Stampo këtë faqe
E Enjte, 09 Nentor 2017 14:53

ATP, shërbime të reja elektronike në portalin e-Albania

e-Albania vijon shtimin e shërbimeve të reja elektronike, duke mos u ndalur në asnjë çast në misionin e vet për të qenë në funksion të plotë të qytetarit dhe biznesit shqiptar.

Tashmë në portën e vetme online të qeverisë mund të gjeni shërbime të Agjencisë së Trajtimit të Pronave kushtuar qytetarëve, të cilët kërkojnë të sqarohen rreth problematikave të tyre apo të marrin një dokumentacion shtesë.

Shërbimet e reja elektronike të Agjencisë së Trajtimit të Pronave janë tashmë publike, dhe do të ofrohen online në portalin qeveritar e-Albania sipas link-eve te mëposhtëm:

      1- Ankesë dhe trajtim i dosjes me specialistin përkatës pranë ATP :

https://e-albania.al/sherbimi.aspx?kodi=12412

2- Kërkesë për statusin dhe problematikat e shqyrtimit të dosjes :

https://e-albania.al/sherbimi.aspx?kodi=12413

Çështja e pronave mbetet ende mjaft e ndjeshme dhe në sportelet fizike të Agjencisë së Trajtimit të Pronave mbërrin një numër i konsiderueshëm kërkesash që kërkojnë të marrin përgjigje. Posaçërisht, online në portalin e-Albania qytetarët e interesuar mund të kryejnë shumë shpejt dërgimin e një kërkese për informacion në lidhje me ecurinë e shqyrtimit të dosjeve të ndjekura nga ATP-ja.

Po si do të jetë procedura?

Me anë të dërgimit online të kërkesës për marrjen e informacionit, vetë ATP-ja, përmes personave përgjegjës, kryen shqyrtimin e kërkesës bashkë me dokumentacionin shoqërues.

Në rastin kur kërkesa është e rregullt, ajo trajtohet nga specialistët dhe brenda 30 ditësh qytetarit të interesuar i kthehet përgjigjja online përmes e-mail-it si dhe te seksioni “Hapësira ime” në portalin e-Albania. Në rast se përgjigjja kërkohet edhe në letër, atëherë qytetari duhet të paraqitet fizikisht pranë sporteleve të ATP-së. Edhe kur aplikimi për kërkesën nuk është sipas rregullave të paracaktuara, sërish njoftimi i qytetarit bëhet me e-mail, duke shmangur çdo lloj keqkuptimi të mundshëm. 

E njëjta procedurë ndiqet edhe nëse qytetari ka ankesa në lidhje me shqyrtimin e dosjeve të ndjekura nga ATP-ja.


 

Lexuar 2432 herë