Njoftim 08/04/2014

Referuar artikujve të kohëve të fundit në shtypin e shkruar, kërkojmë të sqarojmë të gjithë qytetarët se Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave (AKKP), ka nxjerrë një njoftim publik pranë zyrave të saj dhe në faqen web të AKKP-së për të ftuar të gjithë subjektet të cilët kanë aplikuar pranë ish Sektorit të vlerësimit paraprak për tu paraqitur me qëllim plotësim dokumentacioni apo sqarime eventuale për praktikat e depozituara nga ana e tyre në këtë sektor. Për të realizuar këtë qëllim, Agjencia ka përcaktuar një afat 1 mujor për plotësim dokumentacioni të gjithë subjekteve të cilët kanë depozituar kërkesat e tyre, theksojmë pranë Sektorit të Vlerësimit Paraprak. Qytetarët të cilët nuk kanë pasur mundësi të paraqiten gjatë muajit prill në Agjenci janë të lirë të paraqiten nga e hëna në të premte, gjatë orarit 9:00 – 12:00.

Me riorganizimin e ri të Agjencisë dhe ndryshimin e strukturës organike, Sektori i Vlerësimit Paraprak nuk ekziston më, ndaj praktikat e këtij sektori kanë kaluar për shqyrtim të mëtejshëm në sektorët e shqyrtimit sipas qarqeve përkatëse. Për këtë arsye është kërkuar që të gjithë subjektet që kanë depozituar praktika në këtë sektor të paraqiten për plotësimin e dokumentacionit ose sqarimet përkatëse për ecurinë e dosjes nga nënpunësit e autorizuar të Agjencisë.