E Premte, 06 Korrik 2018 15:33

NJ O F T I M P U B L I K PËR FILLIMIN E PROCEDURAVE PËR KOMPENSIMIN FINANCIAR TË PRONARËVE, TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, QË PREKEN NGA NDËRTIMET INFORMALE, SIPAS VKM NR.369, DATË 20.06.2018

Në zbatim të VKM Nr.383, datë 19.05.2010 “Për përcaktimin e procedurave të shpërndarjes së fondit të kompensimit në vlerë për pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimet informale”, i ndryshuar, Agjencia e Trajtimit të Pronave (ATP) njofton:

•             Fillimin e procesit të pranimit të kërkesave për kompensimin e pronarëve të pasurive të paluajtshme, që preken nga ndërtimet informale, gjeneralitetet dhe të dhënat e të cilëve janë sipas VKM Nr.369, datë 20.06.2018.

•             Procesi i pranimit të kërkesave të subjekteve përfituesve do të fillojë në datën 09/07/2018 dhe nuk do të jetë i kushtëzuar dhe i kufizuar në kohë.

•             ATP fton të gjithë subjektet e interesuara, të paraqiten pranë zyrave të saj, në adresën Rruga “Muhamet Gjollesha”, Nr. 54, Tiranë, çdo ditë nga e hëna në të premte, për plotësimin e kërkesës për kompensim dhe dorëzimin e dokumentave përkatës.

•             Subjekti kërkues (subjekti përfitues/trashëgimtari ligjor/përfaqësuesi me prokurë), në momentin e plotësimit të kërkesës për kompensim, duhet të paraqesë dokumentacionin e mëposhtëm:

1.            Kërkesën për kompensimin e pronës, sipas formatit tip, që i vihet në dispozicion nga ATP;

2.            Dëshminë e trashëgimisë për të gjithë trashëgimtarët e ligjshëm të subjektit përfitues, sipas radhës së trashëgimtarëve, në përputhje me përcaktimet e Kodit Civil;

3.            Prokurën e posaçme, të nënshkruar nga të gjithë subjektet që përfitojnë kompensim, ku si tagër i nevojshëm të jetë edhe e drejta për të tërhequr vlerën financiare, në emër të tyre. (Në rastet kur nuk është e mundur të dorëzohet prokura e posaçme, secili bashkëpronar apo një pjesë e tyre, paraqesin kërkesë individuale apo të përbashkët, për pjesën takuese në pronën që kompensohet. Në rastin e kërkesave individuale të secilit bashkëpronar apo të një pjese të tyre, për çdo kërkesë të kryer, paguhet tarifë shërbimi në vlerën 2 000 (dymijë) lekë, pavarësisht se i përket të njëjtës pasuri të paluajtshme);

4.            Vërtetimin origjinal të lëshuar nga një bankë e nivelit të dytë për hapjen e llogarisë bankare në emër dhe për llogari të subjektit përfitues, ku përcaktohet edhe numri i llogarisë bankare (IBAN), ku do të transferohet vlera financiare e përfituar;

5.            Fotokopjen e dokumentit të identifikimit;

6.            Mandat pagesën, që vërteton pagimin e tarifës së shërbimit në vlerën 2 000 (dymijë) lekë.

Subjektet përfituese, kërkesa e të cilëve nuk është pranuar për mungesë dokumentacioni gjatë procedurave të mëparshme, kanë të drejtë të riaplikojnë. Këto subjekte nuk paguajnë tarifë shërbimi, nëse provojnë pagimin e saj gjatë aplikimit të mëparshëm.

DREJTOR I PËRGJITHSHËM

Jonida Baçi

Lexuar 1516 herë