Postuar më: 31/12/2014

Njoftim për shtyp 29/12/2014

Në mbështetje të VKM nr. 889 datë 17.12.2014 “Për përcaktimin e rregullave dhe të kritereve për shpërndarjen e fondit të kompensimit të pronarëve, në të holla, për vitin 2014”, Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave (në vijim AKKP) njofton:

 Fillimin e procesit të pranimit dhe të regjistrimit të kërkesave për kompensimin në të holla, nga fondi në të holla për vitin 2014, për subjektet e shpronësuara, prona e të cilëve është njohur për kompensim. Me këtë rast AKKP fton të gjithë subjektet e shpronësuar apo trashëgimtarët e tyre të paraqiten pranë zyrave tona për dorëzimin e kërkesës për kompensim dhe dokumentacionit shoqërues.
Procesi i pranimit të kërkesave të përfituesve nga ky fond do të fillojë, ditën e hënë më datë 05.01.2015 dhe do të zgjasë një muaj deri në datën 05.02.2015. AKKP ka ngritur grupin e punës për pranimin dhe regjistrimin e kërkesave të subjekteve të shpronësuara. Të gjithë subjektet e interesuara duhet të paraqiten pranë Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, nga e hëna në të premte, për të tërhequr numrin e aplikimit nga ora 08.30 – 09.30, pranë Zyrës së Marrëdhënieve me Publikun, në Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Procesi i pranimit të kërkesave do të fillojë në orën 10.00 dhe do të vazhdojë deri në përfundim të numrit të fundit me të cilin është pajisur subjekti kërkues.
Bazuar në rregullat dhe kriteret, për shpërndarjen e fondit të kompensimit për vitin 2014, të miratuara me VKM nr. 889, datë 17.12.2014, përfitojnë kompensim, subjektet e shpronësuara që disponojnë një vendim përfundimtar dhe të ekzekutueshëm për kompensimin e pronës tokë truall, referuar radhës kronologjike të përcaktuar nga numri dhe data e vendimit me të cilin aplikohet. Nga fondi i vitit 2014 nuk përfitojnë kompensim subjektet e shpronësuara, të cilët janë trajtuar më parë me kompensim për vendimin me të cilin aplikojnë.
Kompensimi bëhet për pronën e llojit truall në bazë të çmimit të përcaktuar në hartën e vlerës miratuar me VKM. nr. 514 datë 30.07.2014 “Për miratimin e vlerës së pronës për secilin qark të Republikës së Shqipërisë” sipas vendndodhjes së pronës që kompensohet.
Masa e kompensimit është 200 (dyqind) m² e sipërfaqes truall të caktuar për kompensim në bazë të çmimit të përcaktuar në hartën e vlerës të miratuar me VKM – në e mësipërme.

Aplikuesit apo përfaqësuesit me prokurë kanë detyrimin të paguajnë tarifën e shërbimit në vlerën prej 2 000 (dymijë) lekë dhe gjithashtu të hapin në emër dhe për llogari të tyre, një llogari bankare në njërën nga bankat e nivelit të dytë, në të cilën në rast përfitimi do të depozitohet shuma që përfitohet.
– Subjekti apo përfaqësuesi i tij me prokurë duhet të paraqesë pranë AKKP-së Tiranë dokumentacionin e mëposhtëm:
a) Kërkesën dhe deklaratën tip, që i bashkëlidhet VKM-së së mësipërme, të plotësuara sipas rubrikave. (për plotësimin e këtyre akteve aplikuesve do t’u ofrohet konsulencë nga punonjësit e AKKP-së të ngarkuar për pranimin e dokumentacionit);

b) Titullin për njohjen dhe kompensimin e pronës, që sipas rastit, mund të jetë vendim i Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, vendim i Agjencisë së Kthimit apo Kompensimit të Pronave, si dhe vendim i gjykatës në rastet kur vendimet e sipërcituara janë ndryshuar në rrugë gjyqësore;
c) Planvendosjen e vendimit, si dhe planin e rilevimit aktual të pronës së njohur për kompensim. Plani i rilevimit duhet të pasqyrojë konturin (kufirin) e pronës së vjetër duke përcaktuar qartë sipërfaqen e njohur, të kthyer dhe atë të njohur për kompensim;
d) Dëshminë e trashëgimisë
e) Prokurë, të nënshkruar nga të gjithë trashëgimtarët e ligjshëm, ku si tagër i nevojshëm të jetë edhe e drejta për të tërhequr vlerën financiare, në emër të tyre;
f) Vërtetimin e lëshuar nga banka e nivelit të dytë për hapjen e llogarisë bankare;
g) Fotokopjen e dokumentit të identifikimit të përfaqësuesit me prokurë;
h) Mandat pagesën për shumën 2 000 (dymijë) lekë.
– Subjektet që kanë aplikuar për kompensim në të holla në vitet 2008, 2009, 2011, 2012 dhe 2013 duhet të paraqesin pranë AKKP-së dokumentacionin e mëposhtëm:
a) Kërkesën dhe deklaratën tip, që i bashkëlidhet VKM së mësipërme, të plotësuara sipas rubrikave. (për plotësimin e këtyre akteve aplikuesve do t’u ofrohet konsulencë nga punonjësit e AKKP-së të ngarkuar për pranimin e dokumentacionit);
b) Dëshminë e trashëgimisë, nëse ka ndryshime në rrethin e trashëgimtarëve të ligjshëm të subjektit të shpronësuar, sipas radhës së trashëgimtarëve, të përcaktuar në Kodin Civil.
c) Prokurën e posaçme, nëse ajo e paraqitur në vitin 2008, 2009, 2011,2012 dhe 2013 ka kufizim në kohë për tagrin e përfaqësimit, tërheqjes së shumës në të holla apo kur rrethi i trashëgimtarëve të subjektit të shpronësuar ka ndryshuar.
Në rast se aplikimi kryhet për vendime të tjera, të ndryshme nga ai me të cilin është aplikuar në vitet 2008, 2009, 2011, 2012 dhe 2013 subjektet duhet të plotësojnë dhe paraqesin pranë AKKP-së dokumentacionin e plotë (që përcaktohet më sipër) në përputhje me pikën 4 të VKM nr. 889 datë 17.12.2014.
Të gjithë aplikantët që paraqesin të dhëna të rreme apo fshehin të dhëna të nevojshme për procesin e kompensimit, përjashtohen nga procedura e mëtejshme si dhe mbajnë përgjegjësi penale sipas ligjit.
Subjektet e shpronësuar, të cilët kanë depozituar kërkesën e tyre për kompensim në vitet 2006, 2007, 2008, 2009, 2011, 2012 dhe 2013, dhe që vërtetojnë kryerjen e pagesës, nuk paguajnë tarifën e aplikimit për vitin 2014.

 

Drejtor i Përgjithshëm

Sonila QATO

© Agjencia e Trajtimit të Pronave 2022 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.