Misioni

Agjencia e Trajtimit të Pronave është krijuar si institucion në varësi të Ministrisë së Drejtësisë, për të zbatuar Ligjin Nr. 133/2015 “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”, i ndryshuar, si dhe aktet nënligjore VKM nr.221/2016; VKM nr.222/2016, e ndryshuar me VKM nr.765/ 2017 dhe VKM 312/2023; VKM nr.223/2016 të ndryshuar me VKM nr.766/2017, VKM nr.1114/2020 dhe VKM 313/2023.

Me hyrjen në fuqi të Ligjit Nr. 133/2015, u shfuqizua Ligji Nr. 9235/2004 dhe u hodhën bazat për zgjidhjen përfundimtare të procesit të shpërblimit të ish-pronarëve të shpronësuar gjatë regjimit komunist, duke eliminuar me ligj dhe në praktikë zvarritjet burokratike, si dhe për të sjellë barazi tek të gjithë ish-pronarët, të cilëve u është njohur prona për kompensim, me qëllim realizimin e një shpërblimi të drejtë, sipas kushteve ekonomike e sociale të shtetit.

Në ushtrimin e veprimtarisë së saj, Agjencia e Trajtimit të Pronave ka për qëllim përfundimin e procesit të njohjes së pronësisë dhe kthimit apo kompensimit sipas rastit, si dhe përfundimin e procesit të kompensimit përmes ekzekutimit të të gjitha vendimeve të miratuara për kompensim brenda 10 viteve.

Agjencia e Trajtimit të Pronave, ka si mision ofrimin direkt të shërbimeve publike, nëpërmjet:

  • Shqyrtimit të kërkesave të subjekteve të shpronësuara, për trajtimin e pronës, për të cilat nuk është marrë një vendimin, nëpërmjet njohjes dhe kompensimit të pronave të subjekteve, prona këto të cilët janë shpronësuar, shtetëzuar ose konfiskuar sipas akteve nënligjore, vendimeve penale të gjykatave ose të marra me çdo mënyrë tjetër të padrejtë nga shteti komunist prej datës 29.11.1944;
  • Shqyrtimit e vlerësimit të kërkesave për përfitimin e së drejtës së njohur për kompensim, rregullimin dhe shpërblimin e drejtë të kompensimit të pronës, ekzekutimin e vendimeve përfundimtare të kompensimit, si dhe përfundimin e procesit të kompensimit, brenda afateve të përcaktuara në ligj, nëpërmjet fondit të kompensimit.
  • Si dhe detyra e shërbime të tjera të ngarkuara me akte ligjore dhe nënligjore në fuqi.

Në kuadër të rekomandimeve të dhëna nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ) në vendimin “Beshiri k. Shqipërisë (nr. 29026/06) dhe 11 kërkesa të tjera”, si dhe Vendimit nr. 4, datë 15.02.2021 të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, u hartuan ndryshime në ligjin nr. 133/2015, datë 5.12.2015 “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”

Ligji nr. 77/2022, datë 17.1.2022 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 133/2015 “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”, u botua në Fletoren Zyrtare nr. 168, datë 15.12.2022 dhe hyri në fuqi 15 ditë pas botimit. Risitë e sjella nga ky ligj janë:

  • Kthimi pa kufizim i pronës së lirë.
  • Vendosja e pragut minimal 10% të vlerës së pronës kur zëri kadastral i pronës së njohur për kompensim ka ndryshuar.
  • Indeksimi i shumës deri në ekzekutimin e vendimit të kompensimit.
  • Rregullat dhe procedurat e shpërndarjes së fondit të kompensimit dhe rendi prioritar i formave të kompensimit përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
  • Garanci e shtuar në lidhje me fondin fizik për kompensimin e pronave.
  • Rivendosja e juridiksionit administrativ për shqyrtimin e kërkesave për njohje pronësie (deri në 31.12.2024).
  • Rivendosja e juridiksionit administrativ për vlerësimin financiar të vendimeve përfundimtare me të drejtë kompensimi (deri në 31.12.2024).

Këto ndryshime kanë për qëllim rregullimin e kuadrit ligjor duke garantuar një shpërblim të drejtë të pronës për subjektet e shpronësuara dhe në veçanti për subjektet për të cilat zëri kadastral ka ndryshuar. Masa e kompensimit duhet të respektojë një nivel të caktuar, me qëllim që të mos cënojë të drejtën e pronës private.