Njoftim Për Shtyp 09/05/2011

Mbi kompensimin apo shpërblimin e pronarëve që preken nga ndërtimet informale (nga fondi i ALUIZNI-t) Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave njofton se më datë 06.05.2011, ka përfunduar procesi i shqyrtimit, të grupit të katërt të kërkesave të pronarëve, pasuria e të cilëve

 është prekur nga ndërtimet informale dhe që përfitojnë kompensimin apo shpërblimin e saj me këste. Këto kërkesa përfitojnë nga kësti i parë dhe i dytë i shpërblimit (kompensimi) dhe sëbashku këto këste janë në masën prej 37 % të shumës së përgjithshme në të holla, të miratuar me vendimet përkatëse të Këshillit të Ministrave.

Procesi i shqyrtimit të këtyre kërkesave dhe i shpërndarjes së fondit të kompensimit është bazuar në ligjin nr. 9482, datë 03.04.2006 “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje” të ndryshuar, ligjin nr. 10239, datë 25.02.2010 “Për krijimin e fondit special të kompensimit të pronave”, në vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 383, datë 19.05.2010 “Për përcaktimin e procedurave të shpërndarjes së fondit të kompensimit në vlerë për pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimet informale” të ndryshuar dhe në vendimet përkatës të Këshillit të Ministrave, në të cilët është përcaktuar masa e shpërblimit për secilin pronar.

Në përfundim të këtij procesi, kësti i parë dhe i dytë i kompensimit është shpërndarë për 49 kërkesa të depozituara rishtaz në Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Nga ky proces rezulton se përfitojnë një numër prej 92 pronarësh apo bashkëpronarësh, në shumën e përgjithshme prej 56 862 184,47 (pesëdhjetë e gjashtë milion e tetëqind e gjashtëdhjetë e dymijë e njëqind e tetëdhjetë e katër pikë dyzet e shtatë) lek. Të dhëna në lidhje me pasuritë që kompensohen dhe mbi gjeneralitetet e subjekteve përfitues jepen në listën që shoqëron këtë njoftim për shtyp.

Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave njofton subjektet e interesuara se vlerat përkatëse për secilin përfitues do të jenë disponibël në llogaritë e tyre bankare të depozituara në AKKP duke filluar nga dita e hënë, datë 09.05.2011.

Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave me këtë rast falenderon të gjithë subjektet aplikuese dhe institucionet shtetërore për bashkëpunimin dhe mirëkuptimin e shfaqur për përmbylljen në afat të procesit.

Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave njofton të gjithë subjektet e interesuara, pasuria e të cilëve është prekur nga ndërtimet informale dhe emrat e të cilëve janë miratuar me vendimin e fundit të Këshillit të Ministrave nr. 120, datë 17.02.2011 “Për shpërblimin e pronarëve dhe për sipërfaqet takuese të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimet informale”, se së shpejti do të fillojë procesi i aplikimit për shpërndarjen e fondit të kompensimit sipas kësaj VKM-je.

Dokument bashkelidhur: Lista e Perfituesve

DREJTORI I PËRGJITHSHËM
ELVIS ÇEFA