E Enjte, 31 Mars 2016 15:54

Qato: Ligji i ri ka marrë përsipër të zgjidhë problemin e pronave

Drejtoresha e Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronës, Sonila Qato në një intervistë për News 24 

 

sqaron se ligji i ri i kompensimit të pronave ka si mision t’i japë fund problemet 25 vjeçar të njohjes së pronësisë, ndërsa sqaron edhe formulën se si do plotësohen pretendimet e pronarëve.

Znj. Qato, sapo ka hyrë në fuqi ligji i ri për pronat. Cilat janë pikat kryesore ku mbështetet ky ligj?


Ligji i ri për trajtimin e pronës dhe përfundimit të procesit të kompensimit të pronave është një ligj i cili ka marrë përsipër të përfundojë një proces 25-vjeçar i nisur në vitin 1993, zyrtarisht me ligjin e parë të miratuar në atë vit, por që vit pas viti ka dëshmuar faktin që ky proces është i tejzgjatur dhe nuk ka akoma një dritë jeshile se kur mund të përfundojë. Ndaj i gjithë objektivi dhe misioni që ka marrë përsipër ky ligj është një objektiv i cili kërkon t’i japë fund kësaj përçapjeje 23-25 vjeçare të njohjes së pronësisë për të gjithë pronarët të cilët gjyshërit e tyre apo baballarët kanë pasur dikur në vitet e shpronësimit, pasuri, tokë bujqësorë, truall apo kategori të tjera pronash, për ta përfunduar këtë proces dhe për ta vënë edhe shtetin nga ana tjetër, përpara një zgjidhjeje optimale në raport me detyrimin që ai ka kundrejt pronarëve. Ndaj shtyllat kryesore të cilat merr përsipër të zgjidhë ky ligj janë, nga njëra anë përfundimi i procesit të njohjes së pronësisë për të gjitha aplikimet e bëra ndër vite në ish-Komisionet e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, më vonë Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, sot Agjencia e Trajtimit të Pronës. Ne numërojmë një numër prej 11 mijë aplikimesh, të cilat presin prej vitesh të tëra një përgjigje nga ana e administratës për njohjen e pronësisë ndaj të gjithë të interesuarve dhe, nga krahu tjetër, për herë të parë merr përsipër të nisë një proces i cili është pothuajse i paprekur prej 25 vitesh, procesin e kompensimit të pronarëve mbi bazë të disa termave seriozë, tashmë duke vënën në dispozicion një fond të konsiderueshëm, si monetar, ashtu edhe fizik, në dispozicion të këtij procesi, me objektivin që brenda një afati 10-vjeçar mund ta mbyllë këtë proces. Ndaj është shumë i rëndësishëm fillimi nga puna i implementimit të këtij ligji, si një nismë shumë serioze e qeverisë për t’i dhënë fund kalvarit të gjatë të zvarritjes së çështjes së pronave në vendin tonë.


Kemi tre VKM të miratuara në mbledhjen e fundit të qeverisë që përcaktojnë kriteret bazë për kthimin e pronës. Në Tiranë dhe në Durrës nuk ka asnjë pronë të lirë, ndërkohë që pjesa më e madhe e pronarëve që pretendojnë të marrin pronat janë në këto qarqe. Cila është formula që keni zgjedhur për të plotësuar pretendimet e tyre?

 

Tri aktet nënligjore që janë miratuar së fundmi nga ana e qeverisë, janë tri akte nënligjore shumë të rëndësishme të cilat bëjnë të mundur fillimin nga puna të implementimit konkret të këtij ligji dhe të gjitha standardet që ky ligj krijon së bashku me të gjitha instrumentet në funksion të pronarëve për t’u implementuar përmes njohjes së pronësisë nga njëra anë, dhe fillimit të pronësisë së pronave nga krahu tjetër. Një javë më parë, qeveria miratoi tri akte nënligjore, njëra ishte për funksiononim dhe organizimin e Agjencisë së re të Trajtimit të Pronës, një agjenci e cila rikonceptohet nga fillimi në funksion të risisë që sjell ligji i ri për trajtimin e pronës, dhe në funksion të marrjes përsipër të nismës për të realizuar për herë të parë fillimin konkret nga puna për kompensimin e pronarëve. Dhe nga ana tjetër, miratoi dy akte të tjera teknike dhe ligjore, të cilat kanë të bëjnë me kërkesat për njohje të pronësisë dhe mënyrën se si agjencia do të marrë vendim në raport me këto 11 mijë kërkesat e paraqitura ndër vite në dyert e kësaj agjencie, që ende nuk kanë një përgjigje zyrtare përmes një vendimmarrjeje nga ana e kësaj agjencie, dhe të gjitha rregullave që do përdorim ne në procesin e kompensimit të pronarëve, si një risi të cilat, sikurse unë thashë ky ligj krijon. Ndaj këto tri akte nënligjore ishin shumë të rëndësishme për agjencinë dhe për ne sot, në mënyrë që të presim të gjithë qytetarët dhe pronarët e interesuar për t’i afruar drejt këtij procesi dhe për t’i dhënë secilit prej tyre një zgjidhje, e cila, sado e rregulluar me një kuadër ligjor dhe nënligjor, është aq edhe subjektive dhe individuale, është aq edhe prej faktit sepse secila prej dosjeve ka problematikën 

e vjet, ka edhe subjektivitetin e vet, në kuptimin formal të plotësimit të dosjes me aktet e nevojshme ligjore për të dalë me një vendimmarrje përkatëse. Ndaj fillon një punë shumë e rëndësishme bashkëveprimi midis institucionit tonë dhe qytetarëve, për realizimin e këtij misioni që kemi marrë përsipër.


Sa është afati i plotësimit të dokumentacionit?


Sigurisht që bazohemi në kodin e procedurave administrative, që do të thotë, zakonisht është 30-ditor nga dita e marrjes së njoftimit nga ana e agjencisë, por gjithsesi është për t’u theksuar fakti që seti i dokumenteve që pronarët duhet të plotësojnë për këtë proces të saponisur është minimalist, dhe ata të cilët kanë setin e këtyre pronave, pra janë trashëgimtarë dikur të pronarëve të sekuestruar apo iu mor në mënyrë pa të drejtë prona, i kanë këto letra dhe shumë lehtësisht t’i sjellin pranë zyrave tona, në kundërshti me atë çfarë ka ndodhur deri dje, ku qytetarët duhej të bënin një rivendosje me afat, t’i sillnin këtu, dhe shumë sorollatje që ato janë përballur në këtë proces. Çfarë na ka bërë ne si agjenci të mundur për ta marrë përsipër këtë përgjegjësi? Fakti që marrim përsipër barrën e provës për plotësimin e dokumenteve të subjekteve apo verifikimin e tyre, derisa ne të bindemi sipas bazës ligjore në fuqi që kemi për të marrë një vendim në raport me aplikimet e tyre. Ne herët, që në vitin 2014 kemi filluar një punë serioze jo vetëm inventarizimi, dixhitalizimi, por kemi filluar nga puna konkrete të një sistemi dixhital të të gjithë informacionit hartografik që disponon jo vetëm ATP-ja, por edhe të gjitha institucionet e tjera, të cilat kanë një informacion hartografik historik. Ne jemi duke grumbulluar të gjitha hartat historike që datojnë që në ‘37-ën dhe përfundojnë në ditët e sotme, përmes një hortofotoje të re që qeveria shqiptare është duke realizuar, dhe grumbullimi i të gjitha hartave dhe pozicionimi më pas i të gjithë vendimmarrjes së kryer, numërojmë rreth 70 mijë dosje të cilat do të pozicionohen në këtë hartë të unifikuar dixhitale, do na bëjë të mundur që të kursejmë shumë kohë në komunikimin ndërinstitucional të gjitha institucionet të cilat punojnë me një hartë apo kanë informacione të nevojshme që neve na duhen në procesin e vlerësimit të dosjeve. Dhe, nga ana tjetër, ne për herë të parë eliminojmë me një përgjegjësi shumë të madhe dhe korrektësi që vetëm dixhitalizimi mund ta japë, që realizohet për herë të parë, mënjanimi i problematikës së mbivendosjeve, një fenomen i shpeshtë dhe problematik që i ka përplasur pronarët në dyert e gjykatave dhe konflikte të cilat kanë marrë edhe jetën e pronarëve pikërisht për shkak të një vendimmarrjeje të gabuar që shteti përmes instrumenteve shtetërore të krijuara ka prodhuar në raport me këtë proces. Pra për herë të parë ne marrim një përgjegjësi e cila shmang këtë fenomen dhe u jep qytetarëve mundësinë që, n.q.se ne vërejmë që pretendimet e tyre janë të mbivendosura me vendimmarrje të kaluara apo me pretendime të kohës, të mund t’i zgjidhin këto lloj problematikash së pari me mirëkuptim me njëri-tjetrin, dhe së dyti me vendime gjykatash, që sigurisht nuk do të jenë të asaj kategorie që kanë qenë deri më sot.


Për sa kohë keni parashikuar që të mbyllet gjithë çështja e pronave?


Ligji ka parashikuar afate statutore të përcaktuara dhe ka thënë, e nisim me 6 muaj për të bërë regjistrin elektronik të vendimmarrjes për kompensim, përbri secilit vendim dhe problematikës përkatëse që subjekti duhet ta plotësojë në mënyrë që ta bëjë përfundimtar vendimin e tij, të aftë që agjencia mund ta vlerësojë. Vlerësimi ekonomik i vendimeve për kompensim fillon sot dhe përfundon në një afat 3-vjeçar nga ditët e sotme. Ndërsa vendimmarrja apo procesi i shqyrtimit të njohjes së pronësisë dhe i vendimmarrjes përkatëse për trajtimin e kërkesave të patrajtuara deri më sot për njohje pronësie zgjatet edhe ky brenda një afati 3-vjeçar. Ndërkohë që, shpërndarja e fondit të kompensimit, i cili përbëhet nga fondi financiar dhe i tokës, realizohet në krye të 10 viteve të ardhshme, pra nga sot e 10 vitet në vijim fillon shpërndarja e fondit financiar dhe fizik për kompensimin e të gjitha vendimeve të deritanishme të dhëna për kompensim ndaj pronarëve.

 

A do të hapen procedura për aplikime të reja për kthimin dhe kompensimin e pronës?


Jemi përpjekur përmes zbërthimit të ligjit që të fasilitojmë në maksimum aplikimet e bëra nga ana e qytetarëve. Pra ne nuk kërkojmë që qytetari të vijë të paraqitet në zyrat tona pasi ne për një pjesë të procedurës e marrim përsipër vetë barrën e provës për t’i identifikuar këto vendime për t’i vlerësuar nëse janë përfundimtare apo jo, dhe nëse janë të tilla, ato menjëherë u nënshtrohen procedurave të kompensimit në rastin e shtyllës së çështjes së kompensimit të pronës. Qytetarët do të aplikojnë vetëm nëse ata kërkojnë të përfitojnë një formë alternative kompensimi. Të tipit, kompensimi progresiv apo kompensimi të formës së ankandit, pra agjencia ka marrë përsipër që ta bëjë publike hap pas hapi sipas radhës së punës, t’i bëjë publike në faqen ëeb, gazeta, TV, të gjithë vendimmarrjen që do të marrë, dhe, nga njëra anë të njihet me këtë procedurë, e nga ana tjetër t’i lëvrohet fondi përkatës. Ne do kemi nevojë për aplikimin e qytetarëve vetëm në rastet kur atyre u ka ndryshuar prokura e përfaqësimit ligjor në dyert e agjencisë për dosjet e depozituara, apo në rastet çeljesh të trashëgimisë ligjore, të cilat duhet të depozitojnë dhe ato dhe të depozitojnë një numër llogarie efecient, të hapur dhe të vlefshëm. Pra aplikimi i qytetarëve në zyrat tona do të jetë minimalist dhe vetëm për çështje të cilat janë të domosdoshme për t’u sqaruar si nga ana e pronarëve, edhe në interesin tonë, sepse ne nuk duam të bëjmë procedura dhe procese që nuk janë karshi pronarëve.


Ligji për pronat që ju po zbatoni, ndodhet në shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese. Në rast se gjykata e pezullon ligjin, si do të funksionojë Agjencia e Trajtimit të Pronës?


Morëm vesh nëpërmjet mediave që Gjykata Kushtetuese është mbledhur dhe ka vendosur shqyrtimin e kërkesë së bërë nga palët paditëse për pezullimin e implementimit të mëtejshëm të ligjit të pronave në një seancë publike. Ne sot nuk kemi ende njoftim se kur do të mblidhet, por që jemi ende në pritje të gjykatës dhe realizimit të kësaj seance, ku do të shikojmë më pas përmes argumenteve dhe kundërargumenteve të palëve të thërritura në proces se çfarë vendimi do marrë gjykata. Ajo për çfarë ne kemi bindjen si agjenci, por edhe në emër të qeverisë, është fakti që fillimi i implementimit të këtij ligji nuk sjell pasoja negative dhe të pa riparueshme karshi pronarëve. Marr në konsideratë se çfarë vendimi do të mund të marrin gjykatat, një vendimmarrje profesionale në fund të këtij procesi, në do ta konsiderojë kushtetues apo jo këtë ligj. Edhe pse unë kam bindjen se ky është një ligj me themele të forta kushtetuese, por pavarësisht kësaj, kjo duhet lënë në profesionalizmin e gjyqtarëve, ky ligj dhe fillimi nga implementimi i tij nuk sjell asnjë efekt negativ të pariparueshëm nga ana e agjencisë, së pari, nga autoriteti i vendosur nga ligji apo nga qeveria. Nëse do të vendosej pezullimi i implementimit të këtij ligji, sigurisht që pasojat do të ishin katastrofike. Dhe këtë e them modestisht, për arsye se aktiviteti i kësaj agjencie do detyrohet të ngrijë derisa gjykata të marrë një vendim përfundimtar mbi kushtetutshmërinë apo jo të këtij ligji, dhe së dyti, do të ishte shumë keq që një fond i konsiderueshëm financiar prej 24 mln dollarësh i vënë në dispozicion që në muajin dhjetor 2015 për të kompensuar pronarët, nuk do të arrinte dot të shpërndahej në llogaritë bankare të secilit prej pronarëve që do të përfitojë nga ky proces. Qeveria, në funksionon të pronarëve ka vendosur një fond të konsiderueshëm, i cili është jo vetëm i barabartë me fondin që qeveritë e kaluara kanë vendosur në 7 vite rresht buxhetore, por në lëmin e madh të buxhetit të shtetit që qeveria vendos për investime publike, 25% e fondit të investimeve e zë pikërisht fondi që qeveria vendos në dispozicion të pronarëve, dhe kjo tregon jo vetëm seriozitetin e qeverisë, por edhe që qytetarët-pronarë mund të përfitojnë diçka konkrete në llogaritë e tyre bankare në këtë proces. Nuk bëhet fjalë vetëm për fondin financiar për pronarët e vjetër, por bëhet fjalë për një fond të konsiderueshëm financiar që po kjo qeveri e ka vendosur në dispozicion të pronarëve, toka e të cilëve është zënë nga ndërtimet informale, pra procesi që rrjedh nga legalizimet, ku nëse ngrin aktiviteti i agjencisë, ngrijnë edhe të gjitha instrumentet tona procedurale për të shpërndarë edhe këtë fond. Ndërkohë që, pasojat negative të implementimit të këtij ligji nuk 

ekzistojnë, sepse minimumi qytetarët do të marrim më pak dhe maksimumi do të rivendoset në vend e drejta e tyre nëse gjykata do të vlerësojë faktin që skema e ngritur nga ligji i ri sipas vlerësimit të tyre do të rezultojë e padrejtë, gjë që kam bindjen se nuk do jetë e tillë, për shkak se ne kemi punuar shumë fort dhe kemi parë shumë mirë doktrinën e Gjykatës Kushtetuese gjatë shqyrtimit që kjo gjykatë në vite u ka bërë çështjes apo ligjeve të kthimit dhe kompensimit të pronave.


Pronarët kanë kundërshtuar që në fillim ligjin e ri për pronat. A ju lë hapësirë ky ligj që, në rast se ata nuk janë të kënaqur me vendimet e Agjencisë të Trajtimit të Pronës, të shkojnë në Strasburg?


Ne jemi në proces intensiv komunikimi jo vetëm me KE-në dhe zyrat përkatëse që raportojnë për ecurinë e çështjes në fjalë, por edhe në komunikim me gjykatën evropiane të të drejtave të njeriut, ku avokatja e përgjithshme e shtetit është në një korrespondencë dhe komunikim të përhershëm në këtë gjykatë. Hartimi i ligjit ka qenë në një bashkëpunim shumë të thellë me ekspertët e përcaktuat nga vetë KE-ja, pikërisht për vetë interesin që ka KE-ja dhe gjykata europiane për të drejtat e njeriut përmes vendimmarrjes-pilot që ajo bëri në 2012-ën “Manushaqe Puto…”, të cilët ata kërkojnë pikërisht marrjen e këtyre masave efektive, të cilat shteti shqiptar apo qeveria i mori përmes trajtimit të ligjit të ri të trajtimit të pronës. Në këtë këndvështrim, komiteti i ministrave në mbledhjen e fillimmuajit dhjetor, pasi iu prezantua ligji i ri i miratuaë në atë kohë në parlament, e mirëpriti këtë me një vendimmarrje dhe i kërkoi shtetit shqiptar nxjerrjen e kateve nënligjore për ta bërë të implementueshëm këtë ligj, sikurse edhe disa informacione të cilat kanë të bëjnë me hartën e vlerës së pronës. Dy elemente të cilat nga muaji dhjetor deri para një muaji qeveria i plotësoi përmes miratimit të tri akteve nënligjore javën e kaluar dhe miratimit një muaj më parë të hartës së re të vlerës së pronës përmes një metodologjie të rishikuar nga kjo qeveri. Kjo si parantezë për të bërë të ditur faktin që ka një komunikim të vazhdueshëm midis gjykatës, Këshillit të Europës dhe qeverisë, apo për sa kohë palët paditëse e kanë çuar këtë ligj në Gjykatën Kushtetuese, sigurisht që në respektim të vendimmarrjes së shtetit shqiptar dhe gjykatës më të lartë që ka ky vend, si organi politik, ashtu dhe organi gjyqësor janë në pritje të një vendimmarrjeje. Gjërat janë dinamike, ne jemi në pritje të fillimit të shqyrtimit të kësaj padie, dhe më tej do shikojmë ecurinë e këtij procesi. Ndaj edhe për t’iu përgjigjur pyetjes suaj nëse do ta ankimojnë në gjykatën e Strasburgut apo jo pronarët këtë ligj, do të shikohet nga ecuria që do të ketë ligji gjatë shqyrtimit të saj në Gjykatën Kushtetuese.


Së fundmi Z.Qato keni menduar të shtoni sportelet tuaja për problematikat që kanë pronarët me pronat e tyre?


Ka qenë pjesë e strategjisë së ngritur për realizimin e kësaj reforme përveç identifikimit të një skeme efektive kompensimi në përmbushje të kërkesave të gjykatës europiane të të drejtave të njeriut edhe marrja përsipër e shtimit të burimeve njerëzore përmes krijimit të agjensisë së re .Burime njerëzore të cilat tashmë janë të strukturuara përmes drejtorive dhe departamenteve të cilat do të kenë të përqendruar punën e tyre për të zgjidhur problemin e qytetarëve. Në proces e sipër jemi në miratim të strukturës së re të kësaj agjencie me shtime të burimeve njerëzore për këtë agjenci në mënyrë që t’ju përballemi kërkesave të qytetarëve. Për shkak të faktit se është shumë i shkurtër afati që kemi marrim përsipër të bëjmë këtë proces në 3 vitet e ardhshme. Nga ana tjetër jemi prapë në proces të zgjerimit të ambienteve të agjencisë pasi janë modestish minimaliste për të krijuar sportele sa më dinjitoze për të pritur qytetarët dhe një shërbimeve sa më cilësore në raport me ta , pasi kjo është një kërkesat që qeveria e ka objektiv të saj,krijimin e shërbimeve cilësore për çdo qytetar i cili troket në dyert e kësaj administrate.




Lexuar 1377 herë