Ligj nr 55/2012

PËR DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR. 9235, DATË 29.7.2004 “PËR KTHIMIN DHE KOMPENSIMIN E PRONËS”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të neneve 78 dhe 83 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,

 KUVENDI I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË VENDOSI:

Në ligjin nr. 9235, datë 29.7.2004 “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

Neni 1

Në nenin 3, pas pikës 6 shtohet pika 7 me këtë përmbajtje:

“7. “Standarde ndërkombëtare të vlerësimit” nënkupton standardet e miratuara nga Shoqata Ndërkombëtare e Vlerësuesve të Pasurive të Paluajtshme.”.

Neni 2

Neni 13 ndryshohet si më poshtë:

“Neni 13

Vlerësimi i pronës

1. Vlera e pronës që kompensohet nxirret bazuar në çmimin e tregut, llojin e pasurisë dhe qëllimin e përdorimit të saj, sipas standardeve ndërkombëtare të vlerësimit të pasurisë së paluajtshme.

2. Procesit të vlerësimit të pronës, sipas përcaktimit të pikës 1 të këtij neni, i nënshtrohen:

a) toka;

b) objektet ndërtimore.

Në kategorinë e tokës përfshihen toka bujqësore, toka pyjore, pyjet, livadhet dhe kullotat, tokat e pafrytshme, si dhe trualli, pavarësisht masës dhe qëllimit publik apo privat të përdorimit të tij. Në kategorinë e objekteve ndërtimore përfshihen ndërtesat dhe strukturat inxhinierike, që e gëzojnë këtë cilësi sipas legjislacionit në fuqi. Treguesit bazë të vlerës së pronës caktohen të veçanta për tokën dhe objektet ndërtimore. Kur një pronë është bashkim i tokës me objektin ndërtimor, vlera e saj nxirret për njësi, si shumë e vlerave të objektit ndërtimor dhe të tokës mbi të cilën ai ngrihet.

3. Metodologjia për vlerësimin e pronës, sipas kritereve të përcaktuara në pikën 1 të këtij neni, miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave.

4. Baza e të dhënave shtetërore të vlerësimit të pasurive të paluajtshme krijohet me vendim të Këshillit të Ministrave, në të cilin përcaktohen:

a) institucioni administrues i bazës së të dhënave shtetërore;

b) të dhënat parësore dhe dytësore;

c) dhënësin/dhënësit e informacionit;

ç) ndërveprimi me bazat e tjera të të dhënave;

d) niveli i aksesimit për subjektet e interesuara.”.

Neni 3

Në nenin 24 data “31.12.2011” zëvendësohet me datën “30.4.2014”.

Neni 4

Në nenin 28 data “31.12.2011” zëvendësohet me datën “30.4.2014”.

Neni 5

Pas nenit 28/3 shtohet neni 28/4 me këtë përmbajtje:

“Neni 28/4

Koordinimi i procesit të kthimit dhe kompensimit të pronës

1. Ministria e Drejtësisë, në funksion të procesit të njohjes, kthimit dhe kompensimit të pronës, bashkërendon veprimtaritë e Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Agjencisë së Legalizimit dhe Urbanizimit të Zonave dhe Ndërtimeve Informale, Drejtorisë së Administrimit të Shitjes së Pronës Publike, Komisionit Qeveritar të Tokës, Avokaturës së Shtetit, si dhe të çdo institucioni tjetër, veprimtaria e të cilit lidhet apo ka përgjegjësi mbi këtë proces. Çdo institucion shtetëror, veprimtaria e të cilit lidhet apo ka përgjegjësi mbi procesin e njohjes, kthimit dhe kompensimit të pronës, është i detyruar të bashkëpunojë dhe të sigurojë informacionin apo dokumentacionin e kërkuar nga Ministria e Drejtësisë, si dhe të raportojë arsyet e mospërmbushjes së një mase apo rekomandimi të kërkuar.

2. Ministria e Drejtësisë i ushtron këto përgjegjësi nëpërmjet Drejtorisë së Koordinimit, e cila:

a) përgatit rekomandime për masat ligjore dhe organizative mbi çështjet e të drejtave të pronësisë, duke mbikëqyrur procesin e njohjes, kthimit dhe kompensimit të pronave, si dhe procesin e zbatimit të masave strategjike të miratuara;

b) harton programe, analiza tekniko-ligjore, studime për efektivitetin dhe ndërmarrjen e masave të nevojshme ligjore dhe ekzekutive për mbrojtjen e të drejtave të pronësisë;

c) mbështet, bashkëpunon dhe bashkërendon punët e saj me institucionet e tjera shtetërore, të përfshira në procesin e njohjes, kthimit dhe kompensimit të pronave;

ç) kujdeset për grumbullimin, përpunimin dhe transmetimin e ndërsjellë të informacionit dhe dokumentacionit midis institucioneve të tjera shtetërore për përditësimin e të dhënave të tyre në funksion të procesit të njohjes, kthimit dhe kompensimit të pronës;

d) ndjek dhe realizon çdo detyrë tjetër të përcaktuar në aktet ligjore dhe nënligjore.

3. Këshilli i Ministrave, me vendim, cakton rregulla të hollësishme për procedurën e bashkëpunimit dhe të bashkërendimit të veprimtarisë së Ministrisë së Drejtësisë me institucionet e tjera shtetërore.

4. Struktura dhe organika e Drejtorisë së Koordinimit është pjesë e strukturës dhe organikës së Ministrisë së Drejtësisë, që miratohet nga Kryeministri, me propozim të Ministrit të Drejtësisë. Rregulla të hollësishme për ushtrimin e veprimtarive nga Drejtoria e Koordinimit përcaktohen në rregulloren e brendshme të Ministrisë së Drejtësisë.”.

Neni 6

Dispozitë kalimtare

1. Çdo dispozitë ligjore dhe çdo vendim në zbatim të saj, që rregullon vlerësimin e pronës që i kompensohet subjekteve të shpronësuara, shfuqizohet.

2. Vlerësimi i pronës që i kompensohet subjekteve të shpronësuara, deri në miratimin e akteve nënligjore për vlerësimin e pronës, sipas këtij ligji, rregullohet sipas dispozitave të mëparshme.

3. Ngarkohet Këshilli i Ministrave për nxjerrjen e akteve nënligjore në zbatim të këtij ligji, brenda 3 muajve nga hyrja në fuqi e tij.

Neni 7

Hyrja në fuqi

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.

Miratuar në datën 10.5.2012

Shpallur me dekretin nr. 7495, datë 24.5.2012 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë,

Bamir Topi