REGJISTRI I KOMPENSIMIT
Agjencia e Trajtimit të Pronave (në vijim ATP), në mbështetje dhe në zbatim të Ligjit nr. 133/2015 “Për trajtimin e pronës dhe përfundimit te procesit te kompensimit te pronave”, neni 16, pika 1 ka publikuar Regjistrin (kliko këtu) e të gjitha vendimeve që njohin të drejtën e kompensimit të pronës së subjekteve të shpronësuar, gjithashtu pjesë e këtij regjistri janë dhe vlerësimi vetëm financiar, i vendimeve përfundimtare që kanë njohur të drejtën e kompensimit për vitet 1993 dhe 1994.
Regjistri së bashku me vlerësimet financiare për vendimet e kompensimit për vitet 1993 dhe 1994 u publikua në 30 maj 2016, në Buletinin e Njoftimeve Zyrtare Nr. 16, si dhe në faqen zyrtare të ATP-së.
(ATP brenda një afati 3 vjeçar ka realizuar vlerësimin vetëm financiar të vendimeve që kanë njohur të drejtën për kompensim sipas metodologjisë së përcaktuar në ligjin nr. 133/2015). Regjistrat e Kompensimit ndër vite – (kliko këtu)
Për të gjithë ato subjekte që kanë një vendim të vlerësuar financiarisht lutemi të njiheni me vlerësimin dhe të aplikoni online në portalin e-albania në shërbimet përkatëse.
Hapat e procedurës:
►Agjencia njofton publikisht subjektet e interesuara.
►Subjektet që disponojnë një vendim përfundimtar të vlerësuar financiarisht kanë të drejtë të aplikojnë për kompensim.
►Subjektet kanë patur të drejtë që brenda një afati prej 6 muajsh nga data e publikimit të plotësonin dokumentacionin e munguar.
►Çdo palë e interesuar ka patur të drejtë të ankohet kundër vlerësimit financiar të kryer nga ATP-ja për përcaktimin e vlerës së pronës në Gjykatën Administrative të Apelit brenda 30 ditëve nga dita e publikimit, vetëm për vlerën e kompensimit.
Në zbatim të VKM-së nr. 223, datë 23.03.2016, të ndryshuar Agjencia e Trajtimit të Pronave fton subjektet për tu njohur me vlerësimin nëpërmjet faqes zyrtare të ATP-së ose në Buletinet e Njoftimeve Zyrtare, dhe të aplikojnë online në portalin e-albania pasi të kenë plotësuar dokumentacionin përkatës.
Dokumentacioni që duhet të paraqisni:
►Dokument identifikimi.
►Konfirmim nga ASHK përkatëse mbi gjendjen juridike të pronës që kompensohet dhe nëse është ushtruar apo jo e drejta e parablerjes (përveç rasteve të tokave të përmbytura nga liqenet apo hidrocentralet dhe vendimeve me vlerë).
►Deklaratë noteriale e nënshkruar nga subjekti i shpronësuar/përfaqësuesi me prokurë i të gjithë trashëgimtarëve ligjorë të subjektit të shpronësuar, përmes së cilës subjektet vetëdeklarojnë nëse a) vendimi përfundimtar i kompensimit apo vlerësimi i tij është ankimuar apo jo në rrugë gjyqësore, b) nëse këto subjekte kanë qenë apo jo të paditur apo persona të tretë në proceset gjyqësore me objekt ankimin e vendimit për të cilin ata aplikojnë, c) nëse për vendimin për të cilin aplikojnë kanè përfituar ose jo kompensim fizik/financiar, d) nëse kanë perfituar apo jo nga ligji nr. 7501/1991 “Për token” apo akte të tjera të dala në zbatim të tij.
►Dëshmi trashëgimie nëse ka ndryshuar rrethi i trashëgimtarëve.
►Prokurë e nënshkruar nga të gjithë trashëgimtarët e ligjshëm, ku si tagër i nevojshëm të jetë dhe e drejta për të tërhequr vlerën financiare në emër të tyre.
►Vërtetim për numrin e llogarisë bankare.
► Mandat pagesë (Shkarkoni faturën këtu)
Kompensim Financiar me Kërkesë të Veçantë (kliko këtu)
Dokumentacioni që duhet të paraqisni:
►Dokument identifikimi.
►Konfirmim nga ASHK përkatëse mbi gjendjen juridike të pronës që kompensohet dhe nëse është ushtruar apo jo e drejta e parablerjes (përveç rasteve të tokave të përmbytura nga liqenet apo hidrocentralet dhe vendimeve me vlerë).
►Deklaratë noteriale e nënshkruar nga subjekti i shpronësuar/përfaqësuesi me prokurë i të gjithë trashëgimtarëve ligjorë të subjektit të shpronësuar, përmes së cilës subjektet vetëdeklarojnë nëse a) vendimi përfundimtar i kompensimit apo vlerësimi i tij është ankimuar apo jo në rrugë gjyqësore, b) nëse këto subjekte kanë qenë apo jo të paditur apo persona të tretë në proceset gjyqësore me objekt ankimin e vendimit për të cilin ata aplikojnë, c) nëse për vendimin për të cilin aplikojnë kanè përfituar ose jo kompensim fizik/financiar, d) nëse kanë perfituar apo jo nga ligji nr. 7501/1991 “Për tokën” apo akte të tjera të dala në zbatim të tij, e) jemi dakort për të aplikuar për kompensim financiar me kërkesë të veçantë për 20%, 30%, 40% të vlerës, duke hequr dorë nga pjesa tjetër.
►Dëshmi trashëgimie nëse ka ndryshuar rrethi i trashëgimtarëve.
►Prokurë e nënshkruar nga të gjithë trashëgimtarët e ligjshëm, ku si tagër i nevojshëm të jetë dhe e drejta për të tërhequr vlerën financiare në emër të tyre si dhe e drejta për të aplikuar për kompensim financiar me kërkesë të veçantë, për 20%, 30% ose 40% të vlerës financiare, duke hequr dorë nga pjesa tjetër.
►Vërtetim për numrin e llogarisë bankare.
► Mandat pagesë (Shkarkoni faturën këtu)
ATP ju njofton se, me hyrjen në fuqi të ligjit nr. 77/2022 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 133/2015 “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”, është shtyrë afati i vlerësimit financiar të vendimeve që kanë njohur të drejtën për kompensim, të pavlerësuara më parë deri në 31.12.2024.
Përsa më sipër, ATP brenda datës 31.12.2024 sipas përcaktimeve në ligjin nr. 133/2015, të ndryshuar vlerëson vetëm financiarisht, të gjitha vendimet përfundimtare të pavlerësuara më parë që kanë njohur të drejtën e kompensimit të pronës.
Sqarojmë se, subjektet që i janë drejtuar Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, për të kërkuar vlerësimin financiar, para hyrjes në fuqi të këtij ligji, kanë të drejtë të heqin dorë nga gjykimi i çështjes dhe të paraqesin kërkesë pranë ATP-së për vlerësimin e vendimit. Kur nuk heqin dorë, gjykata kryen vlerësimin financiar në përputhje me parashikimet e ligjit nr. 133/2015, të ndryshuar.