Ligji i ri për pronat, Ministri Manjani merr pjesë në Komisionin e Ligjeve

Në mbledhjen e sotme të Komisionit të Ligjeve u diskutua mes të tjerash propozimi i projektligjit për trajtimin dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave, si një iniciativë e qeverisë.

Në mbledhjen e sotme, ishte i pranishëm Ministri i Drejtësisë, z. Ylli Manjani, i shoqëruar nga Zv/Ministri i Drejtësisë, z. Idlir Peçi dhe Drejtoresha e Agjencisë për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave, znj. Sonila Qato.

Gjatë fjalës së tij, Ministri theksoi se situata aktuale e kthimit dhe kompensimit të pronave nis që nga ligji 7501 dhe se, megjithë përpjekjet pozitive të të gjitha qeverive të mëparshme, situata mbetet ende shumë kritike.

“Çështja e pronave është temë fondamentale që trajton njëkohësisht një interes publik madhor, të përbashkët, për të patur një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm dhe që nis nga reforma e pronave, por prek gjithashtu edhe interesa private, personale, të lirive dhe të drejtave themelore të njeriut, që duhen trajtuar dhe vendosur në një harmoni më të mirë. Ky proces që ju po ndërmerrni vetëm do të kontribuojë për mirë. Me këtë bazë ligjore që kemi nuk është e sigurt që garantohet e drejta e kthimit dhe kompensimit të pronës dhe do na duhej një proces shumë e gjatë, e barazvlefshme me 4000 vite, pasi me këtë ritëm të kompensimit të pronave që ne kemi, me 1600 hektarë në vit, nuk mund të arrijmë të plotësojmë të gjitha kërkesat. Për këtë arsye, qeveria ka vendosur që ta trajtojë këtë çështje siç duhet, edhe pse nuk insistoj që kjo është formula më e mira, pasi presim edhe procesin e hapur që duhet ta bëjë ky komision. Megjithatë ne mendojmë se formula reale e kompensimit fizik dhe financiar është kjo që ne kemi paraqitur në projektligj.”- theksoi në fjalën e tij z. Manjani.

Më tej, Ministri u ndal në aspektin kushtetues të trajtimit të debatit të pronave, ku sipas tij ekziston një përplasje ligjore.

“Parimi kushtetues i sigurisë juridike të së drejtës së dhënë me ligj, por edhe me eficencën e të drejtës së dhënë. Por kur një e drejtë nuk zbatohet, ajo nuk ka vlerë. Këto dy parime duhet të vihen në balancë për të arritur një konkluzion të arsyeshëm. Kemi dy rrugë: të mbajmë kriteret e sotme që janë një lloj “liste dëshirash”, por që nuk garantojnë asgjë për zgjidhjen e çështjes. Nga ana tjetër, le të mendojmë një skemë realiste dhe këtë bën ky ligj, e konsideron gjithçka si vlerë. Formula e kompensimit që ne propozojmë është e përbërë nga tre komponentë: së pari, merr parasysh çastin e shpronësimi, në kuptimin e vlerësimit se çfarë ka qenë kjo pronë; së dyti, vlerën e shtuar të pronës në vite; së treti, kriteri tek harta e referencës në hartën e vlerës së shpronësimit. Kjo është një hartë sipas termave të referencës së shtetit.”- shpjegoi më tej Ministri.

Gjithashtu, Ministri Manjani informoi se projektligji propozon që 26 mijë vendimet e regjistruara që gjenden sot të kalojnë në një raport vlerësimi gjatë tre viteve në vazhdim.

“Një fond i ngrirë prej 50 miliardë Lekësh do të jetë në dispozicion të këtij procesi. Kjo temë e tejkalon debatin politik ndaj duhet zgjidhur me një formulë të përbashkët”, theksoi z. Manjani.