NJOFTIM PËR SHTYP

Agjencia e Trajtimi të Pronave, me anë të kësaj deklarate publike ju bën me dije se më datë 13.02.2024, Gjykata Kushtetuese vendosi “Rrëzimin e kërkesës së Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, për shfuqizimin i pikës 2 të nenit 1 dhe pikave 1, 2 dhe 5 të nenit 2 të ligjit nr. 77/2022, datë 17.11.2022 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 133/2015 “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”, si të papajtueshme me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë ….”.

Gjykata Kushtetuese vlerësoi se skema e re e përdorur nga ligji nr.77/2022 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin 133/2015 “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”, dhe aktet ligjore të dala në zbatim të tij, konsiderohen të pranueshme referuar parimeve të aplikuara nga nenet 17 dhe 41 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe neni 1 i Protokollit 1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

 

Ndryshimet e miratuara me ligjin nr. 77/2022 erdhën si rezultat i vendimmarrjes së kësaj Gjykate nr. 4, datë 15.02.2021 dhe vendimmarrjes së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në çështjen Beshiri dhe të tjerë kundër Shqipërisë, të datës 17.03.2020, në vijim të të cilave ligjvënësi duhej të merrte masa për rregulluar legjislacionin në fuqi për trajtimin e pronës me qëllim që të garantohej shpërblimi i drejtë i pronës në pragun minimal prej 10% të vlerës së saj, sipas zërit kadastral aktual, në rastet kur zëri kadastral i saj kishte pësuar ndryshime.

 

Gjykata Kushtetuese vlerësoi se ndryshimet e bëra nga ligjvënësi përmes dispozitave të kundërshtuara kanë marrë parasysh këto vendimmarrje dhe garantojnë shpërblimin e drejtë të pronës, sipas nenit 41 të Kushtetutës.

 

Paraprakisht, duke e përshëndetur këtë vendimarrje të Gjykatës Kushtetuese për vetë rëndësinë që kontrolli kushtetues ka për garantimin e të drejtës së pronës në Republikën e Shqipërisë, theksojmë se për herë të parë në historinë e saj institucionale, Agjencia e Trajtimit të Pronave shënon fitoren e parë në Gjykatën Kushtetuese mbi të drejat e ish-pronarëve, duke siguruar stabilitetin e legjislacionit mbi kthimin dhe kompensimin e pronave, si dhe duke treguar vendosmëri të lartë për përmbylljen e procesit brenda afateve ligjore.

 

Sa më sipër, ATP njofton të gjithë subjektet e interesuara se do të vijojë rregullisht procedurat për trajtimin e aplikimeve për ekzekutimin e vendimeve që kanë njohur të drejtën e kompensimit, si dhe shqyrtimin e kërkesave për njohje pronësie brenda afateve ligjore.