Njoftim për shtyp 30/05/2016

Njoftim për publikimin e regjistrit të vendimeve të cilët kanë njohur të drejtën për kompensim dhe vlerësimin e vendimeve të viteve 1993 dhe 1994

 Agjencia e Trajtimit të Pronave në zbatim të ligjit nr.133/2015 për “Trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave” dhe vendimit të Këshillit të Ministrave nr.223, datë 23.03.2016 për “Përcaktimin e rregullave dhe të procedurave për vlerësimin dhe shpërndarjen e fondit financiar e fizik për kompensimin e pronave”, publikon regjistrin e vendimeve që kanë njohur të drejtën e kompensimit të pronës të subjekteve të shpronësuar, si dhe vlerësimet e vendimeve për vitet 1993 dhe 1994, sipas formatit në aneksin nr. 1 bashkëlidhur këtij njoftimi.

Regjistri i vlerësimeve te vitit 1993-1994   (Për të bërë “Search” përdorni komandën CTRL+F në browserin tuaj pasi tabelat janë voluminoze.)

Në përfundim të proçesit të verifikimit të vendimeve të administruara pranë arkivës së ATP-së, u identifikuan 385 vendime të vitit 1993 dhe 3364 vendime të vitit 1994, të dhënat lidhur me numrin e vendimit, gjeneralitetet e subjekteve të shpronësuar, sipërfaqja e njohur për kompensim, mangësitë në dokumentacion apo vlerësimin përkatës jepen të detajuara në listën që shoqëron këtë njoftim.

Për vendimet e vlerësuara financiarisht të viteve 1993 dhe 1994, subjektet mund të paraqiten pranë ATP-së për të aplikuar për ekzekutimin e vendimit të vlerësuar duke plotësuar formularin nr.1 bashkëlidhur VKM – së nr. 223 datë 23.03.2016 për “Përcaktimin e rregullave dhe të procedurave për vlerësimin dhe shpërndarjen e fondit financiar e fizik për kompensimin e pronave”, dhe dokumentacionin e përcaktuar në këtë formular.

Subjektet e interesuara që evidentojnë të meta apo pasaktësi në këtë regjistër mund të plotësojnë dokumentacionin e nevojshëm për vlerësimin financiar të vendimit të kompensimit, brenda një afati prej 6 muajsh nga data e publikimit të regjistrit.

 

Drejtor i Përgjithshëm

Sonila QATO