NJOFTIM
MBI PËRFUNDIMIN E PROCESIT TË SHQYRTIMIT TË KËRKESAVE TË PATRAJTUARA/PËR NJOHJEN E PRONËS, MË DATË 23.02.2019
Agjencia e Trajtimit të Pronave në zbatim të Ligjit Nr.133/2015 “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave” është institucioni i ngarkuar për zbatimin e këtij Ligji.
Pranë Agjencisë së Trajtimit të Pronave, kanë qenë për tu shqyrtuar gjithsej 16.462 kërkesa të patrajtuara për 12 qarqet e Republikës së Shqipërisë, të cilat përfaqësojnë kërkesat për njohjen e së drejtës së pronës, të bëra para hyrjes në fuqi të Ligjit 133/2015 si dhe kërkesat e bëra brenda afatit 90 ditor nga hyrja në fuqi e Ligjit.
Në bazë të kompetencave që Ligji i ka njohur, Agjencia e Trajtimit të Pronave, gjatë periudhës 3 vjeçare, ka trajtuar 9 512 kërkesa, për njohjen e së drejtës së pronës.
Ligji 133/2015, në nenin 34 të tij përcakton se:
“1. Procesi i shqyrtimit të dosjeve, që janë aplikuar përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji dhe që janë në proces shqyrtimi pranë Agjencisë, përfundon brenda 3 vitesh nga hyrja në fuqi e këtij ligji. Procesi i ndarjes së Fondit të Kompensimit të pronave vazhdon deri në kompensimin, sipas përcaktimeve të këtij ligji, të të gjitha subjekteve që disponojnë vendim përfundimtar kompensimi dhe brenda afatit të përcaktuar në pikën 6, të nenit 16, të këtij ligji.
2. Nëse ATP-ja nuk përmbush detyrimin për të trajtuar kërkesat e përcaktuara në pikën 1, të këtij neni, brenda afatit 3-vjeçar,atëherë subjektet mund t’i drejtohen gjykatës së shkallës së parë për të trajtuar kërkesën e tyre, sipas përcaktimeve të këtij ligji.”
Sipas përcaktimeve të nenit 34 të ligjit, afati i shqyrtimit të kërkesave të patrajtuara nga ana e Agjencisë së Trajtimit të Pronave përfundon më datën 23.02.2019.
Në këto kushte, Agjencia e Trajtimit të Pronave, me anë të këtij njoftimi informon të gjithë subjektet të cilëve nuk i është trajtuar kërkesa, se mbështetur në nenin 34 të ligjit 133/2015, mund t’i drejtohen gjykatës së shkallës së parë, për të kërkuar trajtimin e kërkesës së tyre.
Gjithashtu, të gjithë subjektet aplikues (trashëgimtar ligjor/përfaqësues me prokurë) do të njoftohen nga Agjencia e Trajtimit të Pronave idividualisht, të tërheqin dokumentacionin e depozituar pranë sporteleve të institucionit, në mënyrë që të fillojnë me procedurat pranë gjykatës së shkallës së parë.
DREJTOR I PËRGJITHSHËM
Jonida Baçi