E Mërkurë, 23 Mars 2016 18:35

Misioni ynë

Mos zbatimi i  vendimeve përfundimtare që njohin të drejtën e kthimit / kompensimit të pronave të konfiskuara gjatë regjimit komunist është konsideruar një problem  strukturor i sistemit ligjor shqiptar. 

Kuadri ligjor që ka udhëhequr procesin e kthimit dhe kompensimit të pronave në vendin tonë është cilësuar kompleks dhe i pamundur për tu zgjidhur përfundimisht brenda një afati të arsyeshëm çështjen e njohjes së pronësisë, kthimit dhe kompensimit te saj. 

Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, në vitin 2012 përmes vendimit  pilot "Manushaqe Puto dhe të tjerë kundër Shqipërisë", rekomandoi Qeverinë Shqiptare të marri një grup masash me qëllim kryesor identifikimin e një mjeti te brendshëm dhe efektiv i cili mundëson një kompensim të mjaftueshëm dhe te përshtatshëm mbas një periudhe 23 vjeçare moszbatimi të zgjatur të vendimeve për kompensim. 

Qeveria Shqiptare, u angazhua maksimalisht për të zbatuar në kohë dhe në cilësi, planin e veprimit të miratuar nga ana e saj, në muajin korrik të vitit 2014 me objektiv zbatimin e rekomandimeve Vendimit Pilot Manushaqe Puto etje kundër shtetit Shqiptar”.

Në qershor të vitit 2015 Komiteti i Ministrave pranë Këshillit te Evropës përshëndeti angazhimin e treguar nga autoritetet shqiptare në kërkim të një zgjidhje efektive dhe të qëndrueshme të problemit të rëndësishëm strukturor të rasteve  lidhur me të drejtat e pronësisë duke mirëpritur  paraqitjen nga ana e autoriteteve shqiptare të draft ligjit te ri te kthimit dhe kompensimit te pronave bazuar në një analizë financiare të faturës totale te kompensimit si dhe analizës tekniko ligjore mbi bazën e te cilës do te mbështeten ndryshimet ligjore te nevojshme. 

Qeveria iu përgjigj kësaj kërkese të Komitetit të Ministrave dhe finalizoi  miratimin e ligjit "Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave", në konsultim me Departamentin e Ekzekutimit të Vendimeve të GjEDNj, me ndihmën e ekspertëve të programit HELP të Këshillit të Evropës, në këshillim me ekspertë te Bankës Botërore, organizatës IOM, si dhe bazuar në praktikën e trajtimit të çështjes së kthimit dhe kompensimit të pronave nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë.

Komiteti i Ministrave shqyrtoi, në mbledhjen e tij 1243rd të Drejtat e Njeriut në 8-9th dhjetor 2015, ashtu sikurse u vendos në mbledhjen e qershorit,  Ligjin e miratuar dhe  vuri ne dukje me kënaqësi se ligji " krijon një skemë kompensimi për pronat e shpronësuara gjatë regjimit komunist, i cili rezulton një hap mjaft pozitiv drejt dhënies fund të një dështimi prej një kohe të gjatë të kompensimit ose kthimit të pronave  pronarëve ". 

Rregullimi i çështjes së pronave dhe ky ligj i cili ka për qëllim përfundimin e procesit të njohjes së pronësisë dhe kthimit apo kompensimit sipas rastit si dhe përfundimin e procesit të kompensimit përmes ekzekutimit të të gjitha vendimeve për kompensim të miratuara në këta 23 vjet proces dhe përfundimi i këtij procesi brenda 10 viteve të ardhshëm. 

Ligji vjen si nevojë e zhvillimit ekonomik të qëndrueshëm të vendit, duke përfunduar brenda një afati kohor të arsyeshëm një proces të tej zgjatur të kthimit dhe kompensimit të pronave. 

Agjencia e Trajtimit të Pronës, bazuar në një fond të akorduar nga Qeveria përmes Fondit të Zhvillimit të Rajoneve ka nisur nga puna për ngritjen e sistemit të parë dixhital të procesit të njohjes së pronësisë, kthimit dhe kompensimit të pronave nga viti 1993 deri më sot, vihet në zbatim edhe parashikimi ligjor në ligjin e ri ku i lihet detyrë Agjencisë së Trajtimit të Pronës dixhitalizimin e informacionit hartografik në vendimet përfundimtare për kompensimin e pronës.

Ky proces, ndër të tjera do të rrisë ndjeshëm transparencën gjatë procesit administrativ të trajtimit të kërkesave për njohje pronësie me vendimmarrje, do të shmangë mbivendosjet e pronave si një nga problematikat më të mëdha të këtij  procesi të gjatë. 

Përmes tij, realizohet standardizimi dhe informatizimi i të gjithë procesit që do të ndiqet për trajtimin e kërkesave për njohje pronësie, standardizimi dhe unifikimi i informacionit hartografik i përfshirë në këtë proçes, do të garantojë një proces të paanshëm, transparent ku çdo qindarkë e buxhetit të shtetit apo fond fizik pronësor shtet do të mund të shpërndahet duke mënjanuar abuzimet në këtë proces. 

Realizimi i transparencës përmes dixhitalizimit për herë të parë të këtij sistemi do të garantojë respektimin e të gjitha parimeve që udhëheqin këtë ligj; rritja e besimit të qytetarëve në sistemin e drejtësisë nëpërmjet rritjes së performancës në këtë proces, si dhe ndikimin që ai ka në vlerësimin e përgjithshëm që vendi merr në kuadër të procesit të integrimit evropian dhe respektimit të të drejtave themelore.

Gjithashtu vlen të theksohet se zbatimi i ligjit mbi të drejtën e informimit, si dhe strategjia antikorrupsion të cilat janë venë në zbatim kanë filluar tashmë të japin frytet në përmirësimin e perceptimit të sistemit të drejtësisë në vend. 

Qeveria ka prezantuar katër objektiva në programin e saj qeverisës mbi çështjen e njohjes se pronësisë. Ashtu sikurse, që në fillim te këtij mandati, prona u shpall si një nga 6 prioritet e kësaj qeverie. 

Ky program/angazhim politik,si dhe, e gjithë përpjekja e përditshme për të normalizuar sistemin e degraduar të pronave në vendin tonë,  ka finalizuar sot, një reformë të qenësishme në fushën e trajtimit të së drejtës së pronës, përmes një skeme realiste kompensimi ku eksperiencat më të mira të vendeve të rajonit dhe asistenca e çmuar e Këshillit të Evropës bënë të mundur realizimin e tij!

Asnjë qeveri më parë nuk kishte marre angazhimin politik për të identifikuar faturën totale të kompensimit të pronave që ne arritëm të bëjmë transparente dhe te hapur për publikun, gjatë dy viteve të fundit të qeverisjes. Ligji I ri I pronave shkund sistemin e kalbëzuar të njohjes së pronësisë. Sot, Kjo qeveri ka një vizion të qartë se kur nis dhe kur mbaron ky proces 

Për herë të parë ligji I ri vendos afate realiste dhe statusore.

• në 3 vjet do të mbyllim procesin 25 vjeçar të njohjes së pronësisë dhe te përfundojmë vlerësimin ekonomik të 26 mijë vendimeve për kompensim.

• Është krijuar një fond i qëndrueshëm dhe i paprekshëm për kompensimin! 

• Kompensimi fizik do te ketë përparësi kundrejt çdo forme kompensim tjetër! 

• Pavarësisht kësaj qeveria ka planifikuar me ligj një fond prej 50 mld lekësh në dispozicion të fondit te kompensimit financiar të pronave i cili është planifikuar të shpërndahet në 10 vjet proces! 

• Ligji I ri, I hap menjëherë rrugën kompensimit  të të gjitha vendimeve për kompensim pavarësisht zërit kadastral të tyre; duke krijuar premisat për kompensimin e rreth 74 mijë ha tokë në kuadrin e 10 viteve të ardhshëm

• Ndërsa në procesin e njohjes së pronësisë, Qeveria, përmes instrumenteve të ligjit të ri, merr përsipër barrën e provës në vendimmarrjen për njohjen e pronësisë.

  • Skema e re, i ka shmangur pronarët nga plotësimi i mbi 30 dokumenteve të kërkuar më parë për njohjen e pronësisë. 

 Fillimi nga implementimi I ligjit te ri është një sfidë për Agjencinë e re të Trajtimit të Pronës ku se bashku me ngritjen e një infrastrukture të dixhitalizuar për herë te parë synojmë të ngremë një sistem të ri të pronave.

Paralelisht, qeveria ka ndërmarrë një serë sfidash ne fushën e pronave:

• Menaxhimi I integruar I tokës është një sfidë që stimulon investimet urbane apo rurale mbi tokën.

• Finalizimi i procesit te dhënies së titujve të pronësisë të tokës bujqësore rrit konsolidimin e tokës.

• Përfundimi I regjistrimit fillestar të pasurive të paluajtshme dhe krijimi I regjistrit kombëtar elektronik të pasurive të paluajtshme është në proces të punës së qeverisë. 

• harta dixhitale e kadastrës, sot numëron rreth 400 mije pasuri të paluajtshme. Koha e hartave te grisura në zyrat e hipotekës është zëvendësuar hap pas hapi me harta dixhitale të unifikuara dhe transaksione online mbi këto prona. 

• Gjeoportali I parë kombëtar, do të ndikojë drejtpërsëdrejti në rritjen e cilësisë vendimmarrëse dhe të unifikuar të të gjitha institucioneve qe japin tituj pronësie. Këtij gjeoportali, për herë të parë do ti shtohet edhe informacioni dixhital e hartografik i unifikuar i procesit 23 vjeçar të kthimit dhe kompensimit të pronave

Ne kemi sfidë!

Eliminimin e te gjitha zvarritjeve burokratike, zhdukjen e zarfeve korruptive,  dhe ndalimin e abuzimeve të pafundme me pronën:

përmes përsosjes së sistemit të pronave,

eliminimin e krimeve për shkaqe të pronësisë,

- dhe uljen e çështjeve të panumërta gjyqësore.

Bashkërisht kemi marrë mandatin, për zbatimin e axhendës së qeverisë në lidhje me standardizimin dhe inovimin e të gjitha proceseve që kanë lidhje me pronën,  si indikator i zhvillimit ekonomik të vendit. Implementimi i Ligjit 133/2015  dhe akteve nënligjore do të garantojë përfundimin e këtij procesi te tej zgjatur.

I uroj punë të mbarë të gjithë kolegëve dhe stafit te Agjencisë së Trajtimit te Pronës, duke i nxitur ata te vënë të gjitha forcat dhe profesionalizimin e tyre, në dispozicion të përmbushjes së këtij misioni kaq te rëndësishëm për shoqërinë dhe pronaret në veçanti

Me respekt

Jonida BAÇI


 

Lexuar 4416 herë