E Martë, 06 Shkurt 2018 15:06

Flet drejtoresha e ATP-së: Janë vlerësuar 16 mijë vendime

Flet drejtoresha e ATP-së: Janë vlerësuar 16 mijë vendime

Drejtoresha

 

Pronat, Baçi: Ja si

do të bëhet kompensimi

pas ndryshimit të skemës

“Kompensim financiar deri në 20% të vlerës së vlerësimit

dhe pjesa e mbetur nga fondi i tokës në dispozicion të agjencisë”

“Brenda vitit përfundojmë vlerësimin financiar edhe për 8500 dosjet e mbetura”

Vendimet 1997, në shkurt

gati vlerësimi për 1500 dosje

Si do të lehtësohen procedurat e aplikimit në Agjencinë e Pronave

Qeveria ka unifikuar procedurat për ekzekutimin e 26 mijë vendimeve të formës së prerë duke miratuar një formulë, e cila do të jetë e njejtë për të gjithë pronarët. Pra, nuk ka rëndësi nëse në ’45 toka ka qenë tokë truall apo bujqësore, pasi skema e kompensimit, që do të aplikohet, do të jetë e njejtë për të gjithë. Përmes një interviste dhënë për gazetën, drejtoresha e ATP-së, Jonida Baçi, sqaron se përparësi ka marrë kompensimi fizik në pronën e njohur. Nëse kjo nuk do jetë e mundur, atëherë pronarët do të përfitojnë vetëm 20 për qind të faturës, pra të vlerës së kompensimit që i është përcaktuar nga ATP-ja dhe për pjesën e mbetur do të kompensohen nga fondi fizik i tokës. “Të gjitha ato familje, që kanë vendime përfundimtare kompensimi, të vlerësuara financiarisht dhe publikuara nga ATP, në rast se nuk përfitojnë kompensim fizik në ish- pronën e tyre, do të përfitojnë kompensim financiar deri në 20% të vlerës totale të vlerësimit të vendimit, por jo më shumë se 10 milionë lekë dhe pjesa e mbetur (80%) nga vlerësimi i vendimit përfundimtar, do t’i kompensohet fizikisht nga fondi tokës në dispozicion të ATP-së”,- sqaron Baçi. Kompensimi financiar në masën 100% do të bëhet vetëm atëherë kur të jenë ezuruar këto dy mundësi dhe kur ATP-ja të mos ketë më fond toke në dispozicion. “Në këto raste, kompensimi financiar i subjektit do të kryhet me këste të barabarta brenda 10 viteve”,- pohon më tej drejtoresha e ATP-së.

Në fund të vitit që shkoi, Qeveria kaloi për miratim dy vendime të reja, që sipas Ministres së Drejtësisë, Etilda Gjonaj, nuk ishin asgjë tjetër, veçse zbatimi dhe zbardhja e urdhërimit të vendimit të Gjykatës Kushetuese. Si ka ndryshuar skema?

Në radhë të parë, ju falënderoj për mundësinë për të sqaruar të gjithë subjektet e interesuara, në lidhje me implementimin e ndryshimeve më të fundit të akteve nënligjore në zbatim të Ligjit 133/2015 për “Trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”, i ndryshuar. Nëpërmjet vendimit nr. 1, datë 16.01.2017, Gjykata Kushtetuese ka vlerësuar se ligji në tërësi është në përputhje me Kushtetutën, pasi është detyrë e Shtetit, si njohësi më i mirë i interesave të shoqërisë shqiptare që të gjejë rrugën më të përshtashme për dëmshpërblimin e një grupi të caktuar të shoqërisë pa dëmtuar rëndë interesat e përgjithshme. Në këtë frymë, Këshilli i Ministrave ka miratuar VKM-në Nr.765, datë 20.12.2017 dhe VKM-në Nr.766, datë 20.12.2017, që rregullojnë procedurat për vlerësimin dhe ekzekutimin e vendimeve përfundimtare të kompensimit të pronës dhe shpërndarjen e fondit financiar e fizik për kompensimin e pronave.

Vendimi përcakton reduktim apo tkurrje të kompensimit financiar në masën 20% dhe jo më shumë se 10 milionë lekë. Si do të funksionojë kjo skemë, pra, kur do të aplikohet kompensimi fizik në pronën e njohur, kompensimi në të holla, kompensimi fizik dhe ankandi?

Ndryshimet e fundit ligjore sipas VKM-së nr.766 dt.20.12.2017, mundësojnë një trajtim të barabartë për të gjithë subjektet e shpronësuara, të cilët disponojnë një vendim përfundimtar kompensimi të vleresuar financiarisht dhe të publikuar. Të gjitha këto familje, që kanë vendime përfundimtare kompensimi, të vlerësuara financiarisht dhe publikuara nga ATP, në rast se nuk përfitojnë kompensim fizik në ish-pronën e tyre, do të përfitojnë kompensim financiar deri në 20% të vlerës totale të vlerësimit të vendimit, por jo më shumë se 10 milionë lekë dhe pjesa e mbetur (80%) nga vlerësimi i vendimit përfundimtar, do t’i kompensohet fizikisht nga fondi tokës në dispozicion të ATP-së. Objektivi ynë, me qëllim trajtimin në mënyrë të barabartë dhe të shpejtë të subjekteve, është që ekzektutimi i kompensimit që një subjekt përfiton si më sipër, pra, si kompensimi financiar në masën 20% të vlerësimit të vendimit, ashtu dhe kompensimi fizik nga fondi i tokës në masën 80% të vlerësimit të vendimit, të bëhet i menjëhershëm për të gjithë vendimin. ATP-ja do të kompensojë financiarisht në masën 100% vetëm pasi të jenë ezauruar të gjitha mundësitë sipas rendit të përcaktuar të prioritetit të mënyrave të kompensimit. Më qartë, kjo do të thotë se subjekti përfiton 100% kompensim financiar në rastet kur nuk mund të përfitojë kompensim fizik në ish- pronën e tij. Së dyti, kur ATP-ja ka shpërndarë dhe nuk ka më në dispozicion fond toke për kompensim fizik. Në këto raste, kompensimi financiar do të kryhet me këste të barabarta brenda 10 viteve. Në lidhje me mënyrën e kompensimit me Ankand, në faqen zyrtare të ATP-së janë të publikuara fondi i tokës dhe fondi i objekteve. Deri më tani, nga ana e ATP-së nuk është iniciuar një proces i tillë.

Me dy vendimet e fundit, merr përparësi kompensimi fizik. Ku do ta sigurojë Agjencia e Trajtimit të Pronave fondin e tokës, që i nevojitet për të përmbyllur këtë proces?

Fondi aktual në dispozicion të ATP-së për kompesimin fizik të ish-pronarëve përbëhet nga:

1.Fondi i tokës bujqësore me sipërfaqe 23,368.8 ha

2. Fondi pyjor dhe kullosor me sipërfaqe 50,000 ha

3. Fondi i objekteve shtetërore i përbërë prej rreth 170 objektesh.

Me vendimin nr. 901, datë 21.12.2016 ka ngritur një Komision ndërinstitucional për të bërë verifikimin e pronës shtetërore, që mund të kalojë dhe të bëhet pjesë e fondit të tokës së ATP-së. Në këtë kuadër, Këshilli i Ministrave herë pas here do të kalojë fond shtesë toke për kompensimin fizik për ish-pronarët.

Nga buxheti i shtetit, këtë vit janë 4 miliardë lekë të vëna në dispozicion, si do të bëhet ndarja e këtij fondi?

Ndarja e fondit vjetor për vitin 2018, të miratuar me Ligjin për Buxhetin e Shtetit, do të shpërndahet duke pasur prioritet rendin kronologjik të vendimeve përfundimtare të vlerësuara financiarisht duke filluar nga vendimi më i hershëm.

Agjencia e Trajtimit të Pronave, pak javë më parë, ka përfunduar edhe vlerësimin financiar për vendimet që datojnë në 1996. Sa prej tyre janë prekur nga ndryshimi i zërit kadastral?

Në Buletinin e Njoftimeve Zyrtare Nr.41 dt.18.12.2018 dhe njëkohësisht në faqen e saj zyrtare, ATP ka publikuar regjistrin dhe vlerësimin financiar të vendimeve të kompensimit, të marra në vitin 1996 në Republikën e Shqipërisë. Në total janë vlerësuar gjithsej 4’877 vendime, nga të cilat: për 2’190 vendime me vlerësim financiar. Sqarojmë se, sipas metodologjisë së vlerësimit të përcaktuar në Ligjin 133/2015 për “Trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”, i ndryshuar, prona e njohur për kompensim vlerësohet në bazë të zërit kadastral, që ka pasur në kohën e shpronësimit (zëri kadastral nënkupton llojin e pronës: truall, tokë bujqësore, livadh, kullotë, pyll). Ndërsa prona e kthyer, vlerësohet nga diferenca, që do të rezultojë midis vlerës së saj, sipas zërit kadastral aktual dhe vlerës së kësaj prone sipas zërit kadastral në kohën e shpronësimit. Nga vlerësimi, 417 vendime konsiderohen të kompensuar. Këtu mendojmë se është shumë e rëndësishme të sqarojme se, termi “Ezauruar”,që figuron në regjistrat e publikuar, nënkupton pikërisht këtë gjë, që vendimi konsiderohet i kompensuar. Sipas metodologjisë së vlerësimit, vendimi konsiderohet i kompensuar në disa raste. Në mënyrë më të thjeshtë dhe më të qartë, nëse për një vendim, që ka njohur dhe të drejtën e kthimit dhe të drejtën e kompensimit të pronës, vlerësimi i pronës së kthyer rezulton më i madh se vlerësimi i pronës së njohur për kompensim, atëherë subjekti do të konsiderohet i kompensuar. Gjithashtu, nëse për një vendim, kompensimi, subjekti apo trashëgimtarët e tij kanë përfituar më parë kompensim financiar apo çfarëdolloj kompensimi tjetër, përfshirë dhe përfitimin nga dispozitat ligjore për ndarjen e tokës bujqësore (Ligji 7501) dhe nëse ky përfitim i mëparshëm do të rezultojeë më i madh se vlerësimi financiar i vendimit, atëherë dhe në këtë rast subjekti do të konsiderohet i kompensuar. Janë po ashtu 2’270 vendime, për të cilat nuk është arritur të realizohet vlerësimi financiar. Kjo ka ardhur kryesisht për shkak të pamundësisë objektive të ATP-së për të vlerësuar pronën, bazuar në dokumentacionin që disponon. Mangësitë dhe problematikat e vërejtura gjatë procesit të vlerësimit të këtyre vendimeve, janë evidentuar në regjistrin e publikuar dhe i referohen si dokumentacionit ligjor, ashtu edhe atij hartografik.

Çfarë do të ndodhë me dosjet e ’96-ës, që nuk kanë një faturë?

Për këto vendime, të publikuara në regjistër pa vlerësim financiar dhe me problematikat përkatëse, subjektet e interesuara, brenda një afati 6-mujor, nga data e publikimit të regjistrit, duhet të plotësojnë dokumentacionin e munguar, të nevojshëm për vlerësimin financiar të vendimit të kompensimit si dhe mund të kontribuojnë e të plotësojnë informacionin e paraqitur në regjistër për vendimin përkatës. Për këtë qëllim, informojmë dhe rekomandojmë të gjithë subjektet e interesuara, që mund të paraqiten pranë sporteleve të ATP-së për të marrë të gjithë informacionin e nevojshëm, përsa i përket mangësive dhe problematikave të vërejtura gjatë vlerësimit të vendimeve të tyre. Këtu vlen të theksojmë se, nëse subjektet e interesuara nuk sjellin dokumentacionin e nevojshëm për vlerësimin financiar të vendimit brenda afatit 6 mujor, si dhe nëse ATP-ja është në pamundësi objektive për të vlerësuar pronën, bazuar në dokumentacionin që disponon, atëherë këto vendime kompensimi do të vlerësohen financiarisht me çmimin minimal, sipas përcaktimeve ligjore. Gjithashtu, në vendimet e pavlerësuara financiarisht, përfshihen dhe 123 vendime që u kanë njohur subjekteve të shpronësuara të drejtën e parablerjes së objekteve shtetërore kur ato të privatizohen. Për këto vendime, subjektet e shpronësuara kanë të drejtë të heqin dorë nga e drejta e parablerjes përkundrejt kompensimit, brenda një afati 1-vjeçar nga publikimi i regjistrit.

Të mbetemi tek familjet që janë njohur me vlerën e kompensimit, çfarë procedurash duhet të ndjekin?

Subjektet, të cilët disponojnë një vendim përfundimtar, që njeh të drejtën e kompensimit të pronës, të vlerësuar financiarisht, mund të paraqiten pranë sporteleve të ATP-së për të aplikuar për ekzekutimin e kompensimit. Në zbatim të ndryshimeve të fundit të akteve nënligjore sipas VKM Nr.765, datë 20.12.2017 dhe VKM Nr.766, datë 20.12.2017, ATP-ja do të realizojë ekzekutimin e kompensimit sipas prioritetit të mënyrave të kompensimit të përcaktuar sipas rendit: Kompensim fizik në ish- pronën e subjektit të shpronësuar; Kompensim fizik nga fondi i tokës; Kompensim financiar. Sqarojmë se për të aplikuar, subjektet duhet të kenë plotësuar dhe duhet të dorëzojnë dokumentacionin e mëposhtëm:

1.  Kërkesë për kompensim.          

2.  Konfirmimin nga ZVRPP përkatëse mbi gjendjen juridike të pronës që kompensohet dhe nëse është ushtruar apo jo e drejta e parablerjes (nëse është njohur në vendim).

3.  Dëshmi trashëgimie nëse ka ndryshuar rrethi i trashëgimtarëve.

4.  Prokurë e nënshkruar nga të gjithë trashëgimtarët e ligjshëm, ku si tagër i nevojshëm të jetë dhe e drejta për të tërhequr vlerën financiare në emër të tyre.

5. Deklaratë noteriale të nënshkruar nga subjekti i shpronësuar/përfaqësuesi me prokurë i të gjithë trashëgimtarëve ligjorë të subjektit të shpronësuar, përmes së cilës subjektet vetëdeklarojnë nëse vendimi përfundimtar i kompensimit apo vlerësimi i tij është ankimuar apo jo në rrugë gjyqësore, si dhe nëse këto subjekte kanë qenë apo jo të paditur apo persona të tretë në proceset, për të cilët ata aplikojnë për kompensim, janë kundërshtuar apo jo gjyqësisht nga ana e tyre, si dhe nëse këto subjekte kanë qenë të paditur apo persona të tretë në proceset gjyqësore me objekt ankimin e vendimit, për të cilin ata aplikojnë.      

6.  Deklaratë noteriale të nënshkruar nga subjekti i shpronësuar / përfaqësuesi me prokurë i të gjithë trashëgimtarëve ligjorë të subjektit të shpronësuar, përmes së cilës subjektet vetëdeklarojnë nëse kanë përfituar apo jo nga dispozitat e ligjit për ndarjen e tokës bujqësore.

7.  Vërtetim për numrin e llogarisë bankare.

8.  Dokument identifikimi.          

9.  Mandat pagese.

Gjithashtu, theksojme se ndryshimet e fundit ligjore kanë parashikuar një risi, që ka të bëjë me bashkimet e vendimeve mbi bazë ish- pronari, me qëllim ekzekutimin e tyre. Konkretisht, në rastet kur një subjekt ka më shumë se një vendim përfundimtar për t’u ekzekutuar, ATP-ja sipas rastit bën bashkimin e të gjithë vendimeve të këtij subjekti me qëllim ekzekutimi. Kjo do të thotë që ATP-ja do të realizojë procesin e vlerësimit financiar të të gjitha vendimeve, që njohin të drejtën e kompensimit dhe pastaj do të identifikojë subjektet që kanë më shumë se një vendim, duke bërë bashkimin e vlerësimit financiar të tyre, me qëllim ekzekutimi. Gjithashtu, sqarojmë se kuadri ligjor dhe nënligjor në fuqi, parashikon dhe forma të tjera të kompensimit, të tilla si kompensimi financiar me kërkesë të veçantë apo kompensimi fizik me ankand.

Jemi në vitin e tretë të zbatimit të skemës së re dhe deri më tani ka përfunduar vlerësimi ekonomik për rreth 16 mijë dosje. Por megjithatë, numri i aplikimeve ka qenë i ulët. A po mendohet që të lehtësohet procesi, pasi pronarët kanë ngritur shqetësimin se kanë vështirësi në mbledhjen e dokumentave?

Që nga hyrja në fuqi, në shkurt të vitit 2016 e Ligjit 133/2015, për “Trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”, i ndryshuar, ATP-ja ka përfunduar vlerësimin financiar të rreth 16’000 vendimeve (që i përkasin periudhes së viteve 1993-1996), nga totali prej rreth 26’000 vendimeve të kompensimit (që i përkasin periudhës së viteve 1993-2013), ose e thënë ndryshe, ATP-ja ka vlerësuar deri më tani 61,5% të totalit të vendimeve të kompensimit. Aktualisht, nga subjektet e interesuara ka pasur rreth 1’300 aplikime për ekzekutim të kompensimit, nga të cilat janë trajtuar me kompensim rreth 400 aplikime. Sqarojmë se, ka disa arsye përsa i përket numrit relativisht të vogël të aplikimeve nga ana e subjekteve, krahasuar me vendimet e vlerësuara financiarisht. Konkretisht, kjo nuk vjen se subjektet kanë vështirësi në mbledhjen e dokumentacionit të kërkuar, por kryesisht ka të bëjë me problematikat që mund të kenë vetë trashëgimtarët ligjorë të subjekteve të shpronësuara. Disa prej problematikave i referohen zgjerimit të rrethit të trashëgimtarëve ligjorë dhe pamundësise së tyre për t’u përfaqësuar të gjithë nga një përfaqësues me prokurë, pasi shumica e tyre mund të jenë të larguar jashtë Shqipërisë ose për arsye të tjera. Në lidhje me lehtësimin e procesit të aplikimit, ATP-ja në shtator të vitit 2016 ndërmori masa duke bërë ndryshime në aktet nënligjore, konkretisht duke e hequr detyrimin e subjekteve për të paraqitur pranë ATP-së vërtetimin nga gjykata kompetente nëse vendimi përfundimtar i kompensimit apo vlerësimi i tij është ankimuar apo jo në rrugë gjyqësore dhe vërtetimin nëse subjektet kanë përfituar apo jo nga dispozitat për ndarjen e tokës bujqësore (Ligji 7501), duke i zevendësuar tashmë këto të dyja me deklaratat noteriale të vetë subjekteve. Gjithashtu, vlen të theksojmë se në kuadër të procesit të derregullimit që ka iniciuar Qeveria Shqiptare, i cili pritet të finalizohet së shpejti, edhe ATP-ja do të implementojë thjeshtimin dhe lehtësimin e një sërë procedurash, që kanë të bëjnë me aplikimin e subjekteve të interesuara. Kjo kryesisht ka të bëjë me disa dokumenta dhe konfirmime nga institucionet shtetërore, të cilat deri më sot është detyrim i subjekteve t’i marrin dhe t’i paraqesin në ATP.

Prej disa javësh ATP-ja ka nisur shqyrtimin e dosjeve të ’97-ës, kur pritet të përfundojë vlerësimi financiar për këto vendime?

Brenda muajit Janar 2018, ATP-ja do të përfundojë procesin e vlerësimit financiar të rreth 1500 vendimeve, që i përkasin vitit 1997 dhe në ditët e para të muajit shkurt, do të publikojmë edhe regjistrin e vlerësimit të këtyre vendimeve. Theksojmë se, me ritmet që po ecën procesi i vlerësimit të vendimeve që njohin të drejtën e kompensimit, mendojmë që pjesa e mbetur e dosjve, të cilat i përkasin viteve 1998-2013 (që llogariten rreth 8500 të tilla), do të vlerësohen brenda një periudhe 6–9 mujore, që do të thotë se ATP-ja do të përmbushi para afatit 3-vjeçar nga hyrja në fuqi e Ligjit 133/2015, detyrimin e saj për të vlerësuar të gjitha vendimet, që njohin të drejtën e kompensimit.

Gjykata e Strasburgut pritet që këtë muaj të mbajë qëndrim mbi ligjin e ri, cilat janë sinjalet dhe pritshmëritë?

Pritshmeritë janë pozitive, duke qënë se ndryshimet ligjore të bëra janë në frymën e vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe trajtojnë një zgjidhje përfundimtare dhe të barabartë për të gjithë ish- pronarët.

Lexuar 2159 herë

Galeri imazhesh

[sigplus] Critical error: Image gallery folder 707 is expected to be a path relative to the image base folder specified in the back-end.

{gallery}707{/gallery}