Në mbështetje të VKM nr. 383, datë 19.05.2010 “Për përcaktimin e procedurave të shpërndarjes së fondit të kompensimit në vlerë për pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimet informale”, të ndryshuar Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave njofton:
Rifillimin e procesit të pranimit të kërkesave për shpërndarjen e këstit të parë, dytë dhe të tretë për kompensimin e pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimet informale. Procesi i pranimit të kërkesave të përfituesve nga ky fond do të fillojë më datë 17.09.2012 dhe nuk do të jetë i kushtëzuar apo limituar në afat.
Me këtë rast AKKP fton të gjithë subjektet e interesuara, emrat e të cilëve janë miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave nr. 514, datë 01.08.2012 të paraqiten pranë zyrave tona për dorëzimin e kërkesës për kompensim.
AKKP ka ngritur grupin e punës i cili do të kryejë pranimin dhe regjistrimin e kërkesave të subjekteve të interesuara. Të gjithë subjektet e interesuara do të paraqiten në Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, me adresë Rruga “Muhamet Gjollesha”, pranë Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit, Nr. 54, Tiranë.
Të dhënat e subjekteve përfitues janë të evidentuara në listat që i bashkëlidhen këtij njoftimi sipas vendimeve të Këshillit të Ministrave ku përcaktohet shpërblimi i pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimet informale të miratuara deri më tani.
Aplikuesit kanë detyrimin të paguajnë tarifën e shërbimit në vlerën prej 2 000 (dymijë) lekë dhe gjithashtu të hapin në emër dhe për llogari të tyre, një llogari bankare në njërën nga bankat e nivelit të dytë.
Subjekti apo përfaqësuesi i tij me prokurë duhet të paraqesë pranë AKKP-së Tiranë dokumentacionin e mëposhtëm:
1. Kërkesën tip që i vihet në dispozicion nga grupi i punës pranë AKKP-së, të plotësuar sipas rubrikave.
2. Dëshminë e trashëgimisë për të gjithë trashëgimtarët e ligjshëm të subjektit përfitues, sipas radhës së trashëgimtarëve, në përputhje me përcaktimet e Kodit Civil. Për dëshmitë e trashëgimive të lëshuara nga gjykata për testamentin e bërë me akt noterial të sillet çertifikatë familjare e personit për të cilin është lëshuar kjo dëshmi; (Në rast se subjekti përfitues ka vdekur).
3. Prokurën e posaçme, të nënshkruar nga të gjithë subjektet që përfitojnë kompensim, ku si tagër i nevojshëm të jetë edhe e drejta për të tërhequr vlerën financiare, në emër të tyre. Në rastet kur nuk është e mundur të dorëzohet prokura e posaçme, secili bashkëpronar apo një pjesë e tyre, paraqesin kërkesë individuale apo të përbashkët, për pjesën takuese në pronën që kompensohet. Në rastin e kërkesave individuale të secilit bashkëpronarë apo të një pjese të tyre, për çdo aplikim të kryer, paguhet tarifë shërbimi në vlerën 2 000 (dymijë) lekë, pavarësisht se i përket të njëjtës pasuri të paluajtshme;
4. Vërtetimin e lëshuar nga banka e nivelit të dytë për hapjen e llogarisë bankare dhe IBAN-in përkatës;
5. Fotokopjen e dokumentit të identifikimit;
6. Çertifikatën familjare të kërkuesit/aplikuesit;
7. Mandat pagesën për shumën 2 000 (dymijë) lekë për çdo aplikim të veçantë.
Subjektet përfituese, këkresa e të cilëve nuk është pranuar për mungesë dokumentacioni gjatë procedurave të mëparshme, kanë të drejtë të riaplikojnë. Këto subjekte nuk paguajnë tarifë shërbimi, nëse provojnë pagimin e saj gjatë aplikimit të mëparshëm.
DREJTORI I PËRGJITHSHËM
AVENIR PEKA