Postuar më: 02/04/2013

Njoftim Për Shtyp 26/03/2012

Mbi shpërndarjen e këstit të kompensimit/shpërblimit të pronarëve që preken nga ndërtimet informale.

Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave njofton se më datë 26.03.2012, ka përfunduar procesi i shqyrtimit të kërkesave të pronarëve, pasuria e të cilëve është prekur nga ndërtimet informale dhe që përfitojnë kompensimin apo shpërblimin e saj me këste. Këto kërkesa përfitojnë këstin e shpërblimit (kompensimi) në masën prej 47% të shumës së përgjithshme në të holla, të miratuar me vendimet përkatëse të Këshillit të Ministrave.

Procesi i shqyrtimit të këtyre kërkesave dhe i shpërndarjes së fondit të kompensimit është bazuar në ligjin nr.9482, datë 03.04.2006 “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje” të ndryshuar, në ligjin nr.10239, datë 25.02.2010 “Për krijimin e fondit special të kompensimit të pronave”, në vendimin e Këshillit të Ministrave nr.383, datë 19.05.2010 “Për përcaktimin e procedurave të shpërndarjes së fondit të kompensimit në vlerë për pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimet informale”, të ndryshuar, dhe në vendimet përkatëse të Këshillit të Ministrave, në të cilët është përcaktuar masa e shpërblimit për secilin pronar.

Në përfundim të këtij procesi, kësti i radhës është shpërndarë për 68 kërkesa të depozituara në Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Nga ky proces rezulton se përfitojnë një numër prej 121 pronarësh apo bashkëpronarësh, në shumën e përgjithshme prej 115 318 685, 88 (njëqind e pesëmbëdhjetë milion e treqind e tetëmbëdhjetë mijë e gjashtëqind e tetëdhjetë e pesë presje tetëdhjetë e tetë) lekë. Të dhëna në lidhje me pasuritë që kompensohen dhe mbi gjeneralitetet e subjekteve përfitues jepen në listën bashkëlidhur.

Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave njofton subjektet e interesuara se vlerat përkatëse për secilin përfitues do të jenë disponibël në llogaritë e tyre bankare në ditët në vazhdim.

Kliko ketu per listen e Subjekteve

DREJTOR I PERGJITHSHEM

ELVIS CEFA

© Agjencia e Trajtimit të Pronave 2022 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.