Fjala e Drejtoreshës së AKKP, Sonila Qato, në tryezën e dytë të rrumbullakët me temë “Reforma Ligjore dhe Institucionale e AKKP-së”, lidhur me marrëdhëniet ndërinstitucionale të AKKP me institucionet e treta:
Të nderuar kolegë,
Në punën tonë të përditshme asgjë nuk mund të ketë vlerë nëse kontributi dhe bashkërendimi i funksioneve që secili prej nesh administron, nuk do të jetë optimal dhe efiçent. Objektivi ynë i përbashkët si institucione qeveritare që trajtojmë pronat midis të tjerave është:
- Garantimi i të drejtës së pronësisë dhe sigurinë e pronës,
- Garantimi i zhvillimit të pronës duke investuar mbi të,
- Të mbështesim tatimet mbi tokën dhe pasurinë,
- Të sigurojmë garancinë e pronarëve për kredi,
- Të zhvillojmë dhe monitorojmë tregjet e tokës,
- Të ruajmë tokën shtetërore e të menaxhojmë atë,
- Të pakësojmë konfliktet mbi tokën,
- Të lehtësojmë reformën mbi tokën,
- Të përmirësojmë planifikimin urban dhe zhvillimin e infrastrukturës,
- Të mbështesim menaxhimin e mjedisit,
- Të sigurojmë të dhëna statistikore të sakta.
E pra, për të garantuar këto objektiva detyra jonë e parë është harmonizimi i të gjitha aktiviteteve tona në funksion të një bashkërendimi sa më efiçent dhe të një produkti cilësor të punës tonë. Tashmë është i njohur fakti se sa e fragmentarizuar është baza ligjore ku mbështesim punën tonë të përditshme.
Legjislacioni në fuqi, ashtu sikurse do ta prezantojë dhe Drejtoresha e Kodifikimit, vuan nga një trajtim i mbivendosur i kompetencave dhe nga një rregullim, në disa raste, të pabarabartë për pronën.
Ne trashëgojmë një kornizë ligjore e cila prodhon vetëm ankth për subjektet private apo publike të cilat janë të detyruara ti zbatojnë.
Trashëgojmë vendime të qeverisë së kaluar të cilat në mënyrë jo shteruese janë miratuar për klientelizëm dhe në shumë raste ngrihet një pyetje “cili ka qenë qëllimi i legjislatorit në miratimin e ndonjë ligji të caktuar”. Ashtu sikurse trashëgojmë një sërë ligjesh dhe aktesh nënligjore elektorale të cilat në vend që të garantonin parimin e sigurisë juridike të pronës vetëm e kanë ç’bërë atë.
Sot të gjithë në këtë tryezë kemi detyrën të normalizojmë këtë sistem dhe të korrigjojmë me sa më pak kosto të mundemi dëmet e mëdha që i janë bërë pronës në 23 vitet e fundit.
Në këtë kuadër, Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, mbasi ka marrë në analizë kuadrin ligjor mbi të cilin ushtron aktivitetin e saj të deritanishëm dhe mbasi ka konstatuar një anomali në veprimtarinë e këtij institucioni aspak produktiv, prezanton nevojën për një reformë jo vetëm ligjore në fushën e pronës por edhe institucionale në organizimin e brendshëm të saj.
Gjatë këtij viti AKKP ka realizuar një skaner të të gjitha aktivitetit të saj duke filluar nga viti 1993 vit ku ka nisur edhe aktiviteti i parë i komisioneve të kthimit dhe kompensimit të pronave deri në zhvillimet më të fundit.
Për herë të parë ndërtuam regjistrin elektronik të të gjitha vendimeve të dhëna në këto 23 vjet në procesin e kthimit dhe kompensimit të pronave si dhe jemi shumë pranë, të identifikimit të Faturës se kompensimit që Shteti Shqiptar ka përballë pronarëve.
Por nuk do të zgjatem në objektivat e realizuara nga Agjencia gjatë vitit të fundit pasi jo vetëm janë bërë publikisht të njohura por janë edhe objektiva të parashtruara për përmbushje në planin e veprimit që qeveria miratoi në prill të këtij viti, si masa konkrete ku do të mbështetet reforma nga sot.
Nevoja për ti dhënë zgjidhje procesit të tejzgjatur të kthimit dhe kompensimit të pronave është tashmë shumë emergjente.
Kjo gjë jo vetëm referuar ngërçit të madh që krijon anomalia e madhe pronave për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, por edhe për shkak të faturës që mund të përballet buxheti i shtetit nga vendimet e pritshme të Gjykatës së Strasburgut.
Për herë të parë në këto 23 vjet, jemi shumë pranë nxjerrjes së një faturë të detyrimit të shtetit shqiptar ndaj pronarëve të shpronësuar nga regjimi i kaluar.
Kjo shënon hapin e parë për fillimin nga puna të Reformës konkrete në fushën e kthimit, por mbi të gjitha të kompensimit të pronarëve, përmes rishikimit të formulës dhe krijimit të instrumentave efikase të kompensimit, detyrë edhe kjo e përcaktuar në Strategjinë dhe Plan Veprimin e nxjerrë në zbatim të vendimit pilot të Gjykatës së Strasburgut.
Ndaj kjo tryezë me aktorët institucionalë është shumë e rëndësishme!
Gjatë këtij viti kemi ndërtuar komunikim shumë të mirë ndërinstitucional me disa nga agjencitë kombëtare që trajtojnë çështjet e pronësisë.
Kështu janë intensifikuar marrëdhëniet me Zyrën Qendrore të Pasurive të Paluajtshme, ku falë vullnetit bashkëpunues është rritur ndjeshëm komunikimi zyrtar në çështjet e ndërsjellta të komunikimit mes AKKP dhe kësaj zyre.
Ndërkohë AKKP përfiton një akses on line të informacionit arkivor për 10 zyra vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme duke ulur ndjeshëm burokracitë në konfirmimet paraprake zyrtare dhe shkresore midis dy institucioneve tona, të paktën në rrethet ku shtrihet ky projekt.
Por vështirësi kemi akoma. AKKP ashtu sikurse çdo institucion i cili kërkon të verifikojë statusin juridik të pronave që kanë në trajtim, përballet me shkresa të ZRPP të cilat nuk garantojnë dot gjithmonë këtë status.
Ky element bëhet pengesë për reformën afatshkurtër që duam të ndërmarrim në trajtimin me kompensim të pronarëve, toka e të cilëve është prekur nga ndërtimet informale. Ndërkohë që puna në ALUIZ-ën vazhdon normalisht për regjistrimin e pasurive të derivuara nga procedurat e legalizimit, AKKP e ka të vështirë të likuidojë kompensimin financiar të pronarëve të tokës, për shkak se prona përkatëse, nuk është futur në sistem, apo është pjesë e zonave kadastrale ku ende nuk ka mbaruar regjistrimi fillestar i pasurive.
Nga ana tjetër, veprimtaria normale e vendimmarrjes së kthimit dhe kompensimit të pronave është e lidhur ngushtë me veprimtarinë e ALUIZNIT. Në një qëndrim të parë ne do ti kërkonim ALUIZNI-t përqendrimin e punës së tyre brenda zonave të shpallura si informale me vendime qeverie. Lokalizimi i aktivitetit të Aluiznit në territor i jep frymëmarrje aktivitetit normal të AKKP në vendimmarrjen për kthim dhe kompensim pronash.
Nga ana tjetër, AKKP ka konstatuar faktin që të gjitha vendimet e Komisioneve të Kthimit dhe Kompensimit të pronave nuk rezultojnë të jenë regjistruar në regjistrat përkatës të hipotekës.
Çfarë ndodh?
Nga njëra anë organet e përcaktuara nga ligji kanë nxjerrë vendime njohje pronësie për subjektet e shpronësuar, nga ana tjetër kurrkund në regjistrin e hipotekës nuk regjistrohet që kjo parcelë toke shtet ka një vendim komisioni ku i është njohur pronarit prona përkatëse.
Kodi Civil i Republikës së Shqipërisë ka rregulluar që edhe një kontratë qeraje me afat të gjatë të regjistrohet në hipotekë ndërkohë Akte të mirëfillta pronësie siç janë vendimet e komisionit nuk regjistrohen gjëkundi.
Pretendimi ynë është që të gjitha këto sipërfaqe ku ka vendime Komisioni për njohje pronësie janë objekt për kompensim financiar apo fizik për shtetin shqiptar.
Pra janë faturë për buxhetin e shtetit.
Nëse ALUIZNI do të kishte informacion zyrtar për parcelën ndërtimore ku jep legalizim dhe të vendimit të komisionit për njohje pronësie mbi këtë parcelë, atëherë ky fond do të përllogaritej si fond kompensimi edhe për pronarët e njohur të cilët nuk kanë gëzuar asnjë qindarkë dhe asnjë metër katror toke në këto 23 vjet për pronat e njohura me vendime komisionesh.
I njëjti problem konstatohet edhe me aktivitetin e agjencive apo drejtorive përkatëse pranë Ministrisë së Brendshme, Ministrisë së Mbrojtjes, Ministrisë së Ekonomisë dhe Ministrisë së Financave.
Për shembull Drejtoria që transferon prona pushtetit vendor në Ministrinë e Brendshme, nuk ka të identifikuar një lidhje të qartë midis pronës shtet apo publike që transferon me numrat e pasurive sipas Zyrës se Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Të paktën në një pjesë të konsiderueshme të pronave te inventarizuara.
Si rrjedhim transferon dhe kalon në funksion të pushtetit vendor prona të cilat jo vetëm janë të vështira të lokalizohen në terren por edhe nuk konfirmohen dot nëse ka pretendime për kthim nga pronarët e vjetër apo jo. Ky proces e konfondon qarkullimin e pronave dhe cenon sigurinë juridike të tyre.
Gjithashtu, AKKP është shumë e shqetësuar për shtimin e fondit special të kompensimit për pronarët dhe se sa zbatohen ligjet aktuale për alokimin e këtij fondi dhe destinacionin e tyre si fond special për kompensimin e pronarëve.
AKKP është shumë e interesuar që përmes kësaj reforme të njihet me politikat dhe planet sektoriale të të gjitha organeve qendrore, kryesisht ministritë e linjës të cilat menaxhojnë dhe kanë rol politikbërës në territor. Nga njëra anë duhet të përcaktohen zonat përkatëse në territor të cilat përbëjnë interes kombëtar dhe si rrjedhim shteti si rregullator të përcaktojë çfarë territoresh rezervon për interesin e vet publik dhe ku shtrihen këto zona. Në këtë mënyrë veprimtaria e AKKP në procesin e kthimit të pronave do të ishte më i kontrolluar dhe në funksion të politikave dhe strategjive të qeverisë në territor.
Ne tashmë e kemi nisur një reformë konkrete në fushën e informacionit arkivor. Falë kontributit dhe marrëveshjes së lidhur me Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivës së Shtetit, AKKP po krijon për herë të parë një Arkivë teknike të procesit të kthimit dhe kompensimit të pronave.
Po aq pozitiv ka qenë edhe bashkëpunimi me ASIG, një institucion i ri por shumë inovator në procesin e dixhitalizimit të hartave dhe informacionit gjeohapesinor që po ndërtojmë. Falë kontributit të kësaj agjencie, të gjithë ne këtu sot, kemi pritshmërinë për krijimin për herë të parë të gjeoportalit qeveritar me informacion dixhital në fushën e pronave dhe pasurive të paluajtshme, por jo vetëm.
Lashë jo pa qëllim pa përmendur procesin e nisur për certifikimin e parcelave të shpërndara në kuadër të ligjit 7501, pasi gjykoj se ndoshta nuk është pjesë e kësaj tryeze, por nuk mund të lë pa përmendur faktin që ky proces duhet të shoqërohet edhe nga një proces korrektiv, aty ku Komisionet e verifikimit të titujve të pronësisë pranë Prefekturave konstatojnë problematika.
AKKP në këtë aspekt është duke ngritur një urë bashkëpunimi me Prefekturën e Tiranës dhe urojmë që të njëjtën frymë komunikimi ta kemi edhe me prefekturat e tjera edhe për shkak të misionit të këtyre institucioneve si përfaqësues të pushtetit qendror pranë njësive vendore.
Aktualisht, AKKP është në prag të një reforme institucionale dhe ligjore. Nevojitet të ndërtohet një fond solid me prona shtet, ku në ndryshim nga fondet e trashëguara deri më tani, të sigurojmë statusin juridik shtet dhe pa konflikte të këtyre pronave. Mandej, të vlerësojmë nëse janë prona të vlefshme për kompensim fizik apo jo.
Paralelisht po punojmë së bashku me grupin e punës nën drejtimin e Zëvendëskryeministrit për të identifikuar mekanizma dhe instrumenta efikas për dhënien e një zgjidhje kompensimit financiar të pronarëve.
Qëllimi është realizimi i një procesi të drejtë dhe ligjor për përfundimin brenda një afati të arsyeshëm të procesit te e kthimit dhe të kompensimit të pronave.
Për vlerësimin e statusit të pronës së pretenduar nga subjektet e shpronësuar në procesin e kthimit dhe kompensimit të pronave, vlerësohet i domosdoshëm marrja e informacionit në formën e konfirmimit kryesisht nga institucionet e përmendura më sipër.
Shteti ka detyrimin të mbajë barrën e provës deri në përfundimin e procesit të kthimit dhe kompensimit të pronave.
Ndaj organi i ngarkuar me ligj duhet të ketë një informacion shumë të saktë arkivor për të konkluduar për origjininën e pronës, kadastral për të konkluduar nëse subjekti është përfitues i ligjit 7501; por edhe çfarë lloj pasurie ka qenë toka në momentin e shpronësimit etj.
Ndaj edhe kjo reformë përfshin kontributin e të gjitha institucioneve vendore apo qendrore që kanë informacion apo trajtojnë pronën.
Ne duam të ndërmarrim një proces reformues i cili të prodhojë një institucion që do ta trajtojë pronën si element për zhvillimin ekonomik të të gjithë vendit. Duam të realizojmë nga njëra anë, një proces për kthimin e pronës në mënyrë të unifikuar dhe në zbatim të planeve zhvillimore dhe strategjike të Qeverisë dhe nga ana tjetër një proces kompensimi të bazuar në parimet kushtetuese për një shpërblim të drejtë për pronarët dhe real për buxhetin e shtetit.
Këtu u përpoqa sadopak të tërheq vëmendjen tuaj dhe të ngacmoj sadopak debatin e përfaqësuesve të secilit prej institucioneve në këtë tryezë.
E gjitha kjo për një motiv të përbashkët: Sistemi i pronave në Shqipëri duhet të normalizohet dhe ky gangrenizim shumë vjeçar, përmes masave konkrete dhe konstruktive në këtë fushë.
Ndaj duke ju falenderuar edhe njëherë për pjesëmarrjen tuaj si dhe duke vlerësuar angazhimin tuaj me praninë sot në këtë tryezë, jeni të ftuar të paraqisni mendimet tuaja në funksion të këtij objektivi sipas fushave përkatëse.
Ju faleminderit!