E Enjte, 08 Shkurt 2018 16:18

NJOFTIM, Për publikimin e Regjistrit të vendimeve të vitit 1997, që kanë njohur të drejtën për kompensim, dhe të vlerësuara financiarisht nga ATP

Agjencia e Trajtimit të Pronave (ATP), në zbatim të Ligjit nr.133/2015 për “Trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”, i ndryshuar, dhe Vendimit të Këshillit të Ministrave nr.223, datë 23.03.2016, për “Përcaktimin e rregullave dhe të procedurave për vlerësimin dhe shpërndarjen e fondit financiar e fizik për kompensimin e pronave”, i ndryshuar, ka përfunduar procesin e vlerësimit financiar të vendimeve përfundimtare të vitit 1997, të cilat kanë njohur të drejtën e kompensimit të subjekteve të shpronësuar për të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë dhe i ka bërë publike ato në Buletinin e Njoftimeve Zyrtare nr.5 datë 06.02.2018, si dhe në faqen zyrtare të ATP-së në internet www.atp.gov.al.

Në përfundim të procesit të verifikimit të vendimeve të administruara pranë arkivës së ATP-së, u identifikuan gjithsej 1’462 vendime të vitit 1997, të cilat kanë njohur të drejtën e kompensimit të subjekteve të shpronësuar për të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë. Të dhënat lidhur me numrin e vendimit, gjeneralitetet e subjekteve të shpronësuar, sipërfaqja e njohur për kompensim, vlerësimi financiar përkatës apo mangësitë në dokumentacion dhe problematikat në vlerësim, jepen të detajuara në regjistrin që shoqëron këtë njoftim.

Subjektet, të cilët disponojnë një vendim përfundimtar të vitit 1997, të vlerësuar financiarisht dhe të publikuar, kanë të drejtë dhe mund të paraqiten të aplikojnë për kompensim pranë ATP-së, duke plotësuar dhe paraqitur dokumentacionin e kërkuar sipas kritereve të përcaktuara në VKM-në nr.223, datë 23.03.2016, për “Përcaktimin e rregullave dhe të procedurave për vlerësimin dhe shpërndarjen e fondit financiar e fizik për kompensimin e pronave”, i ndryshuar.

Njoftojmë të gjithë subjektet e interesuar, se në bazë të Ligjit nr.133/2015, neni 19, pika 1, kanë të drejtë të ankohen kundër vlerësimit financiar të kryer nga ATP-ja për përcaktimin e vlerës së pronës në Gjykatën Administrative të Apelit brenda 30 ditëve nga dita e publikimit, vetëm për vlerën e kompensimit.

Të gjithë subjektet, të cilët evidentojnë mangësi në dokumentacion dhe problematika në vlerësim në regjistrin e vendimeve të vitit 1997 të bërë publik nga ana e ATP-së, se në bazë të Ligjit nr.133/2015, neni 16, pika 2, mund të plotësojnë dokumentacionin e nevojshëm për vlerësimin financiar të vendimit të kompensimit, brenda një afati prej 6 muajsh nga data e publikimit të regjistrit.

Në rastet kur subjektet e interesuar nuk sjellin dokumentacion të nevojshëmpër vlerësimin financiar të vendimit të kompensimit brenda afatit 6 mujor nga data e publikimit të regjistrit, si dhe në rastet kur ATP-ja është në pamundësi objektive për të vlerësuar pronën, bazuar në dokumentacionin që disponon, vendimi i kompensimit vlerësohet financiarisht sipas parashikimeve ligjore në nenin 16, pika 4, të Ligjit nr. 133/2015.

ATP njofton të gjithë subjektet, që për çdo informacion apo paqartësi lidhur me të dhënat e publikuara në regjistër apo që nuk i gjejnë të publikuara në të, mund të paraqiten pranë sporteleve tona për sqarime dhe informacion më të detajuar.

Gjithashtu, ATP ka filluar punën dhe së shpejti do të përfundojë procesin e vlerësimit financiar të vendimeve përfundimtare të vitit 1998, dhe në vijim sipas rendit kronologjik do të vlerësohen të gjitha vendimet, të cilat kanë njohur të drejtën e kompensimit të subjekteve të shpronësuar për të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.

Me përfundimin e procesit të vlerësimit financiar të vendimeve përfundimtare të vitit 1997, si dhe nga përditësimi i regjistrit të vendimeve për vitet 1993 – 1996 (të publikuara përkatësisht në Buletinet e Njoftimeve Publike Nr.30 datë 31.10.2016, Nr.34 datë 21.11.2016, Nr.38 datë 04.01.2017, Nr.2 datë 06.02.2017, Nr.6 datë 13.03.2017, Nr.13 datë 02.05.2017, Nr.19 datë 12.06.2017, Nr.25 datë 31.07.2017, Nr.28 datë 18.09.2017, Nr.40 datë 18.12.2017, Nr. 41 datë 18.12.2017 dhe Nr. 5 datë 06.02.2018), numri total i vendimeve të viteve 1993 – 1997, që kanë njohur të drejtën e kompensimit të subjekteve të shpronësuar për të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, dhe që janë vlerësuar financiarisht e publikuar nga ATP, është 17 318 vendime.

ATP, nga hyrja në fuqi e Ligjit nr.133/2015 e deri më tani, ka përfunduar vlerësimin financiar për 67 % të të gjithë vendimeve përfundimtare, që kanë njohur të drejtën e kompensimit të subjekteve të shpronësuar për të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë. Me ecurinë e punës së deritanishme, kjo falë edhe sistemit Web-Gis të implementuar nga ATP, ky proces parashikohet të përmbyllet përpara afatit të përcaktuar në ligj për përfundimin e vlerësimit financiar të të gjithë vendimeve përfundimtare, që kanë njohur të drejtën e kompensimit.

   Drejtor i Përgjithshëm

Jonida Baçi

 

 

Kliko Këtu: Regjistri i Vlerësimeve të vitit 1997

 

Lexuar 6944 herë