Me hyrjen në fuqi të ligjit nr. 133/2015 për “Trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave” dhe vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 223 datë 23.03.2016
për “Përcaktimin e rregullave dhe të procedurave për vlerësimin dhe shpërndarjen e fondit financiar e fizik për kompensimin e pronave” (i ndryshuar), Agjencia e Trajtimit të Pronave (ATP) ka vijuar punën për vlerësimin financiar të vendimeve përfundimtare, që kanë njohur të drejtën e kompensimit për vitet 1993 dhe 1994, duke i përditësuar dhe publikuar vazhdimisht ato në faqen zyrtare të internetit www.atp.gov.al dhe në Buletinin e Njoftimeve Zyrtare.
ATP njofton se, aktualisht ka përfunduar shqyrtimin edhe për 33 (tridhjetë e tre) aplikime të tjera, me objekt kompensimin financiar, për pronën e njohur me vendimet e ish KKKP-ve. Shuma totale që do të shpërndahet është 283 569 416 (dyqind e tetëdhjetë e tre milion e pesëqind e gjashtëdhjetë e nëntë mijë e katërqind e gjashtëmbëdhjetë) lekë, fond i cili do të mbulohet nga Buxheti i shtetit.
Shqyrtimi dhe vlerësimi i këtyre aplikimeve është bërë sipas të gjitha kritereve të përcaktuar në ligjin nr. 133/2015 për “Trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave” dhe VKM-në nr. 223 datë 23.03.2016 për “Përcaktimin e rregullave dhe të procedurave për vlerësimin dhe shpërndarjen e fondit financiar e fizik për kompensimin e pronave” (i ndryshuar).
Sqarojmë se për subjektet e tjerë të cilët kanë aplikuar apo do të aplikojnë pranë ATP-së, procesi i aplikimit dhe ekzekutimit të vendimeve përfundimtare për kompensim është një proces i vazhdueshëm. Në vijim, të gjithë subjektet të cilët kanë aplikuar apo do të aplikojnë për ekzekutimin e vendimit që ka njohur të drejtën e kompensimit, për vendimet të cilët janë vlerësuar financiarisht, do të trajtohen me kompensim duke respektuar parimin e rendit kronologjik të vendimmarrjes më të hershme në kohë.
Gjithashtu i ftojmë të gjithë subjektet që kanë aplikuar apo do të aplikojnë për ekzekutimin e vendimeve të vlerësuara financiarisht që kanë njohur të drejtën e kompensimit, që të paraqiten pranë zyrave të ATP-së për të aplikuar dhe plotësuar dokumentat konform VKM-së nr. 223 datë 23.03.2016 për “Përcaktimin e rregullave dhe të procedurave për vlerësimin dhe shpërndarjen e fondit financiar e fizik për kompensimin e pronave” (i ndryshuar) në momentin e aplikimit pranë zyrave të ATP-së.
Bashkëlidhur lista e subjekteve përfituese. ——Lista e subjekteve per kompensimin financiar——-
Drejtor i Përgjithshëm
Sonila QATO