Në mbështetje të VKM nr. 192, datë 09.03.2011 “Për përcaktimin e rregullave dhe të kritereve për shpërndarjen e fondit të kompensimit, pronarëve, në të holla, për vitin 2011” Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave (në vijim AKKP) njofton:
Fillimin e procesit të pranimit dhe të regjistrimit të kërkesave për kompensimin në të holla, nga fondi në të holla për vitin 2011, për subjektet e shpronësuara, prona e të cilëve është njohur për kompensim. Me këtë rast AKKP fton të gjithë subjektet e shpronësuar apo trashëgimtarët e tyre të paraqiten pranë zyrave tona për dorëzimin e kërkesës për kompensim dhe dokumentacionit shoqëurues.
Procesi i pranimit të kërkesave të përfituesve nga ky fond do të fillojë, ditën e hënë më datë 28.03.2011 dhe do të zgjasë 30 (tridhjetë) ditë kalendarike. AKKP ka ngritur grupin e punës për pranimin dhe regjistrimin e kërkesave të subjekteve të shpronësuara. Të gjithë subjektet e interesuara mund të paraqiten pranë Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, nga e hëna në të premte, nga ora 09.00 – 14.00, në adresën Rruga “Muhamet Gjollesha”, pranë Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit, Nr. 54, Tiranë.
Bazuar në rregullat dhe kriteret, për shpërndarjen e fondit të kompensimit për vitin 2011, të miratuara me VKM nr. 192, datë 09.03.2011, përfitojnë kompensim, subjektet e shpronësuara që disponojnë një vendim përfundimtar dhe të ekzekutueshëm për kompensimin e pronës, referuar radhës kronologjike të përcaktuar nga numri dhe data e vendimit me të cilin aplikohet. Nga fondi i vitit 2011 nuk përfitojnë kompensim subjektet e shpronësuara, të cilët janë trajtuar më parë me kompensim për vendimin me të cilin aplikojnë.
Kompensimi bëhet për pronën e llojit truall në bazë të çmimit të përcaktuar në hartën e vlerës sipas vendodhjes së pronës që kompensohet. Masa e kompensimit është sipas skemës së mëposhtme:
a) Për pronat e njohura për kompensim deri në 1 500 (njëmijë e pesëqind) m2, masa e kompensimit është 200 (dyqind) m2.
b) Për pronat e njohura për kompensim mbi 1 500 (njëmijë e pesëqind) m2 deri në 3 000 (tre mijë) m2, masa e kompensimit është 300 (treqind) m2.
c) Për pronat e njohura për kompensim mbi 3 000 (tre mijë) m2 deri 5 000 (pesë mijë) m2, masa e kompensimit është 400 (katërqind) m2.
d) Për pronat e njohura për kompensim mbi 5 000 (pesë mijë) m2 deri në 10 000 (dhjetë mijë) m2, masa e kompensimit është 500 (pesëqind) m2.
e) Për pronat e njohura për kompensim mbi 10 000 (dhjetë mijë) m2, masa e kompensimit është 600 (gjashtëqind) m2.
Aplikuesit apo përfaqësuesit me prokurë kanë detyrimin të paguajnë tarifën e shërbimit në vlerën prej 2 000 (dymijë) lekë dhe gjithashtu të hapin në emër dhe për llogari të tyre, një llogari bankare në njërën nga bankat e nivelit të dytë në të cilën në rast përfitimi do të depozitohet shuma që përfitohet.
Subjekti apo përfaqësuesi i tij me prokurë duhet të paraqesë pranë AKKP-së Tiranë dokumentacionin e mëposhtëm:
a) Kërkesën dhe deklaratën tip, që i bashkëlidhet VKM së mësipërme, të plotësuara sipas rubrikave. (për plotësimin e këtyre akteve aplikuesve do tu ofrohet konsulencë nga punonjësit e AKKP-së të ngarkuar për pranimin e dokumentacionit);
b) Titullin për njohjen dhe kompensimin e pronës, që sipas rastit, mund të jetë vendim i Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, vendim i Agjencisë së Kthimit apo Kompensimit të Pronave, si dhe vendim i gjykatës në rastet kur vendimet e sipërcituara janë ndryshuar në rrugë gjyqësore;
c) Planvendosjen e vendimit, si dhe planin e rilevimit të pronës së njohur për kompensim në fragmentin e hartës treguese të regjistrimit të pasurive. Plani i rilevimi duhet të pasqyrojë konturin (kufirin) e pronës së vjetër duke përcaktuar qartë sipërfaqen e njohur, të kthyer dhe atë të njohur për kompensim;
d) Dëshminë e trashëgimisë për të gjithë trashëgimtarët e ligjshëm të subjektit përfitues, sipas radhës së trashëgimtarëve, në përputhje me përcaktimet e Kodit Civil. Për dëshmitë e trashëgimive të lëshuara nga gjykata për testamentin e bërë me akt noterial të sillet çertifikatë familjare e personit për të cilin është lëshuar kjo dëshmi.
e) Prokurën e posaçme, të nënshkruar nga të gjithë trashëgimtarët e ligjshëm, ku si tagër i nevojshëm të jetë edhe e drejta për të tërhequr vlerën financiare, në emër të tyre;
f) Vërtetimin e lëshuar nga banka e nivelit të dytë për hapjen e llogarisë bankare;
g) Fotokopjen e dokumentit të identifikimit të përfaqësuesit me prokurë;
h) Mandat pagesën për shumën 2 000 (dymijë) lekë, e cila paguhet në zyrën e financës së AKKP-së.
Subjektet që kanë aplikuar për kompensim në të holla në vitet 2008 dhe 2009 duhet të paraqesin pranë AKKP-së dokumentacionin e mëposhtëm:
a) Kërkesën dhe deklaratën tip, që i bashkëlidhet VKM së mësipërme, të plotësuara sipas rubrikave. (për plotësimin e këtyre akteve aplikuesve do tu ofrohet konsulencë nga punonjësit e AKKP-së të ngarkuar për pranimin e dokumentacionit);
b) Dëshminë e trashëgimisë, nëse ka ndryshime në rrethin e trashëgimtarëve të ligjshëm të subjektit të shpronësuar, sipas radhës së trashëgimtarëve, të përcaktuar në Kodin Civil.
c) Prokurën e posaçme, nëse ajo e paraqitur në vitin 2008 apo 2009 ka kufizim në kohë për tagrin e përfaqësimit, tërheqjes së shumës në të holla apo kur rrethi i trashëgimtarëve të subjektit të shpronësuar ka ndryshuar.
Në rast se aplikimi kryhet për vendime të tjera, të ndryshme nga ai me të cilin është aplikuar në vitet 2008 dhe 2009, subjektet duhet të plotësojnë dhe paraqesin pranë AKKP-së dokumentacionin e plotë (që përcaktohet më sipër) në përputhje me pikën 4 të VKM nr. 192, datë 09.03.2011.
Të gjithë aplikantët që paraqesin të dhëna të rreme apo fshenin të dhëna të nevojshme për procesin e kompensimit përjashtohen nga procesi i përzgjedhjes.
Subjektet e shpronësuar, të cilët kanë depozituar kërkesën e tyre për kompensim në vitet 2006, 2007, 2008 dhe 2009, dhe që vërtetojnë kryerjen e pagesës, nuk paguajnë tarifën e aplikimit për vitin 2011.
Tirane, me 25/03/2011
DREJTORI I PËRGJITHSHËM
ELVIS ÇEFA