Postuar më: 17/02/2017

Njoftim 17/02/2017

Për shpërndarjen e fondit të kompensimit në vlerë për pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimet informale

 Agjencia e Trajtimit të Pronës njofton se, më datë 17.02.2017, ka përfunduar procesi i shqyrtimit të disa kërkesave të pronarëve, pasuria e të cilëve është prekur nga ndërtimet informale dhe që deri më tani përfitojnë kompensimin/shpërblimin e saj deri në masën 70% të shumës së përgjithshme në të holla, të miratuar me Vendimet përkatëse të Këshillit të Ministrave.

Procesi i shqyrtimit të këtyre kërkesave dhe i shpërndarjes së fondit të kompensimit është bazuar në ligjin nr.9482, datë 03.04.2006 “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, i ndryshuar, në Vendimin e Këshillit të Ministrave nr.383, datë 19.05.2010 “Për përcaktimin e procedurave të shpërndarjes së fondit të kompensimit në vlerë për pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimet informale”, i ndryshuar, dhe në vendimet përkatëse të Këshillit të Ministrave, në të cilët është përcaktuar masa e shpërblimit për secilin pronar.

Në përfundim të këtij procesi, për 88 (tetëdhjetë e tetë) kërkesatë depozituara në Agjencinë e Trajtimit të Pronës është shpërndarë kësti i parë, i dytë, i tretë, i katërt dhe i pestë (në total 70% të vlerës totale të miratuar me VKM-të përkatëse) dhe për 1 (një) kërkesë të depozituar në Agjencinë e Trajtimit të Pronës është shpërndarë kësti i pestë (në total 13% të vlerës totale të miratuar me VKM-të përkatëse), në shumën e përgjithshme prej 183 173 465,6 (njëqind e tetëdhjetë e tre milion e njëqind e shtatëdhjetë e tre  mijë e katërqind e gjashtëdhjetë e pesë presje gjashtë) lekë

Të dhënat në lidhje me pasuritë që kompensohen dhe mbi gjeneralitetet e subjekteve përfitues jepen në listën që shoqëron këtë njoftim. <<Shiko>>

Agjencia e Trajtimit të Pronës njofton subjektet e interesuara se vlerat përkatëse për secilin përfitues do të jenë disponibël në llogaritë e tyre bankare në ditët në vazhdim.

 

 

Drejtor i Përgjithshëm

Sonila QATO

© Agjencia e Trajtimit të Pronave 2022 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.