Në kuadër të marrëveshjes ndërinstitucionale mes Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave
Prokurorisë së Përgjithshme të Shtetit, Policisë së Shtetit dhe Avokaturës së Përgjithshme të Shtetit, bazuar në bashkëpunimin intensiv për t’i dhënë përgjigje abuzimit, përfitimit korruptiv dhe tjetërsimit të pronës përmes falsifikimit , AKKP ka kallëzuar penalisht permes “Kallzimit penal” Nr. prot 3551/5, datë 27.10.2015, ish nëpunësin e Hipotekës Tiranë, ish anëtaret dhe Kryetarin e KKKP Bashkia Tirane, ish Drejtorin dhe grupin e punës te ZRKKP Qarku Tirane si dhe trashëgimtaret ligjorë të një subjekti të shpronësuar, të cilët dyshohen se me veprimet dhe mosveprimet e tyre kane bërë të mundur tjetërsimin në mënyre të paligjshme të sipërfaqes së truallit 1085 m2 dhe banesën tre katëshe që ndodhet mbi këtë truall, ndodhur në Tiranë.
Personat e kallëzuar, nëpërmjet shpërdorimit të detyrës, falsifikimit dhe pastrimit të produkteve të veprës penale, kanë ndikuar dhe kanë bërë të mundur tjetërsimin e kësaj sipërfaqeje.
AKKP gjatë procesit të nisur për identifikimin e pronës shtet si fond për kompensimin fizik të pronarëve dhe misionit për të përmbyllur ketë proces 23 vjeçar në favor të zbatimit të vendimeve përfundimtare për kompensimin e pronarëve është e angazhuar seriozisht në verifikimin dhe hetimin administrativ të të gjitha atyre rasteve ku konstatohet vjedhje dhe abuzim me pronën shtet në favor të personave që kanë përdorur dokumente të falsifikuara për tjetërsimin e kësaj prone.