Vendim i KM Nr.192 Datë 9.3.2011

VENDIM

Nr.192, datë 9.3.2011

PËR PËRCAKTIMIN E RREGULLAVE DHE TË KRITEREVE PËR SHPËRNDARJEN E FONDIT TË KOMPENSIMIT, PRONARËVE, NË TË HOLLA, PËR VITIN 2011

 Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 11, pika 1 shkronja “d”, e 17, të ligjit nr.9235, datë 29.7.2004 “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”, të ndryshuar, dhe të pikës 1 të nenit 5 të ligjit nr.10 239, datë 25.2.2010 “Për krijimin e fondit special të kompensimit të pronave”, me propozimin e Ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave

VENDOSI:

1. Subjektet e shpronësuara, prona e të cilave është njohur për kompensim, të kompensohen sipas radhës kronologjike, të përcaktuar nga numri dhe data e vendimit, vetëm nëse përmbushen këto kritere:

a) Vendimi, që ka përcaktuar kompensimin e pronës, është përfundimtar;

b) Vendimi, që ka përcaktuar kompensimin e pronës, është i ekzekutueshëm;

c) Vendimi, për të cilin aplikohet, nuk është trajtuar asnjëherë me kompensim. Në rastin e vendimeve, të cilat janë ndryshuar pjesërisht, për efekt klasifikimi, do të merret numri dhe data e vendimit bazë, që është më i hershëm në radhë kronologjike për njohjen, kthimin dhe kompensimin e asaj prone.

2. Kompensimi të bëhet për pronën e llojit truall, në bazë të çmimit të përcaktuar në hartën e vlerës, të miratuar sipas vendndodhjes së pronës, që kompensohet. Masa e kompensimit të jetë sipas skemës së mëposhtme:

a) Për pronat e njohura për kompensim deri në 1500 (një mijë e pesëqind) m2, masa e kompensimit të jetë 200 (dyqind) m2.

b) Për pronat e njohura për kompensim mbi 1500 (një mijë e pesëqind) deri në 3 000 (tre mijë) m2, masa e kompensimit të jetë 300 (treqind) m2.

c) Për pronat e njohura për kompensim mbi 3 000 (tre mijë) deri në 5 000 (pesë mijë) m2, masa e kompensimit të jetë 400 (katërqind) m2.

ç) Për pronat e njohura për kompensim mbi 5 000 (pesë mijë) deri në 10 000 (dhjetë mijë) m2, masa e kompensimit të jetë 500 (pesëqind) m2.

d) Për pronat e njohura për kompensim mbi 10 000 (dhjetë mijë) m2, masa e kompensimit të jetë 600 (gjashtëqind) m2.

3. Subjektet, që kanë depozituar kërkesat e tyre në vitet 2006, 2007, 2008, 2009 dhe që vërtetojnë kryerjen e pagesës, nuk paguajnë tarifën e aplikimit për vitin 2011.

4. Subjekti duhet të plotësojë dhe të paraqesë pranë AKKP-së dokumentacionin e mëposhtëm:

a) Kërkesën për kompensim në të holla, sipas formularit 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

b) Deklaratën për pranimin e kritereve për kompensim dhe të kushteve të tjera, që lidhen me to, sipas formularit 2, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

c) Titullin për njohjen dhe kompensimin e pronës, që, sipas rastit, mund të jetë vendim i Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, vendim i Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, si dhe vendim i gjykatës, në rastet kur vendimet e sipërcituara janë ndryshuar në rrugë gjyqësore.

ç) Planvendosjen përkatëse, si edhe planin e rilevimit të pronës së njohur për kompensim në fragmentin e hartës treguese të regjistrimit të pasurive.

d) Dëshminë e trashëgimisë.

dh) Prokurën e posaçme, të nënshkruar nga të gjithë trashëgimtarët e ligjshëm, ku si tagër i nevojshëm të jetë edhe e drejta për të tërhequr vlerën financiare, në emër të subjektit të shpronësuar.

e) Dokumentin e identifikimit (letërnjoftim apo pasaportë) të përfaqësuesit të pajisur me prokurë.

ë) Mandatpagesën.

5. Në rastin e kërkesave të paraqitura në AKKP, në mbështetje të vendimeve të Këshillit të Ministrave nr.1343, datë 4.6.2008 “Për miratimin e procedurave të shpërndarjes së fondit të kompensimit të pronarëve, në të holla, për vitin 2008” dhe nr.487, datë 6.5.2009 “Për përcaktimin e rregullave dhe të kritereve për shpërndarjen e fondit të kompensimit, të pronarëve, në të holla, për vitin 2009”, të cilat nuk janë pranuar nga AKKP-ja për pamjaftueshmëri fondi, kërkuesit duhet të pohojnë vullnetin e tyre, nëpërmjet një kërkese të re, për kompensimin, të shoqëruar me dokumentet e parashikuara në pikën 6 të këtij vendimi.

6. Subjektet, që kanë aplikuar për kompensimin në të holla, në vitet 2008 dhe 2009, të paraqesin dokumentacionin e mëposhtëm:

a) Kërkesën për kompensim financiar, sipas formularit 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

b) Deklaratën për pranimin e kritereve për kompensim dhe të kushteve të tjera, që lidhen me to, sipas formularit 2, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

c) Dëshminë e trashëgimisë, nëse ka ndryshime në rrethin e trashëgimtarëve të ligjshëm të subjektit të shpronësuar, sipas radhës së trashëgimtarëve, të përcaktuar në Kodin Civil.

ç) Prokurën e posaçme, nëse ajo e paraqitur në vitin 2008 apo 2009, ka kufizimin në kohë për tagrin e tërheqjes së shumës në të holla apo kur rrethi i trashëgimtarëve të subjektit të shpronësuar ka ndryshuar.

7. AKKP-ja shqyrton dokumentacionin e subjekteve, që kërkojnë kompensim në të holla, duke kryer veprimet e mëposhtme:

a) Verifikon dosjen dhe vendimin përkatës, të dhënë nga Komisioni i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave ose Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave.

b) Kërkon nga zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme, që, brenda 10 (dhjetë) ditëve, të konfirmojnë, për:

i) regjistrimin e vendimit përkatës në ZVRPP;

ii) përcaktimin e gjendjes juridike aktuale të pronës dhe verifikimin nëse ajo ka ndryshuar nga momenti i daljes së vendimit me të cilin aplikohet;

iii) verifikimin e ushtrimit të së drejtës së parablerjes.

c) Kryen verifikimin në terren të gjendjes së pronës dhe mban procesverbalin përkatës.

d) Përgatit planvendosjen e pronës që kompensohet dhe cakton:

i) në hartën e vlerës, zonën ku ndodhet prona;

ii) në bashkëpunim me subjektin e shpronësuar, pjesën e pronës, që kërkohet për t’u kompensuar, sipas masës që përcaktohet në pikën 2 të këtij vendimi, dhe i kërkon përfaqësuesit me prokurë të nënshkruajë për pjesën, që kompensohet.

dh) Llogarit vlerën e sipërfaqes, që kompensohet.

d) Përgatit vlerësimin ligjor, ku shpjegohen me hollësi për secilin subjekt kërkues:

i) vlefshmëria e vendimit të paraqitur nga kërkuesi;

ii) konfirmimet e zyrës vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme;

iii) vlerësimi i pronës për kompensim.

ë) Merr vendimin për pranimin apo refuzimin e kërkesës për kompensim të subjektit të shpronësuar.

f) U dërgon subjektit të shpronësuar, Avokaturës së Shtetit dhe zyrës vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme kopje të vendimeve të marra, për t’u dhënë mundësi të ushtrojnë kompetencat ligjore.

g) Shpall listën e subjekteve fituese.

gj) Kryen veprimet me thesarin dhe bankën për kalimin e fondit të kompensimit në të holla, në emër të subjektit të shpronësuar, përfitues të kompensimit, apo përfaqësuesit të tij me prokurë, në përputhje me procedurat për zbatimin e buxhetit të shtetit.

8. Procesi i regjistrimit/pranimit të kërkesave për kompensim fillon 5 (pesë) ditë pas datës së hyrjes në fuqi të këtij vendimi dhe vazhdon për 1 (një) muaj.

9. I gjithë procesi i trajtimit të kërkesave të subjekteve të shpronësuara duhet të kryhet në përputhje me këtë vendim dhe me afatin ligjor, të përcaktuar në nenin 17, paragrafi 2, të ligjit nr.9235, datë 29.7.2004 “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”, të ndryshuar.

10. Paraqitja e të dhënave të rreme ose fshehja e tyre nga subjektet e shpronësuara, në zbatim të këtij vendimi, sjell përjashtimin e menjëhershëm të këtyre subjekteve nga procedura e kompensimit në të holla dhe i ngarkon ata me përgjegjësi penale, sipas ligjit.

11. Ngarkohen Ministria e Drejtësisë, Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave dhe Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.

KRYEMINISTRI

Sali Berisha