Përgjigje pyetjeve publike

Nisur nga artikulli i botuar në Gazetën “Telegraf”, me datë 30.06.2015 me anë të së cilit janë drejtuar disa pyetje publike për Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, dhe mua personalisht si titullare e këtij institucioni, dëshiroj t’ju sqaroj në emër të AKKP-së duke kthyer publikisht përgjigje pyetjeve të shtruara në letrën tuaj të hapur:

Së pari ju falënderoj për pyetjet publike dhe në emër të stafit të AKKP-së vlerësojmë shumë kontributin tuaj në procesin reformues ligjor dhe institucional që po ndërmarrim për rregullimin e çështjes se kthimit dhe kompensimit të pronave. Kontributi juaj, por edhe i të gjitha shoqatave të tjera, dhënë gjatë tryezave të organizuara për këtë qëllim, si dhe takimet që kemi bërë me ju dhe me përfaqësues të shoqatës tuaj dhe shoqatave të tjera që mbrojnë interesat e pronarëve në Shqipëri kanë qenë frytdhënëse dhe na kanë ndihmuar shumë në përpjekjen tonë për reformim të këtij procesi të tejzgjatur.

AKKP-ja gjatë takimeve dhe konsultimeve për hartimin e kuadrit ligjor reformues ka reflektuar mbi propozimet dhe vërejtet e grupeve të interesit, duke u bazuar gjithmonë në Kushtetutën e RSH-së, konventat e ratifikuara dhe në kuadrin ligjor dhe nënligjor të vendit, duke siguruar kështu një draft ligjor i cili zgjidh në mënyrë përfundimtare, brenda një periudhe kohore të pranueshme dhe në mënyrë efikase e reale të gjithë procesin e kthimit dhe kompensimit të pronave, proces ky i tejzgjatur në 23 vite.

Sa i përket pyetjeve publike të botuara, japim sqarimin tonë si më poshtë:

1. Lidhur me çka parashtroni në pyetjen e parë, më së miri i vjen përgjigje konkrete nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese nr.30, datë 01.12.2005, ku kjo Gjykatë citon shprehimisht, si vijon:

“Gjykatës Kushtetuese i nevojitet, para se ajo të arrijë në vlerësimin përfundimtar të kërkesës, të analizojë dhe të shqyrtojë pretendimet e kërkuesit mbështetur në kuptimin që i jepet të drejtës së pronës dhe në frymën që mbartin dispozitat përkatëse të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Analiza dhe interpretimi nga ana e Gjykatës Kushtetuese i disa prej koncepteve kushtetuese që kanë të bëjnë me “interesin publik” dhe me “shpërblimin e drejtë”, si dhe respektimi i parimeve të drejtësisë, të proporcionalitetit dhe të shtetit social, përbëjnë njëkohësisht edhe kufijtë kushtetues të hapësirës së vlerësimit, mbi të cilat duhet të orientohet ligjvënësi për respektimin e të drejtës së pronës.

Gjykata Kushtetuese thekson se neni 181 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë përbën një dispozitë kalimtare, që përcakton detyrimin e Kuvendit për të normuar rregullimin e drejtë të çështjeve që kanë të bëjnë me shpronësimet dhe konfiskimet e kryera përpara miratimit të kësaj Kushtetute. Kjo dispozitë kushtetuese ka për qëllim t’i hapë rrugën ligjvënësit për të ndrequr në afate të arsyeshme kohorë dhe brenda të gjitha mundësive që ka shteti, një padrejtësi që i është bërë shtresës së ish-pronarëve. Nga kjo pikëpamje, norma kushtetuese e sipërcituar, e cila nuk mund të ketë fuqi prapavepruese, përbën një orientim për ligjvënësin që çështjet e shpronësimeve dhe të konfiskimeve, t’i rregullojë pa tejkaluar kufizimet e lejueshme dhe duke respektuar standardet kushtetuese.

Nga kjo pikëpamje, rregullimi i kthimit dhe kompensimit të pronës në origjinën e vet, synon të korrigjojë, për aq sa është e mundur “brenda mundësive dhe kushteve ekonomiko-sociale të vendit”, padrejtësitë e regjimit të kaluar, të kryera në dëm të pronës private nëpërmjet shtetëzimeve, shpronësimeve, konfiskimeve ose me çdo mënyrë tjetër të padrejtë.

Në të gjitha qëndrimet e mbajtura në jurisprudencën kushtetuese evropiane, duke përfshirë këtu edhe atë shqiptare, konstatohet se, në respektim të parimit të drejtësisë dhe të shtetit social, nuk mund të vendosen detyrime për kompensimin tërësor të pronës së shpronësuar apo të shtetëzuar nga regjimet që nuk kanë respektuar standardet minimale të të drejtave të njeriut dhe se “rivendosja e plotë e të drejtave të mëparshme të pronësisë do të ishte në kundërshtim me vet parimin e barazisë.”

Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë në nenet 41 dhe 181, ka pranuar kriteret e “rregullimit të drejtë” dhe të “shpërblimit të drejtë”. Nga këto kritere kushtetuese rezulton se kriteri për shpërblimin ose kompensimin në dobi të ish-pronarit nuk mund të jetë i plotë, por i drejtë. Ky rregullim kushtetues i detyrohet jo vetëm funksionit të dyfishtë privat dhe shoqëror që mbart në vetvete e drejta e pronës, por edhe rrethanave historike, politike, ekonomike, shoqërore e juridike, të cilat kanë ndikuar në situatën e krijuar dhe, si të tilla, nuk mund të mos i kishte parasysh ligjvënësi…

Nga koncepti i të drejtës së pronës që ka pranuar Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë në nenin 41 të saj, të cilin e ka sanksionuar edhe neni 1 i Protokollit Shtojcë të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, nuk rrjedh asnjë e drejtë absolute për shpërblim të plotë. Çështja e detyrimit për dëmshpërblim në vetvete dhe kufijtë e tij përcaktohen nga rrethanat e secilit rast konkret. Shtetit ka një hapësirë të gjerë vlerësimi, për arsye se ai njeh gjendjen dhe raportet shoqërore më mirë se çdo individ dhe se vetëm ai ka në dispozicion mjetet ligjore për t’i përmirësuar ato. “Objektivat legjitim të interesit publik si ato që ndiqen në kuadrin e masave të reformës ekonomike, ose masat e hartuara për të arritur drejtësi më të madhe shoqërore, mund të kërkojnë një rimbursim më të vogël se vlera e plotë e tregut.”

Gjykata Kushtetuese konstaton se një ndër kriteret kushtetues që gjen zbatim në këto dispozita ligjore të sipërcituara është “interesi publik”. Çdo ndërhyrje ndaj pronës mund të justifikohet vetëm nëse është në interesin publik ose të përgjithshëm. “Marrja e pronës në bazë të një politike të llogaritur për të arritur drejtësi shoqërore brenda komunitetit mund të përshkruhet saktësisht si politikë në interesin publik…”

Nga interpretimet e mësipërme të Gjykatës Kushtetuese kuptohet shumë qartë se shpërblimi i drejtë i sanksionuar në nenin 41 të Kushtetutës së RSH-së në asnjë rast nuk mund të barazohet me nocionin e shpërblimin e plotë, apo të rivendosjes të plotë të të drejtave që ish pronari ka poseduar para vitit 1945, i njëjti qëndrim është mbajtur edhe për kthimin e pronës.

Megjithatë, reforma e ndërmarrë garanton kompensimin 100 % tëpronarëve si dhe garanton rikthimin e të drejtave të pronësisë(atëher ku toka mund të kthehet).

2. Lidhur me pyetjen e dytë, mbi fondin e tokës në dispozicion të kompensimit të pronave, japim përgjigjen si më poshtë:

Lidhur me fondin e tokës, sqarojmë se ky është fond toke me status juridik shtet i cili është në dispozicion për kompensimin e pronarëve. AKKP-ja lidhur me këtë fond ka kryer të gjitha veprimet, si vijon:
– Ka vijuar procedurat për rezervimin pranë ZVRPP-ve përkatëse të pasurive pjesë e këtij fondi.
– I ka evidentuar një më një ato dhe i ka vlerësuar financiarisht.
– Ka verifikuar që për këto pasuri nuk ka asnjë pretendim për kthim apo kompensim.

Pra, ky fond është një fond i konsoliduar dhe i gatshëm për vijimin e procedurave përkatëse të kompensimit.

3. Lidhur me pyetjen e tretë, mbi konsultimin e draftit me shoqatat, sqarojmë se AKKP-ja në bashkëpunim me Avokaturën e Shtetit, Ministrinë e Drejtësisë dhe me asistencën e ekspertëve të Këshillit tëEvropës dhe Bankës Botërore, ka hartuar këtë draft duke pasur parasysh të gjitha vërejtet dhe propozimet e bëra nga grupet e interesit që kanë qenë të pranishme gjatë tryezave publike të konsultimit, pjesë e të cilave kanë qenë dhe do të jenë edhe në vijim të gjitha shoqatat që ju citoni.

4. Pyetjes së katërt “A shkel projektligji juaj nenin 181 dhe 41 të Kushtetutës në fuqi?” i përgjigjemi shkurtimisht, me njëfjalë: JO.

Projektligji është hartuar duke pasur në fokus praktikën e Gjykatës Kushtetuese të RSH-së, Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe gjykatave kushtetuese të vendeve të tjera evropiane dhe është hartuar në përmbushje të plotë tëdetyrimeve që përcakton Kushtetuta e RSH-së dhe Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

5. Në përgjigje të pyetjes së pestë nëse shkel apo jo projektligji përcaktimet e vendimit unifikues të Gjykatës së Lartë nr.24, datë 13.03.2002, sqarojmë se ky vendim unifikues ka dalë për të unifikuar praktikën gjyqësore dhe projektligji nuk shkel në asnjë moment këtë vendim.

Ky vendim citon “Ligji nr.7514, datë 30.9.1991 “Për pafajësinë, amnistinë dhe rehabillitimin e ish të përndjekurve politikë” dhe ligji nr.7698, datë 15.04.1993, “Për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave ish Pronarëve”, nuk janë mënyra të reja të fitimit tëpronësisë, por korigjim i padrejtësise së bërë dhe për këtëqëllim, shfuqizojnë ipso lege të gjitha aktet e mëparshme ligjore, me të cilat u ishte marrë prona pronarëve padrejtësisht. Ato nuk krijojnë një situatë të re, (nuk kane efekt konstituitiv), por ristabilizojnë ligjshmërinë dhe drejtësinë.
Shfuqizimi i akteve të sipërpërmendura, ka si efekt kthimin e palëve në gjendjen e mëparshme, duke rregulluar në masën mëtë mundshme, situatën e paligjshmërisë lidhur me të drejtën reale më të rëndësishme, atë të pronësisë (jo të drejta të tjera reale e aq më pak të drejtat e detyrimeve). Në këtë këndvështrim, kthimi në gjendjen e mëparshme nuk është i plotë por i pjesshëm (restitutio in parte).
Nëpërmjet këtyre akteve normative u njihet e drejta e pronësisëish pronarëve, ose trashëgimtarëve të tyre dhe u përcaktuan modalitetet për gëzimin efektiv të saj. Për shkak të kohës së gjatëtë paligjshmërisë dhe pamundësisë objektive të kthimit fizik të tëgjitha pronave të marra, ligji parashikon për rastet kur kjo e para nuk është e mundur, alternativën e kompensimit.”

6. Në përgjigje të pyetjes së gjashtë, me anë të së cilës kërkoni sqarime lidhur me projekt ligjin e shoqatës “Pronësi me drejtësi”, sqarojmë se:

Përgjithësisht vërjetjet dhe propozimet që ka bërë kjo shoqatë, si dhe shoqatat tjera, kur kanë qenë me vend dhe të implementueshme janë pasqyruar në draft projekt/ligjin që ështënë proces. Projekt/ligji i shoqatës, në frymën e përgjithshme, propozon shfuqizimin e ligjit nr.7501, datë 19.07.1991 “Për tokën”, propozim ky që nga pikëpamja kushtetuese është i parealizueshëm.

Për t’ju qartësuar këtë, mjafton të përmendim vendimin nr.7, datë 14.09.1994 të Gjykatës Kushtetuese. Ky gjyq kushtetues është nisur pikërisht me iniciativë të Shoqatës Kombëtare të Shpronësuarve “Pronësi me Drejtësi”, me objekt: Shfuqizimin e ligjit 7501, datë 19.07.1991 “Për Tokën” dhe Gjykata Kushtetuese ka vendosur rrëzimin e kërkesës, duke bërë edhe arsyetimet përkatëse.

7. Në përgjgjigje, ku citoni “Si juriste dhe si drejtoreshë e AKKP-së nëse pronarët detyrohen të paguajnë nga 10.000 euro për të marrë vendimin që ju kthen tokën e tyre të trashëguar, a nuk është projektligji që ju ka paraqitur shoqata “Pronësi me drejtësi” zgjidhja optimale e problemit dhe në përputhje të plotë me Kushtetutën, që nuk lejon korrupsion në drejtësi dhe plotëson kërkesat e KE”, ju sqaroj se:

Kjo pyetje është e paqartë dhe e pakuptimtë, pasi nëse i referoheni draft projekt/ligjit të ri që propozohet, jo vetëm që nuk ka asnjë përcaktim të tillë në draft por përkundrazi nuk ka kufizim në tokën që kthehet dhe shpërblimi për efekt kompensimi nuk i nënshtrohet asnjë lloj takse apo tatimi.

Sa i përket korrupsionit, su sqarojmë se drafti që propozohet eliminon plotësisht burokracitë e tepërta dhe shmang në mënyrë të padiskutueshme mundësitë për korrupsion. Pyetja që bëni mendoj se është e pavend dhe është shumë e rëndë. Nëse keni një indicie apo një të dhënë lidhur mbi pyetjen që shtroni, mund të na e paraqisni si shqetësim, në mënyrë që ta verifikojmë dhe të marrim masat e duhura, gjithashtu do ju luteshim që nëse keni raste të tilla t’i drejtoheni menjëherë me denoncim organeve përkatëse.