Deklaratë për Shtyp!

Agjencia e Trajtimit të Pronave
Agjencia e Trajtimi të Pronave me anë të kësaj deklarate publike ju bën me dije se më datë 08.11.2023, Gjykata Kushtetuese ka vendosur pranimin e kërkesës së Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, duke pezulluar zbatimin e ligjit nr. 77/2022, datë 17.11.2022 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 133/2015 “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”, e për rrjedhojë duke vënë në pikëpyetje një ndër proceset më të rëndësishme të shtetit shqiptar që prej vitit 1993 kur nga ligjvënësi u ndërmorën hapat e para në drejtim të zgjidhjes së çështjeve që lidhen me shpronësimet dhe konfiskimet e kryera padrejtësisht nga shteti komunist prej datës 29.11.1944.
Ky ligj, miratuar për trajtimin e pronës dhe procesin e kompensimit të pronave, ka shërbyer si hap i rëndësishëm për zgjidhjen e çështjeve të shpronësuar nga shteti komunist.
Me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, procesi i trajtimit të 7000 dosjeve të patrajtuara është pezulluar, duke vënë në pikëpyetje një nga proceset më të rëndësishme të shtetit shqiptar. Ligji Nr.77/2022 garantonte rivlerësimin e vendimeve dhe procesit të kompensimit, duke sjellë publikimin e 3876 vendimeve për njohjen e të drejtës së kompensimit.
Pezullimi aktual i ligjit do të rezultojë në vonesa dhe shtyrje të zgjidhjes përfundimare të procesit të kompensimit. Kjo ndikon jo vetëm pronarët, por gjithashtu shoqërinë shqiptare në tërësi. Fondi i kompensimit për vitin 2023, i cili do të përdorej për kompensim financiar, tani do të pësojë djegie në vlerën 2.340.000.000 lekë.
Në respekt të plotë ndaj pavarësisë së sistemit gjyqësor, duke u nisur vetëm nga ndjeshmëria e opinionit publik, vlerësojmë se shqyrtimi me përparësi i kësaj çështje nga ana e Gjykatës Kushtetuese është i një rëndësie jetike për përfundimin e procesit të kompensimit.