Në kuadër të marrëveshjes ndërinstitucionale mes Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Prokurorisë së Përgjithshme të Shtetit, Policisë së Shtetit dhe Avokatures së Përgjithshme të Shtetit, bazuar në bashkëpunimin intensiv për t’i dhënë përgjigje abuzimit, përfitimit korruptiv dhe tjetërsimit të pronës përmes falsifikimit ,
AKKP ka kallëzuar penalisht 13 shtetas të cilët dyshohet se me veprimet dhe mosveprimet e tyre kanë bërë të mundur tjetërsimin në mënyrë të paligjshme të siperfaqes pronë shtetërore prej 747 ha tokë në fshatin Meldovë, qarku Berat.
Nga hetimi administrativ i dokumentacionit të grumbulluar për këtë rast, rezulton përgjegjësia penale për tjetersimin e pasurisë “tokë shtet” prej 747 hektarë , në qarkun Berat.
Personat e kallëzuar, nëpërmjet mashtrimit, falsifikimit dhe përdorimit të dokumentave të falsifikuara; në bashkëpunim me punonjësit shtetërorë, të cilët kanë shpërdoruar detyrën dhe kanë falsifikuar dokumentat, kanë ndikuar dhe kanë bërë të mundur tjetërsimin e kësaj sipërfaqeje përmes një vendimi gjykate të rrethit gjyqësor Berat.
Të kallëzuar janë:
– Anëtarë të pleqësisë të fshatit Meldovë,
– Anëtarë të Komisionit të verifikimit të pronësisë;
– Ish-sekretari dhe kryetari i Këshillit të komunës Meldovë,
– Përgjegjësi i SAMT- Berat
– dhe ish Kryetar i Këshillit të Qarkut Berat – – punonjës të Gjykatës së Shkallës së parë të Rrethit Gjyqësor Berat.
AKKP gjatë procesit të nisur për identifikimin e pronës shtet si fond për kompensimin fizik të pronarëve dhe misionit për të përmbylluar këtë proces 23 vjeçar në favor të zbatimit të vendimeve përfundimtare për kompensimin e pronareve është e angazhuar seriozisht në verifikimin dhe hetimin administrativ të të gjitha atyre rasteve ku konstatohet vjedhje dhe abuzim me pronën shtet në favor të personave që kanë përdorur dokumenta të falsifikuara për tjetërsimin e kësaj prone.