NJ O F T I M
PËR SHPËRNDARJE FONDI FIZIK DHE FINANCIAR PËR KOMPENSIMIN E PRONAVE,
Agjencia e Trajtimit të Pronave (ATP) njofton se, më datë 13.12.2024, ka përfunduar procesin e shqyrtimit administrativ të disa aplikimeve për kompensim 100% financiar, me kërkesë të veçantë, si dhe aplikimeve për kompensim financiar e fizik, të paraqitura nga subjektet e interesuar, të cilët diponojnë vendime përfundimtare që u kanë njohur të drejtën e kompensimit të pronës.
Procesi i shqyrtimit administrativ të këtyre kërkesave/aplikimeve dhe i shpërndarjes së fondit financiar të kompensimit që ato përfitojnë, bazohet në ligjin nr.133/2015 “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave” të ndryshuar, si dhe VKM nr. 223, datë 23.03.2016 “Për përcaktimin e rregullave dhe procedurave për vlerësimin dhe ekzekutimin e vendimeve përfundimtare të kompensimit të pronës dhe shpërndarjen e fondit financiar e fizik për kompensimin e pronave”, të ndryshuar, si dhe në VKM nr. 221, datë 23.03.2016 “Për mënyrën e organizimit dhe të funksionimit të Agjencisë së Trajtimit të Pronës”.
Aktualisht ka përfunduar shqyrtimi administrativ i 8 (tetë) aplikimeve për kompensim, nga të cilat :
- Për 6 (gjashtë) aplikime për kompensim financiar me kërkesë të veçantë, ATP ka miratuar me vendim pranimin e këtyre kërkesave/aplikimeve, pasi kanë rezultuar të jenë në përputhje të plotë me kriteret e përcaktuara në nenin 17, pika 2, të ligjit nr.133/2015 “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”, të ndryshuar, në Kreun IV të VKM nr. 223, datë 23.03.2016 “Për përcaktimin e rregullave dhe procedurave për vlerësimin dhe ekzekutimin e vendimeve përfundimtare të kompensimit të pronës dhe shpërndarjen e fondit financiar e fizik për kompensimin e pronave”, të ndryshuar.
Fondi financiar, i vënë në dispozicion nga Buxheti i Shtetit, që ATP do të shpërndajë në total për subjektet përfitues të 6 (gjashtë) aplikimeve sipas kërkesave të tyre, është në vlerën 153 809 787,2 (njëqind e pesëdhjetë e tre milion e tetëqind e nëntë mijë e shtatëqind e tetëdhjetë e shtatë presje dy) lekë, të cilat do të lëvrohen menjëherë në llogaritë bankare të subjekteve përfitues si këst i parë, ndërsa pjesa tjetër do të lëvrohet me këste çdo fillim viti buxhetor, bazuar në mënyrën e përfitimit të kompensimit, për të cilën kanë aplikuar subjektet.
Njëkohësisht bëjmë me dije se, nga përfundimi i trajtimit të këtyre 6 (gjashtë) aplikimeve për kompensim financiar me kërkesë të veçantë, Buxhetit të Shtetit i kursehet në total një fond në vlerën 284 514 680,8 (dyqind e tetëdhjetë e katër million pesëqind e katërmbëdhjetë mijë e gjashtëqind e tetëdhjetë presje tetë) lekë.
- Për 2 (dy) aplikime për kompensim 100% financiar, ATP ka miratuar me vendim pranimin e këtyre kërkesave/aplikimeve, pasi kanë rezultuar të jenë në përputhje të plotë me kriteret e përcaktuara në kërkesat e ligjit nr. 133/2015 “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”, të ndryshuar, dhe kriteret e përcaktuara në Kreun III, pikat 16/6 gërma “c”, 16/7 dhe 21/1 të VKM nr. 223, datë 23.03.2016 “Për përcaktimin e rregullave dhe procedurave për vlerësimin dhe ekzekutimin e vendimeve përfundimtare të kompensimit të pronës dhe shpërndarjen e fondit financiar e fizik për kompensimin e pronave”, të ndryshuar.
Fondi financiar, i vënë në dispozicion nga Buxheti i Shtetit, që ATP do të shpërndajë në total për subjektet përfitues të 2 (dy) aplikimeve sipas kërkesave të tyre, është në vlerën 1 255 488,92 (një milion e dyqind e pesëdhjetë e pesë mijë e katërqind e tetëdhjetë e tetë presje nëntëdhjetë e dy) lekë, të cilat do të lëvrohen menjëherë në llogaritë bankare të subjekteve përfitues
Të dhënat në lidhje me vendimet e subjekteve të shpronësuara që përfitojnë dhe përfaqësuesit me prokurë të tyre, jepen në listat bashkëlidhur këtij njoftimi.
Agjencia e Trajtimit të Pronave (ATP) njofton subjektet e interesuara se kësti përkatës për secilin përfitues do të jetë disponibël në llogaritë e tyre në bankat e nivelit të dytë pas përfundimit të procedurave të transfertave bankare në ditët në vazhdim.
DREJTOR I PËRGJITHSHËM
ERION ÇAKA