Mbi shpërndarjen e këstit të tretë të kompensimit apo shpërblimit të pronarëve që preken nga ndërtimet informale.
Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave njofton se më datë 23.12.2011, ka përfunduar procesi i shqyrtimit të kërkesave për shpërndarjen e këstit të tretë të shpërblimit, për pronarët e pasurive që preken nga ndërtimet informale. Ky këst i radhës është në masën prej 10,06 % të shumës së përgjithshme në të holla, të miratuar me vendimet përkatëse të Këshillit të Ministrave.
Procesi i shqyrtimit të këtyre kërkesave dhe i shpërndarjes së fondit të kompensimit është bazuar në ligjin nr.9482, datë 03.04.2006 “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje” të ndryshuar, në ligjin nr.10239, datë 25.02.2010 “Për krijimin e fondit special të kompensimit të pronave”, në vendimin e Këshillit të Ministrave nr.383, datë 19.05.2010 “Për përcaktimin e procedurave të shpërndarjes së fondit të kompensimit në vlerë për pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimet informale”, të ndryshuar, dhe në 7 vendimet përkatës të Këshillit të Ministrave, në të cilët është përcaktuar masa e shpërblimit për secilin pronar.
Në përfundim të këtij procesi, kësti i radhës është shpërndarë për 509 kërkesa të depozituara në Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Nga ky proces rezulton se përfitojnë një numër prej 2300 pronarësh apo bashkëpronarësh, në shumën e përgjithshme prej 594 459 432, 63 (pesëqind e nëntëdhjetë e katër milion e katërqind e pesëdhjetë e nëntë mijë e katërqind e tridhjetë e dy pikë gjashtëdhjetë e tre) lekë. Të dhëna në lidhje me pasuritë që kompensohen dhe mbi gjeneralitetet e subjekteve përfitues jepen në listën bashkëlidhur.
Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave njofton subjektet e interesuara se vlerat përkatëse për secilin përfitues do të jenë disponibël në llogaritë e tyre bankare në ditët e para të javës në vazhdim.
Duke përfituar nga ky rast AKKP uron Gëzuar festat e fundvitit!
Kliko ketu per listen e plote