Mbi kompensimin apo shpërblimin e pronarëve që preken nga ndërtimet informale (nga fondi i ALUIZNI-t) Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave njofton se më datë 18.11.2011, ka përfunduar procesi i shqyrtimit, të grupit të pestë të kërkesave të pronarëve, pasuria e të cilëve është prekur nga ndërtimet informale dhe që përfitojnë kompensimin apo shpërblimin e saj me këste.
Këto kërkesa përfitojnë nga kësti i parë dhe i dytë i shpërblimit (kompensimi) dhe sëbashku këto këste janë në masën prej 36.94 % të shumës së përgjithshme në të holla, të miratuar me vendimet përkatëse të Këshillit të Ministrave.
Procesi i shqyrtimit të këtyre kërkesave dhe i shpërndarjes së fondit të kompensimit është bazuar në ligjin nr. 9482, datë 03.04.2006 “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje” të ndryshuar, ligjin nr. 10239, datë 25.02.2010 “Për krijimin e fondit special të kompensimit të pronave”, në vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 383, datë 19.05.2010 “Për përcaktimin e procedurave të shpërndarjes së fondit të kompensimit në vlerë për pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimet informale” të ndryshuar dhe në vendimet përkatës të Këshillit të Ministrave, në të cilët është përcaktuar masa e shpërblimit për secilin pronar.
Në përfundim të këtij procesi, kësti i parë dhe i dytë i kompensimit është shpërndarë për 43 kërkesa të depozituara rishtaz në Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Nga ky proces rezulton se përfitojnë një numër prej 100 pronarësh apo bashkëpronarësh, në shumën e përgjithshme prej 117,864,528.14 (njëqind e shtatëmbëdhjetë million e tetëqind e gjashtëdhjetë e katër mijë e pesëqind e njëzetë e tetë pike katërmbëdhjetë) lekë. Të dhëna në lidhje me pasuritë që kompensohen dhe mbi gjeneralitetet e subjekteve përfitues jepen në listën që shoqëron këtë njoftim për shtyp.
Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave njofton subjektet e interesuara se vlerat përkatëse për secilin përfitues do të jenë disponibël në llogaritë e tyre bankare të depozituara në AKKP gjatë javës në vazhdim.
Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave me këtë rast falenderon të gjithë subjektet aplikuese dhe institucionet shtetërore për bashkëpunimin dhe mirëkuptimin e shfaqur për përmbylljen në afat të procesit.
DREJTOR I PËRGJITHSHËM
ELVIS ÇEFA