeshme dhe në interes të pronarëve pasi çmimet mesatare të atyre viteve do të ishte shumë e vështirë për tu identifikuar, ndaj kemi parë një rregull: Do të trajtohen në mënyrë të barabartë të gjithë pronarët. Harta e vlerës së pronës aktuale në fuqi do të jetë çmimi që do të llogaritet për kompensim

Dixhitalizimi, vetëm më një klikim zbulohet dosja

Mimoza Picari: Cdo me thënë dixhitalizimi të arkivit?

Sonila Qato: : Është një hartë që do të mbajë në një sistem të web G të gjithë informacionin arkivor të arkivës së bashku me dokumentet e skanuar që kemi realizuar deri tani dhe me hartat përkatëse duke u pasqyruar si poligone të caktuara në hartë. Kjo do na shfaqë problematikën e madhe të mbivendosjeve, si dhe një fletë të saktë të faturës së kompesimit nga buxheti i shtetit që do të mund të likuidohet ky proces që kemi marrë përsipër në ligjin e ri.

Mimoza Picari:  : Kush ishin problemet kryesore të projektit pilot në Vlorë ??

Sonila Qato: Problemi kryesor i projektit pilot për hartën e Vlorës është mbivendosja e pronave. Në qarkun e Vlorës mbivendosjet kanë qenë me kate. Sa herë janë marrë vendime kompensimi apo kthimi aq herë janë mbivendosur pronat e qytetarëve mbi njeri tjetrin duke krijuar konflikt.

Sistemi dixhital i cili do të financohet këtë vjeshtë nga ana e qeverisë do ti shmangë për herë të parë dhe kur të nisë shqyrtimi i 9300 dosjeve nuk do të ketë më problematika të mbivendosjes së pronave pasi ne do i kemi të pasqyruara në mënyrë dixhitale në kompjuterat tonë se çfarë vendimarrjesh janë marrë rreth e qark kufijve të pronës që pretendohet për tu kthyer dhe do kthehet.

Në atë raste kur do të kemi mbivendosje sugjerohen palët e intersuara ti drejtohen gjykatës të zgjidhin mosmarrëveshjen dhe atje ku do të ketë prona të lira do të mund të disponojmë me kthim apo kompensim sipas hapësirës dhe ligjit

Pritet që ky shërbim të bëhet në mënyrë dixhitale përmes një ID që çdo qytetar është i pajisur në kartën e identitetit, të mund të shkarkojë të dhënat e dosjes së tij të interesuar nëse është personi i autorizuar pa ardhur këtu.

 Takimi në Prokurori për falsifikimet e dosjeve

Mimoza Picari:   Takimi informal me Prokurorin e Përgjithshëm…

Sonila Qato: Kërkojmë një bashkëpunim të ngushtë me prokurorinë pasi prokuroria do vendosë nëse dokumenti në dosje është i falsifikuar

Takimi i zhvilluar me Prokurorin e Përgjithshëm ishte pjese e aktivitetit. Kërkojmë bashkëpunim nga ana e prokurorit të Përgjithshëm të impenjohet përmes zyrave në rrethe për rastet e dokumenteve të falisfikuara . Ky do të jetë investimi më i madh që qeveria do kryejë në funksion të administrimit të këtij procesi pasi lehtëson punën e agjencisë por dhe qytetarëve.

Dosjet dhe gjykata e Strasburgut

Mimoza Picari:   Qeveria është penalizuar shumë herë nga vendimet e Gjykatës Europiane për të drejtat e Njeriut në Strasburg..

Sonila Qato: Misioni që qeveria shqiptare mori këtë reformë është nevoja për ti vënë fre vendimeve të Gjykatës së Strasburgut trë cilat nga njëra anë janë shumë të drejta për shkak të këtij sistemi të korruptuar të cilin sot po mundohemi ta ndryshojmë por e kemi të trashëguar nga e kalaura.

Fatura që na vjen nga Gjykata e Strasburgut është aq e madhe sa një ditë të caktuar me këtë prurje kërkesash që shkojnë në gjykatë mund të kërkojë dhe falimentimin e shtetit për ekzkutimin e këtyre vendimeve. Misioni që kemi marrë është pezullimi i vendimmarrjes së Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut që do të thotë që të gjitha ankesat e drejtuara në këtë gjykatë të mund të rikthehen në vendin tonë për tu ezauruar dhe shqyrtuar brenda vendit përmes procedurave të reja dhe sistemit të ri që ngrihet nga kjo reformë që kemi lancuar këto ditë.

Nuk mund të mbajmë peng procesin e mbarëvajtjes së interesave të shtetit dhe integrimit përmes këtij sistemi të krimbur që i ka kaluar koha

Mimoza Picari:  Ju premtuar rrugë të shkurtër unë ju uroj punë të mbarë.

Sonila Qato: Faleminderit


 

Lexuar 1637 herë

Media