Deklaratë për shtyp ATP 17/05/2016

Të nderuar,

Për të gjithë të interesuarit, trashëgimtarë ligjorë të subjekteve të shpronësuara në vitet e para të regjimit komunist,

në mbështetje të ligjit “Për trajtimin e pronës dhe përfundimit te procesit të kompensimit” data 23 maj 2016  shënon mbylljen e afatit ligjor për depozitimin e kërkesave te reja për njohje pronësie nga çdo qytetar i interesuar pranë kësaj Agjencie.

Të gjitha strukturat përkatëse në Agjencinë e Trajtimit të Pronave janë  vënë në dispozicion të qytetarëve për të pritur të gjitha kërkesat e reja për njohje pronësie të cilat duhet të depozitohen deri ditën e hënë datë 23 maj afat ky, i cili bazuar në ligjin ri  “Për trajtimin e pronës” është cilësuar si prekluziv  dhe si i tillë është përfundimtar.

 

Vetëm dy dokumente nevojiten për te paraqitur kërkesën tuaj të re për njohje pronësie!

1. Një dokument arkivor i njohur zyrtarisht

2. Dhe një pozicionim hartografik i pronës që pretendohet për njohje pronësie.

Është Agjencia e re e Trajtimit te Pronave, ajo, e cila do të bëjë çdo verifikim apo hetim administrativ për të vërtetuar besueshmërinë e kërkesës së paraqitur nga ana e çdo aplikuesi brenda këtij afati ligjor duke i hequr pronarit një barrë të rëndë burokracie e cila e ka dëmtuar këtë proces deri më sot.

Kush nuk ka pasur mundësi në këta 23 vjet proces të paraqesë kërkesën  për njohje te pronësisë ka mundësi ta kryejë këtë aplikim pranë sporteleve dhe në adresën postare te Agjencisë së Trajtimit të Pronave, me afat përfundimtar deri më datë 23 maj 2016.

Nga hyrja në fuqi e ligjit te ri “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit te pronave” e deri më sot,  Agjencia ka vijuar punën duke angazhuar të gjitha burimet njerëzore mbi zbatimin e të gjitha proceseve të rregulluara nga ky ligj i ri .

Kështu nga data 23 shkurt 2016 deri më datë 16 maj 2016:

–         Janë paraqitur pranë Agjencisë së Trajtimit të Pronave 5000 pronarë të interesuar mbi këtë proces të ri të sapo nisur; Nga të cilët 1300 aplikues janë për herë të parë!

–       Në mënyrë që qytetarët të cilët presin vendimmarrjen administrative  mbi kërkesat e paraqitura nga ana e pronarëve për njohje pronësie; të vihen në dijeni për ketë proces të nisur, nga muaji prill deri më sot  janë njoftuar zyrtarisht 8630 përfaqësues pronash të cilët kanë dosje në shqyrtim ende pa vendim.

–       Aplikuesve në njoftimin e bërë nga ATP-ja,  i bëhet e ditur që ka nisur procesi i shqyrtimit të dosjeve dhe nëse kanë dokumentacion plotësues për vërtetimin e pronësisë janë

te lutur ta paraqesin pranë zyrave të ATP-së.

–       Për 510 dosjet e para ka nisur menjëherë procesi i verifikimit, konfirmimit dhe hetimit administrativ në përfundim të të cilit Agjencia do të dalë me vendimmarrjet e para mbi njohjen e pronësisë, kompensimin fizik në pronën e njohur dhe kompensimin përkatës referuar kërkesave të ligjit të ri.

Gjithashtu, ju bëjmë me dije se  në datë 30 maj 2016, ATP, bazuar në metodologjinë e ligjit të ri mbi “Trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit”; do të bëjë për herë të parë publike vlerësimin ekonomik të të gjitha vendimeve për kompensim të dhëna në rang vendi gjatë viteve 1993 dhe 1994.

Ky akt administrativ shënon nisjen nga puna të implementimit të ligjit të ri duke hapur procesin e aplikimeve të para për përfitim nga fondi i kompensimit I vënë në dispozicion të pronarëve gjatë këtij viti buxhetor.

Agjencia e Trajtimit të Pronave është e angazhuar maksimalisht të vëjë në jëtë ketë nisme, të udhëhequr nga kuadri I ri ligjor, duke ftuar çdo qytetar dhe pronar të bashkërendojë me institucionin tonë, me qellim realizim e objektivit të përfundimit të procesit të njohjes së pronësisë dhe kompensimit të pronave, duke garantuar një proces transparent dhe të orientuar nga parimi I trajtimit të barabartë të të gjithë pronarëve.

Ju falenderojmë për vëmendjen!