PËR SINJALIZIMIN DHE MBROJTJEN E SINJALIZUESVE
Në mbështetje të neneve 78 e 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të
Ministrave,
K U V E N D I
I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
V E N D O S I:
KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
Neni 1
Objekti
Ky ligj përcakton rregullat për sinjalizimin e një veprimi ose praktike të dyshuar
korrupsioni nga sinjalizuesit në sektorin publik e privat, mekanizmat për mbrojtjen e
sinjalizuesve dhe detyrimet e autoriteteve publike e të subjekteve private në lidhje me
sinjalizimin.
Neni 2
Qëllimi
Qëllimi i këtij ligji është:
a) parandalimi dhe goditja e korrupsionit në sektorin publik e privat;
b) mbrojtja e individëve që sinjalizojnë veprimet ose praktikat e dyshuara të korrupsionit
në vendin e tyre të punës;
c) nxitja e sinjalizimit të veprimeve ose praktikave të dyshuara të korrupsionit.
Neni 3
Përkufizime
Në këtë ligj termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:
1. “Autoritet publik” ka të njëjtin kuptim me atë të dhënë në ligjin për të drejtën e
informimit.
2. “Hakmarrje” është çdo veprim, i drejtpërdrejtë ose jo i drejtpërdrejtë, ose kërcënim, i
kryer nga organizata, me natyrë diskriminuese, disiplinore ose që, në një formë tjetër të
padrejtë, dëmton interesat e ligjshëm të sinjalizuesit dhe që rezulton nga sinjalizimi.
3. “I sinjalizuar” janë një ose më shumë persona, ndaj të cilëve bëhet një sinjalizim, sipas
këtij ligji, në lidhje me një veprim ose praktikë të dyshuar korrupsioni.
4. “ILDKPKI” është Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe
Konfliktit të Interesave.
5. “Informacion publik” ka të njëjtin kuptim të dhënë në ligjin për të drejtën e informimit.
6. “Korrupsion” është çdo veprim ose mosveprim i kundërligjshëm, sipas legjislacionit
penal në fuqi, në lidhje me çdo formë të korrupsionit aktiv, korrupsionit pasiv, shpërdorimit
të detyrës ose kompetencave, ushtrimit të ndikimeve të paligjshme në kryerjen e detyrave ose
marrjen e vendimeve, shpërdorimit të të ardhurave të Buxhetit të Shtetit, përfitimit të
paligjshëm të interesave, si dhe çdo akt tjetër i ngjashëm me to.
7. “Mbrojtje” është mbrojtja e sinjalizuesit nga hakmarrja, sipas mekanizmit të përcaktuar
në kreun V të këtij ligji.
8. “Njësia përgjegjëse” është organi i posaçëm, i caktuar brenda autoritetit publik ose
subjektit privat, i përbërë nga një ose më shumë punonjës të organizatës dhe i ngarkuar me
detyrën e shqyrtimit të hetimit administrativ të sinjalizimit dhe shqyrtimin e kërkesës për
mbrojtjen e sinjalizuesit, sipas përcaktimeve të këtij ligji.
9. “Organizatë” është autoriteti publik ose subjekti privat.
10. “Sinjalizim” është raportimi i informacionit nga ana e sinjalizuesit te njësia
përgjegjëse ose ILDKPKI-ja për veprime apo praktika të dyshuara korrupsioni, të kryera në
vendin e tij të punës në autoritetin publik apo subjektin privat.
11. “Sinjalizim i brendshëm” është raportimi i kryer nga sinjalizuesi brenda njësisë
përgjegjëse të organizatës, sipas nenit 10 të këtij ligji.
12. “Sinjalizim i jashtëm” është raportimi i kryer nga sinjalizuesi pranë ILDKPKI-së,
sipas nenit 11 të këtij ligji.
13. “Sinjalizues” është individi, i cili aplikon ose është në marrëdhënie pune, ose ka
punuar më parë pranë autoritetit publik apo subjektit privat, pavarësisht nga natyra e
marrëdhënies së punës ose kohëzgjatjes së saj, si dhe nëse paguhet ose jo, që sinjalizon një
veprim ose praktikë të dyshuar korrupsioni.
14. “Subjekt privat” është personi juridik privat, sipas Kodit Civil të Republikës së
Shqipërisë, përfshirë tregtarin, sipas ligjit për tregtarët dhe shoqëritë tregtare.
15. “Veprim ose praktikë e dyshuar korrupsioni” është një veprim ose mosveprim, fakte
ose rrethana të kryera në një organizatë, për të cilat sinjalizuesi dyshon në mirëbesim, sipas
këtij ligji, se mund të përbëjë korrupsion.
Neni 4
Parimet e sinjalizimit
2
Mbrojtja e sinjalizuesve të veprimeve ose praktikave të dyshuara të korrupsionit, sipas
këtij ligji, bazohet në parimet e:
a) ruajtjes së konfidencialitetit të informacionit të sinjalizimit dhe sekretit shtetëror nga
njësia përgjegjëse dhe ILDKPKI-ja;
b) njohjes së identitetit të sinjalizuesit, përveç rastit kur ky ligj lejon pranimin e një
sinjalizimi anonim;
c) sinjalizimit vullnetar të një veprimi ose praktike të dyshuar të korrupsionit;
ç) integritetit dhe paanshmërisë së njësisë përgjegjëse dhe ILDKPKI-së gjatë shqyrtimit të
sinjalizimit;
d) zbatimit të mekanizmave të efektshëm dhe të përshtatshëm për mbrojtjen e të drejtave
dhe interesave legjitimë të sinjalizuesit;
dh) procedurës së hetimit administrativ të sinjalizimit në mënyrë të shpejtë dhe të
besueshme.
KREU II
SINJALIZIMI
Neni 5
Sinjalizimi
Çdo person, i cili vihet në dijeni për veprime ose praktika të dyshuara të korrupsionit,
gjatë punës ose në lidhje me veprimtarinë e tij të punës pranë organizatës, ka të drejtë të
sinjalizojë këtë fakt te njësia përgjegjëse brenda organizatës ose ILDKPKI-së, sipas rastit.
Neni 6
Mirëbesimi i sinjalizuesit
1. Sinjalizuesit i ofrohet mbrojtja për sinjalizimin e kryer në kushtet e mirëbesimit, të një
veprimi ose praktike të dyshuar korrupsioni, sipas kritereve të parashikuara në këtë ligj.
2. Sinjalizuesi konsiderohet se ka vepruar në mirëbesim, nëse ka shkaqe të arsyeshme për
të besuar se është duke sinjalizuar një veprim ose praktikë të dyshuar korrupsioni, si dhe:
a) nuk e dinte ose nuk kishte mundësi objektive për të ditur se informacioni i sinjalizuar
nuk ishte i vërtetë ose i saktë edhe nëse më vonë rezulton se ka gabuar në lidhje me
vërtetësinë ose saktësinë e tij, ose vërtetohet nga organet kompetente se nuk është kryer një
vepër penale e korrupsionit;
b) sinjalizimi nuk kryhet në mënyrë abuzive, shpifëse ose sinjalizuesi nuk mashtron mbi
informacionin e sinjalizuar.
3. Sinjalizuesi prezumohet të jetë në mirëbesim, derisa nuk provohet e kundërta nga njësia
përgjegjëse ose ILDKPKI-ja, sipas rastit.
Neni 7
Forma dhe përmbajtja e sinjalizimit
3
1. Sinjalizimi bëhet me çdo mjet komunikimi, në formë të shkruar ose deklarohet
verbalisht para ILDKPKI-së ose njësisë përgjegjëse dhe dokumentohet me shkrim prej tyre.
Sinjalizimi përmban të paktën:
a) të dhënat e identitetit të sinjalizuesit;
b) të dhënat e kontaktit të sinjalizuesit;
c) përshkrimin e fakteve e të rrethanave të njohura nga sinjalizuesi për veprimin ose
praktikën e dyshuar të korrupsionit, shoqëruar me provat përkatëse, për aq sa është e mundur;
ç) referimin përkatës në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë, për aq sa është e
mundur, nga sinjalizuesi, të veprës ose praktikës së dyshuar të korrupsionit;
d) në rastin e sinjalizimit të jashtëm, shkaqet ligjore dhe rrethanat e faktit, për aq sa është
e mundur, nga sinjalizuesi, për përdorimin e mekanizmit të sinjalizimit të jashtëm.
2. Sinjalizuesi mund të zgjedhë të mbetet anonim dhe sinjalizimi pranohet, nëse në të janë
shprehur qartë dhe janë arsyetuar shkaqet e anonimatit dhe të dhënat e sinjalizuara sigurojnë
një bazë të mjaftueshme për të hetuar administrativisht veprimin ose praktikën e dyshuar të
korrupsionit.
3. Pavarësisht nga ekzistenca e njësisë përgjegjëse pranë organizatës, sinjalizuesi mund të
nisë një procedurë të jashtme sinjalizimi pranë ILDKPKI-së, sipas nenit 11 të këtij ligji.
Neni 8
Sinjalizimi në publik
Në rast se sinjalizuesi njofton publikisht veprimin ose praktikën e dyshuar të korrupsionit,
gëzon të drejtën e mbrojtjes, sipas këtij ligji, deri në çastin kur sinjalizimi bëhet publik.
Neni 9
Bashkëpunimi
Në zbatim të parimit të ruajtjes së konfidencialitetit, sekretit shtetëror dhe mbrojtjes së të
dhënave personale, njësitë përgjegjëse bashkëpunojnë me njëra-tjetrën dhe me ILDKPKI-në
për shkëmbim të dhënash, të plota dhe pa asnjë rezervë, me qëllim shqyrtimin dhe zgjidhjen e
një rasti të sinjalizuar kur, pavarësisht nga organizata e sinjalizuesit, të sinjalizuarit i përkasin
organizatave të ndryshme.
KREU III
STRUKTURAT E SHQYRTIMIT TË SINJALIZIMIT
Neni 10
Sinjalizimi i brendshëm dhe njësitë përgjegjëse
1. Pranë çdo autoriteti publik, i cili ka më shumë se 80 të punësuar, dhe subjekti privat, i
cili ka më shumë se 100 të punësuar, caktohet një njësi përgjegjëse, e cila regjistron, heton
administrativisht dhe shqyrton sinjalizimet, sipas këtij ligji.
2. Njësia përgjegjëse mund të përbëhet nga një ose më shumë persona, sipas përbërjes dhe
strukturës së organizatës, të trajnuar posaçërisht në fushën e mbrojtjes së sinjalizuesve.
3. ILDKPKI-ja përcakton me udhëzim strukturën, kriteret e përzgjedhjes dhe trajnimin e
punonjësve të njësisë përgjegjëse të subjekteve private. Këshilli i Ministrave përcakton me
4
vendim marrëdhëniet e punës, strukturën dhe kriteret e përzgjedhjes së punonjësve të njësisë
përgjegjëse në autoritetet publike.
Neni 11
Sinjalizimi i jashtëm tek Inspektorati i Lartë i Deklarimit
dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave
1. ILDKPKI-ja heton drejtpërdrejt sinjalizimin për veprimet ose praktikat e dyshuara të
korrupsionit në organizata, të cilat nuk kanë një njësi përgjegjëse për këtë qëllim.
2. Pavarësisht nga njësia përgjegjëse brenda organizatës, sinjalizuesi ka të drejtë të
sinjalizojë veprën e dyshuar të korrupsionit tek ILDKPKI-ja në rastet kur:
a) njësia përgjegjëse nuk fillon hetimin administrativ ose përfundon hetimin në
kundërshtim me nenin 14 të këtij ligji;
b) ekziston dyshimi i arsyeshëm se pritësi i sinjalizimit në njësinë përgjegjëse ose persona
të lidhur me të janë të përfshirë ose kanë një interes të drejtpërdrejtë ose jo të drejtpërdrejtë,
pasuror ose personal, në veprimin ose praktikën e dyshuar të korrupsionit. Sipas rastit, person
i lidhur ka të njëjtin kuptim me përcaktimet e bëra në ligjin për tregtarët dhe shoqëritë
tregtare ose ligjin për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve
publike;
c) ka arsye të tjera të bazuara për të dyshuar në integritetin dhe paanshmërinë e njësisë
përgjegjëse në shqyrtimin e sinjalizimit, sipas parimeve të këtij ligji;
ç) prova e sinjalizuesit, në lidhje me veprimin ose praktikën e dyshuar të korrupsionit,
mund të fshihet ose të shkatërrohet nga organizata.
3. Në rastet e përmendura në pikën 2, të këtij neni, çdo hetim i njësisë përgjegjëse, nëse ka
filluar, ndërpritet dhe sinjalizimi hetohet në vijim nga ILDKPKI-ja.
KREU IV
PROCEDURA E HETIMIT ADMINISTRATIV TË SINJALIZIMIT
Neni 12
Parimet e përgjithshme të hetimit administrativ
1. Në kryerjen e funksioneve të saj, njësia përgjegjëse ose ILDKPKI-ja duhet:
a) të veprojë me ndershmëri, paanshmëri dhe efikasitet, duke pasur parasysh interesat
legjitimë të sinjalizuesit;
b) të veprojë në mënyrë të pavarur nga pikëpamja politike dhe çdo influencë tjetër e
padrejtë që mund të pengojë realizimin e detyrave, sipas këtij ligji;
c) të shmangë çdo konflikt interesi të mundshëm dhe të deklarojë menjëherë tek
organizata ose ILDKPKI-ja konfliktin e interesit përpara fillimit të hetimit administrativ të
një sinjalizimi;
ç) të marrë të gjitha masat e përshtatshme për të mbrojtur dokumentacionin dhe provat
lidhur me sinjalizimin nga zhdukja, fshehja, ndryshimi, falsifikimi dhe veprime të tjera, të
cilat synojnë asgjësimin e tyre;
d) të ruajë konfidencialitetin e informacionit dhe të mbrojë të dhënat në përmbajtje të çdo
sinjalizimi, në përputhje me nenet 15 dhe 16 të këtij ligji;
5
dh) të ruajë sekretin shtetëror në përmbajtje të një sinjalizimi në zbatim të ligjit.
2. Gjatë procesit të hetimit administrativ, sinjalizuesi ka të drejtë të mos zbulojë burimet e
informacionit.
Neni 13
Procedura e hetimit administrativ
1. Sipas rastit, çdo njësi përgjegjëse ose ILDKPKI-ja heton administrativisht sinjalizimin,
në përputhje me procedurën e përcaktuar në këtë ligj. Për aq sa nuk parashikohet ndryshe në
këtë ligj, njësia përgjegjëse pranë autoritetit publik dhe ILDKPKI-së zbatojnë dispozitat e
Kodit të Procedurave Administrative.
2. Procedura e hetimit administrativ të sinjalizimit përfundon sa më shpejt të jetë e
mundur, por, në çdo rast, jo më vonë se 60 ditë nga data e fillimit të hetimit, përveçse kur nga
rrethanat kërkohet një afat më i gjatë.
3. Gjatë periudhës së hetimit administrativ, njësia përgjegjëse ose ILDKPKI-ja shqyrton
dhe vlerëson pretendimet e ngritura nga sinjalizuesi në lidhje me veprimin ose praktikën e
dyshuar të korrupsionit. Për këtë qëllim, njësia përgjegjëse ose ILDKPKI-ja ka të drejtë të
kërkojë informacione dhe dokumente, të urdhërojë inspektime ose analiza, të mbledhë
deklarata ose të pyesë persona në dijeni ose rrethanat e çështjes ose të konsultohet me
ekspertë të fushave të ndryshme.
4. Në hetimin administrativ merr pjesë sinjalizuesi dhe çdo person tjetër i tretë, kur
dyshohet se posedon dokumente ose ka dijeni për rrethanat e sinjalizuara, përfshirë dhe të
sinjalizuarin, nëse vlerësohet e nevojshme nga drejtuesi i hetimit.
5. Çdo pale pjesëmarrëse në hetimin administrativ i garantohet një proces i rregullt, në
përputhje me parashikimet në Kodin e Procedurave Administrative, si dhe:
a) mund të japë deklarata me shkrim, argumente ose opinione;
b) mund të konsultohet me dosjen e hetimit;
c) ka të drejtë të dëgjohet në lidhje me pretendimet e tij.
6. Organizata ose ILDKPKI-ja duhet të vendosë në dispozicion të hetimit të dhënat,
dokumentacionin dhe provat e zotëruara prej saj.
7. Njësia përgjegjëse ose ILDKPKI-ja njofton sinjalizuesin për çdo masë të marrë në
përgjigje të sinjalizimit jo më vonë se 30 ditë nga momenti i kryerjes së veprimit. Pavarësisht
nga afati i njoftimit të parashikuar në këtë nen, njësia përgjegjëse ose ILDKPKI-ja është e
detyruar t’i përgjigjet brenda 30 ditëve nga marrja e kërkesës për informacion, të paraqitur
me shkrim nga sinjalizuesi, në çdo kohë, në lidhje me çështjen e sinjalizuar prej tij.
8. Nëse në përfundim të hetimit administrativ të sinjalizimit nga njësia përgjegjëse e një
autoriteti publik ose ILDKPKI-ja rezulton se veprimi ose praktika e dyshuar e sinjalizuar
përbën ose mund të përbëjë një shkelje administrative, sipas ligjit, njësia përgjegjëse ose
ILDKPKI-ja, sipas rastit, vë në dijeni organin kompetent.
9. ILDKPKI-ja dhe organizata, në bashkëpunim me ILDKPKI-në, marrin masa të
menjëhershme, të çastit dhe për aq sa është e mundur, për të parandaluar ose penguar
vazhdimin e pasojave të dëmshme nga veprimi ose praktika e dyshuar e korrupsionit të
sinjalizuar.
10. Çdo organizatë, sipas udhëzimeve të ILDKPKI-së, dhe ILDKPKI-ja, miratojnë
rregullore të brendshme të posaçme për procedurën e shqyrtimit të hetimit administrativ të
sinjalizimit dhe mekanizmat e mbrojtjes së konfidencialitetit, sipas këtij ligji.
6
Neni 14
Mosfillimi dhe përfundimi i hetimit administrativ
1. Njësia përgjegjëse ose ILDKPKI-ja ka të drejtë të mos fillojë hetimin administrativ
nëse:
a) sinjalizimi nuk është depozituar sipas formës dhe përmbajtjes së kërkuar nga neni 7, i
këtij ligji, dhe sinjalizuesi nuk korrigjon këto të meta brenda 7 ditëve nga data e marrjes së
njoftimit për korrigjim;
b) sinjalizimi përmban fakte dhe rrethana që nuk përfshihen në fushën e zbatimit të këtij
ligji, sipas nenit 3, pika 6, të këtij ligji;
c) kur nga përmbajtja e sinjalizimit del haptazi se nuk ka elemente të kundërvajtjes
administrative ose të veprës penale.
2. Njësia përgjegjëse ose ILDKPKI-ja ka të drejtë të përfundojë hetimin administrativ
nëse:
a) gjatë hetimit rezulton se sinjalizimi për veprimin ose praktikën e dyshuar të
korrupsionit është i bazuar. Në këtë rast, njësia përgjegjëse ose ILDKPKI-ja njofton
menjëherë prokurorinë ose Policinë e Shtetit.
b) sinjalizuesi nuk ka vepruar në kushtet e mirëbesimit, në zbatim të nenit 6 të këtij ligji.
3. Në dosjen e sinjalizimit shënohen vendimi për mosfillimin ose përfundimin e hetimit
administrativ, i arsyetuar për të gjitha shkaqet që kanë çuar në vendimmarrjen përkatëse, si
dhe masat e marra në lidhje me sinjalizimin.
Neni 15
Konfidencialiteti
1. Gjatë procedurës së hetimit administrativ të sinjalizimit të brendshëm ose të jashtëm,
identiteti i sinjalizuesit u bëhet i ditur personave të tretë vetëm me pëlqimin e tij me shkrim.
2. ILDKPKI-ja ose njësia përgjegjëse duhet të ruajnë në çdo kohë në mënyrë
konfidenciale informacionin e lidhur me sinjalizimin, duke mos e përhapur ose transmetuar te
persona të tretë brenda ose jashtë organizatës ose ILDKPKI-së, si dhe të mos e përdorin për
qëllime të tjera, përveçse me pëlqimin me shkrim të sinjalizuesit ose për përmbushjen e një
detyrimi ligjor.
3. Njësia përgjegjëse ose ILDKPKI-ja, në komunikimet me organizatën ku punon
sinjalizuesi ose me çdo subjekt apo autoritet tjetër, privat ose shtetëror, respekton detyrimin e
konfidencialitetit dhe ua komunikon informacionin e nevojshëm vetëm personave të caktuar
për hetimin administrativ ose për marrjen e masave për ndjekjen e fakteve të sinjalizuara, në
kuadër të një marrëveshjeje konfidencialiteti mes palëve.
4. Çdo person, i cili merr informacion konfidencial nga njësitë përgjegjëse ose ILDKPKIja,
për qëllim të këtij ligji, ka të njëjtin detyrim për përpunimin e informacionit në mënyrë
konfidenciale.
Neni 16
7
Mbrojtja e të dhënave personale
1. Të dhënat personale të individëve të përfshirë në hetimin administrativ përpunohen
vetëm për qëllim të këtij ligj. Në çdo rast, përpunimi i të dhënave personale kryhet sipas
parimeve dhe procedurave të legjislacionit në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale.
2. Në rastet kur, në zbatimin e këtij ligji, konstatohet mosrespektim i legjislacionit për
mbrojtjen e të dhënave personale, çështja i referohet Komisionerit për të Drejtën e Informimit
dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale.
3. Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale
përcakton me udhëzim të veçantë kushtet dhe kriteret e përpunimit dhe kohën e mbajtjes së të
dhënave personale në fushën e mbrojtjes së sinjalizuesve, sipas këtij ligji.
KREU V
TË DREJTAT DHE MBROJTJA E SINJALIZUESVE
Neni 17
Të drejtat e sinjalizuesit
1. Të drejtat dhe interesat e sinjalizuesve mbrohen në mënyrë të besueshme, të efektshme
dhe të përshtatshme.
2. Sinjalizuesi gëzon të drejtën e:
a) konfidencialitetit gjatë procesit të sinjalizimit, që përfshin, gjithashtu, mundësinë e
sinjalizimit anonim të një veprimi ose praktike të dyshuar korrupsioni, sipas nenit 7, pika 2, të
këtij ligji;
b) ruajtjen e konfidencialitetit të burimit të informacionit të sinjalizuesit;
c) mbrojtjes kundër hakmarrjes.
3. Të drejtat e sinjalizuesit garantohen, sipas këtij ligji:
a) gjatë kohëzgjatjes së procedurës së hetimit administrativ të sinjalizimit;
b) pas përfundimit të procedurës së hetimit administrativ të sinjalizimit, me qëllim
kryerjen normale të detyrave funksionale të sinjalizuesit në organizatën e tij;
c) pas përfundimit të marrëdhënies së punës së sinjalizuesit me organizatën e tij, kur, nga
rrethana të bazuara dhe të arsyeshme, sinjalizuesi ka kërkuar mbrojtjen nga ILDKPKI-ja.
4. Çdo rregull ose marrëveshje private, në bazë të së cilës përjashtohen ose kufizohen të
drejtat dhe mbrojtja e sinjalizuesit, sipas këtij ligji, është e pavlefshme. Të drejtat e
sinjalizuesit kanë epërsi ndaj marrëveshjeve të konfidencialitetit.
5. Sinjalizuesi informohet nga organizata dhe ILDKPKI-ja, në mënyrë të plotë dhe në
gjuhë të kuptueshme, për të drejtat dhe mbrojtjen e ofruar nga organizata e tij dhe ILDKPKIja,
sipas këtij ligji.
Neni 18
Mbrojtja kundër hakmarrjes
1. Sinjalizuesi, i cili sinjalizon një veprim ose praktikë të dyshuar korrupsioni, në
përputhje me dispozitat e këtij ligji, mbrohet ndaj çdo mase hakmarrëse të marrë ndaj tij nga
organizata, duke përfshirë, por pa u kufizuar në:
a) shkarkimin nga puna;
b) pezullimin nga puna ose të një ose më shumë detyrave;
8
c) transferimin brenda ose jashtë organizatës;
ç) uljen në detyrë;
d) uljen e pagës dhe/ose të shpërblimeve financiare;
dh) humbjen e statusit dhe të privilegjeve;
e) mosngritjen në detyrë;
ë) heqjen e së drejtës për të marrë pjesë në trajnime;
f) vlerësime negative në marrëdhënien e punës;
g) forma të tjera të hakmarrjes në lidhje me punën.
2. Çdo akt i hakmarrjes ndaj sinjalizuesit është i pavlefshëm.
3. Nëse sinjalizuesi dëshiron të vendoset në një strukturë tjetër të organizatës, për të
mbrojtur veten nga reagime armiqësore në mjedisin e tij të afërt të punës, organizata merr
masat e arsyeshme dhe të përshtatshme për të lehtësuar një lëvizje të tillë. Në rast të kundërt,
ILDKPKI-ja, me kërkesë të sinjalizuesit, i drejtohet organit kompetent, sipas legjislacionit në
fuqi, për të urdhëruar autoritetin publik ose urdhëron subjektin privat të marrë të gjitha masat,
sipas këtij neni. Nëse organi kompetent ose subjekti privat nuk merr masat e kërkuara nga
ILDKPKI-ja, çdo person i interesuar ka të drejtë t’i drejtohet gjykatës.
Neni 19
Procedura e hetimit të kërkesës për mbrojtje
1. Sinjalizuesi, i cili pretendon se është subjekt i një akti hakmarrjeje, paraqet kërkesë për
mbrojtje te njësia përgjegjëse. Njësia përgjegjëse merr menjëherë masat dhe në çdo rast jo më
vonë se 10 ditë nga paraqitja e kërkesës, vendos me akt të ndërmjetëm të arsyetuar për
riparimin e pasojave të paligjshme nga akti i hakmarrjes. Në rast të shkeljes së këtij afati,
kërkesa paraqitet tek ILDKPKI-ja, që vendos brenda 10 ditëve nga marrja e kërkesës.
2. ILDKPKI-ja heton pretendimet për hakmarrje për të përcaktuar nëse ka shkaqe të
arsyeshme për të besuar që ka ndodhur, është duke ndodhur ose pritet të ndodhë një akt
hakmarrjeje.
3. ILDKPKI-ja, brenda 5 ditëve nga data e marrjes së një kërkese për mbrojtje nga
hakmarrja, njofton me shkrim sinjalizuesin për regjistrimin e pretendimit dhe emrin e
personit pranë ILDKPKI-së, i cili do të ndjekë çështjen.
4. Organizata, me kërkesë të ILDKPKI-së, duhet të provojë që masat e marra në dëm të
sinjalizuesit janë bazuar në shkaqe të ndryshme dhe që nuk lidhen në mënyrë të drejtpërdrejtë
ose të tërthortë me sinjalizimin.
5. ILDKPKI-ja njofton me shkrim sinjalizuesin brenda 10 ditëve nga data e marrjes së
kërkesës për statusin e hetimit administrativ të kërkesës për mbrojtje dhe për çdo veprim
procedural të ndërmarrë. Pavarësisht nga afatet e njoftimit, parashikuar në këtë nen,
ILDKPKI-ja është e detyruar t’i përgjigjet çdo kërkese për informacion me shkrim, paraqitur
në çdo kohë nga sinjalizuesi në lidhje me kërkesën e tij.
6. Procedura e hetimit administrativ të kërkesës për mbrojtje përfundon sa më shpejt të
jetë e mundur dhe në çdo rast jo më vonë se 60 ditë nga data e regjistrimit të kërkesës.
7. Nëse në përfundim të hetimit administrativ rezulton se është kryer një akt hakmarrjeje
ndaj sinjalizuesit nga autoriteti publik, ILDKPKI-ja i drejtohet organit kompetent, sipas
legjislacionit në fuqi, për të urdhëruar autoritetin publik për marrjen e të gjitha masave për
riparimin e shkeljes së kryer. Nëse në përfundim të hetimit rezulton së është kryer një akt
hakmarrjeje ndaj sinjalizuesit nga subjekti privat, ILDKPKI-ja urdhëron subjektin privat të
marrë të gjitha masat për riparimin e shkeljes së kryer. Nëse organi kompetent ose subjekti
privat nuk merr masat e kërkuara nga ILDKPKI-ja, sipas kësaj pike, çdo person i interesuar
ose ILDKPI-ja ka të drejtë t’i drejtohet gjykatës.
9
8. ILDKPKI-ja dhe njësitë përgjegjëse, në përputhje me udhëzimet e nxjerra nga
ILDKPKI-ja, miratojnë rregullore për procedurën e shqyrtimit të kërkesës së sinjalizuesit për
mbrojtjen nga hakmarrja.
Neni 20
Dëmshpërblimi në rastin e hakmarrjes
Sinjalizuesi ka të drejtë të kërkojë në gjykatë shpërblim për dëmin e pësuar nga akti i
hakmarrjes, në kuptim të këtij ligji, sipas Kodit Civil.
KREU VI
MONITORIMI I MEKANIZMIT TË SINJALIZIMIT
Neni 21
Funksionet e Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive
dhe Konfliktit të Interesave
Përveç sa parashikohet në këtë ligj, ILDKPKI-ja ka detyrë:
a) të monitorojë dhe të nxjerrë udhëzime për mekanizmat e sinjalizimit të brendshëm dhe
të jashtëm;
b) të kontrollojë funksionimin e duhur të mekanizmit të sinjalizimit të brendshëm e të
njësive përgjegjëse të organizatave;
c) të konstatojë kundërvajtjet administrative, sipas këtij ligji, dhe të vendosë gjoba, në
përputhje me nenin 23 të këtij ligji;
ç) të marrë dhe të hetojë kërkesat për mbrojtje ndaj masave hakmarrëse kundër
sinjalizuesve dhe të garantojë mbrojtjen e sinjalizuesit nga masat hakmarrëse, sipas këtij ligji;
d) mbi bazën e raporteve vjetore të njësive përgjegjëse, të hartojë vlerësime dhe të japë
rekomandime për zbatimin e këtij ligji;
dh) të ofrojë këshillim dhe mbështetje në lidhje me zbatimin e ligjit për mbrojtjen e
sinjalizuesve;
e) të ndërgjegjësojë publikun për sinjalizimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesit, si dhe të rrisë
pranimin kulturor të sinjalizimit.
Neni 22
Raportimi
1. Njësia përgjegjëse zbaton detyrat e ngarkuara nga ILDKPKI-ja për lehtësimin dhe
zhvillimin e procesit të sinjalizimit, si dhe i paraqet ILDKPKI-së çdo vit, jo më vonë se data
15 janar e vitit pasardhës, raport me shkrim për sinjalizimet e regjistruara, mënyrat e ndjekura
për hetimin administrativ të sinjalizimeve dhe mbrojtjen e sinjalizuesve.
2. ILDKPKI-ja publikon çdo vit raport për zbatimin e këtij ligji. Në këtë informacion
përfshihen numri i rasteve të sinjalizuara, rezultatet e rasteve, shkalla e ndërgjegjësimit dhe
besimit te mekanizmat e sinjalizimit nga publiku, koha e përcaktuar për shqyrtimin e rasteve
dhe zbatimin e mekanizmave të mbrojtjes nga hakmarrja.
10
KREU VII
SHKELJET DHE MASAT ADMINISTRATIVE
Neni 23
Kundërvajtje dhe masa administrative
1. Shkelja e dispozitave të këtij ligji, kur nuk përbën vepër penale, përbën kundërvajtje
administrative dhe dënohet me gjobë si më poshtë:
a) moscaktimi i njësisë përgjegjëse nga organizata, në përputhje me pikën 1, të nenit 10,
të këtij ligji, dënohet me gjobë 100 000 lekë;
b) çdo veprim hakmarrjeje ndaj sinjalizuesit, të marrë nga organizata sipas nenit 18, të
këtij ligji, përfshirë refuzimin për të vepruar sipas pikës 3, të nenit 18, të këtij ligji, dënohet
me gjobë nga 300 000 lekë deri në 500 000 lekë;
c) shkelja e parimeve të hetimit të sinjalizimit nga punonjësi, sipas shkronjave “a”, “b”,
“c” dhe “ç”, të pikës 1, të nenit 12, të këtij ligji, dënohet me gjobë nga 100 000 deri në 300
000 lekë;
ç) shkelja e detyrimit për ruajtjen e konfidencialitetit, sipas nenit 15, të këtij ligji,
dënohet me gjobë nga 150 000 deri në 300 000 lekë;
d) mosfillimi i hetimit ose përfundimi i hetimit administrativ nga punonjësi, në
kundërshtim me nenin 14, të këtij ligji, dënohet me gjobë nga 100 000 deri në 300 000 lekë.
2. ILDKPKI-ja ka të drejtë të konstatojë kundërvajtjet dhe të vendosë gjobën. Kundër
vendimit të ILDKPKI-së mund të bëhet ankim, sipas ligjit për kundërvajtjet administrative.
3. Të ardhurat nga gjobat kalojnë në Buxhetin e Shtetit.
KREU VIII
DISPOZITA KALIMTARE DHE TË FUNDIT
Neni 24
Nxjerrja e akteve nënligjore
1. Ngarkohet ILDKPKI-ja që, brenda dy muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të nxjerrë
aktet nënligjore në zbatim të pikës 3, të nenit 10; pikës 10, të nenit 13; pikës 8, të nenit 19;
dhe shkronjës “a”, të nenit 21, të këtij ligji.
2. Ngarkohet Këshilli i Ministrave që, brenda dy muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të
nxjerrë aktet nënligjore në zbatim të pikës 3, të nenit 10, të këtij ligji.
3. Ngarkohet Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave
Personale që, brenda dy muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të nxjerrë aktet nënligjore në
zbatim të pikës 3, të nenit 16, të këtij ligji.
4. Ngarkohen subjektet private dhe autoritetet publike, në përputhje me udhëzimet e
ILDKPKI-së, që, brenda gjashtë muajve nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji, të miratojnë
rregulloren e parashikuar në nenin 13, pika 10, të këtij ligji.
11
Neni 25
Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare dhe i shtrin efektet juridike prej
datës 1 tetor 2016, me përjashtim të detyrimeve të përcaktuara në nenin 10, të këtij ligji, për
sinjalizimin e brendshëm për subjektet private, që fillojnë të zbatohen nga data 1 korrik 2017.
K R Y E T A R I
Ilir META
Miratuar në datën 2.6.2016