Prezantimi i projekt ligjit “Per trajtimin e prones dhe perfundimin e procesit te kompensimit te prones”

Të nderuar,
Duke ju falënderuar për pjesëmarrjen dhe kohën tuaj për të ndarë së bashku një nga përpjekjet më serioze të viteve të fundit në çështjen e kthimit dhe kompensimit të pronave;

 Si dhe duke vlerësuar angazhimin e përbashkët për të realizuar një reformë në fushën e pronës, mblidhemi sot, së bashku me një grup të gjerë protagonistësh, përfaqësues të shoqatave të pronarëve,
ekspertë të fushës së jurispundencës, ekonomisë dhe financave në vend, për të prezantuar reformën me të re të qeverisë për përfundimin e proçesit të kthimit dhe kompensimit të pronave në vendin tonë.
Ndoshta jo pa të drejtë një ekspert ndërkombëtar i të drejtave të njeriut e quajti procesin e nisur nga ana jonë si “mision i pamundur”.
Duke asistuar shpesh Shqipërinë në çështjet e pronave gjatë viteve të kaluara, skepticizmi i tij ndaj angazhimit tonë ishte i dukshëm.
Bashkëpunimi intensiv i grupit të punës për hartimin e kësaj reforme, rrëzoi çdo dyshim, mbi kurajën dhe përgjegjësinë e finalizimit të një misioni jo të pamundur.
Ndaj dhe përpjekja e të gjithë faktorëve që përfshihen në këtë proces nevojitet të jetë e madhe,
Po aq sa edhe konsensuale, për ta parë këtë reformë si garanci për vendosjen e një regjimi juridik të drejtë mbi pronën, dhe sigurimin e një zhvillimi të qëndrueshëm ekonomik të saj.
Duke mos dashur të zgjatem më tej për trashëgiminë e një sistemi totalisht të amortizuar, e cila është bërë shkak i abuzivizmit të rëndë në këtë fushë;si dhe duke qënë se gjatë 22 muajve të fundit AKKP-ja ka komunikuar publikisht rezultatet e transparencës së realizuar mbi vendimmarrjen 23 vjeçare dëshiroj të paraqes shtyllat e draft/ligjit të ri mbi trajtimin e pronës dhe përfundimin e kompensimit të pronave.
U mbështetëm në hartimin e këtij draft ligji duke respektuar parimet e:
• Sigurisë juridike të pronës;
• Barazisë juridike në trajtimin e pronarëve;
• Transparencës dhe përpjekjen për të rritur besimin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë, në kuadër të angazhimit të vendit tonë drejt integrimit në Bashkimin Evropian.
Jurisprudenca e krijuar nga vendimmarrja e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, praktika e sjellë përmes shqyrtimit nga ana e Gjykatës Kushtetuese,
së bashku me, sugjerimet e shprehura nga grupet e interesit në këtë fushë kanë qënë piketat e para të kësaj reforme.
Vendimi pilot i GJEDNJ dhe zbatimi i planit të veprimit të miratuar nga Qeveria në muajin prill të vitit 2014 solli detyrën për ndërmarrjen e masave konkrete në reformimin e këtij procesi përmes realizimit të;
• Një formule të re, të thjeshtë dhe realiste, e cila do të mund të siguronte misionin për të përmbyllur këtë proces brenda një afati të arsyeshëm;
• Duke identifikuar një mjet të brendshëm dhe efektiv, për mundësimin e një kompensimi të mjaftueshëm dhe të përshtatshëm për pronarët, mbas një periudhe 23 vjeçare moszbatimi të tej zgjatur të vendimeve për kompensim
E drejta e të gjithë pronarëve për të gëzuar një shpërblim të drejtë me qëllim rivënien në vend të padrejtësive nga pasojat e rregjimit të kaluar totalitar, bazohet në parimin e ndershmërisë dhe të drejtësisë, përkrah parimit të interesit publik dhe të shtetit social.
Objektivi është zvogëlimi sa më shumë të jetë e mundur i të gjitha padrejtësive të bëra, duke konsideruar mundësitë dhe kushtet ekonomike të vendit tone.
Ndaj, risia e kësaj reforme, është zgjedhja brenda të gjitha mundësive ekonomike dhe ligjore të shtetit, për një sistem efektiv i cili mbështetet në:
1. Përcaktimin e qartë të kuadrit ligjor dhe të fushës së zbatimit të këtij ligji për rastet e njohjes së pronësisë ku ky ligj vepron;
2. Rregullat e vlerësimit ekonomik të pronave të vendosura për kompensim;
3. Afatet prekluzive që garantojnë përfundimin e procesit;
4. Efiçencën e një institucioni i cili vë në lëvizje të gjitha mekanizmat që ka krijuar ky ligj, për zbatim.
Reforma përqendrohet edhe në rregullimin material dhe proçedurial të mekanizmave për të siguruar paprekshmërinë dhe administrimin e fondit të kompensimit të pronave dhe parashikimin e procedurave të thjeshta për të de-burokratizuar sistemin.
Shtylla e parë e kësaj Reforme, sjell risi në trajtimin e të drejtës për njohje pronësie, duke legjitimuar kthimin përmes kompensimit fizik në pronën e njohur aty ku ligji ka fushe zbatimi.
Për të realizuar brenda një afati të arsyeshëm vendimmarrjen e zvarritur deri më sot për rreth 9300 kërkesa, Draft/ligji ngarkon Agjencinë e Trajtimit të Pronës, të shqyrtojë dhe të marrë vendime brenda një afati prekluziv 3 vjeçar.
Draft/ligji parashikon gjithashtu një afat prekluziv prej 6 muaj, për pranimin e kërkesave të reja për njohje pronësie.
Ekspertiza e bërë, ka rekomanduar mbylljen e këtij procesi menjëherë mbas shfuqizimit të ligjit në fuqi për kthimin dhe kompensimin e pronës.
Por, Grupi i punës në mbështetje të sugjerimeve të grupeve të interesit miratoi vendosjen e një afati të arsyeshëm për pranim aplikimesh për të gjithë pronarët e interesuar edhe pse në këto 23 vjet proces nuk kanë bërë hapin e parë për të kërkuar njohjen e pronësisë.
Kjo reformë rregullon edhe trajtimin e pronave në proces legalizimi, ku në zonat urbane vepron duke çliruar bllokimin e deritanishëm për njohje pronësie, ndërkohë që, i nënshtrohet zbatimit të rregullave të këtij ligji, zonat e shpallura informale, të cilat trajtohen automatikisht me kompensim duke i hapur rrugën planifikimit dhe zhvillimit urban të tyre.

Shtylla e dytë ku mbështetet kjo reformë është realizimi i një mjeti të brendshëm efektiv për nisjen për herë të parë të ekzekutimit të të gjitha vendimeve për kompensim nga viti 1993.
Nëse përfundimi i procesit të njohjes së pronësisë dhe vendimmarrjes është zvarritur në mënyrë abuzive gjatë gjithë këtyre viteve, por që efektivisht është një proces ku 75% e dosjeve të administruara i është nënshtruar vendimmarrjes, 96, 6 % e të gjitha vendimeve të dhëna me disponim kompensim prone në një nga mënyrat e parashikuara në ligj, nuk janë ekzekutuar asnjëherë qoftë edhe pjesërisht.
Regjistri elektronik i vendimmarrjes së realizuar në korrik të vitit të kaluar, numëroi për herë të parë një numër prej 26 mijë vendimesh të cilat presin të kompensohen.
Në zbatim të legjislacionit në fuqi, viti 2005 shënon fillimin e procesit shumë të diskutuar të kompensimit financiar të pronarëve, nga ku deri më sot, janë kompensuar pjesërisht – 862 subjekte të shpronësuar, me një vlerë nga buxheti i shtetit prej 4 mld lekë.
Me ritmin dhe procedurat e fiksuara nga legjislacioni aktual në fuqi, kompensimi financiar i pronarëve përfundon mbas 300 deri në 1000 vitesh.
Ekzekutimi i vendimeve të komisioneve të cilësuara nga jurisprudenca si quasi gjyqësore është emergjente dhe kërkon një zgjidhje e cila vë përball njëri tjetrit:
Nga njëra anë interesat e pritshme të pronarëve për kompensim të pronës së tyre dhe nga ana tjetër mundësinë ekonomike dhe financiare të shtetit si garant i shtetit të së drejtës dhe vendosjes së një drejtësie sociale.
Ndaj ky draft ligj në bindjen tonë shënon një kthesë të rëndësishme në historinë e trajtimit të kësaj problematike.
Për herë të parë qeveria mori përsipër të identifikojë faturën që shteti do të përballojë për ekzekutimin e të gjitha vendimeve të dhëna për kompensim.
Sikurse të gjitha institucionet bashkërenduese në këtë proces reformues analizuan të gjitha resurset e mundshme ekonomike dhe financiare për tu vënë në dispozicion të kompensimit të pronarëve.
Garantimi i një shpërblimi të drejtë, brenda një afati të arsyeshëm duke i trajtuar në mënyrë të barabartë të gjithë pronarët shprehet në draft/ligj përmes një Fondi të garantuar dhe të paprekshëm për kompensimin e pronarëve, i cili përbëhet nga:
a. fondi vjetor buxhetor me rritje progresive të detyrueshme mesatarisht 5 mld lekë në vit me afat 10 vjeçar;
b. dhe fondi i tokës, me status juridik të garantuar shtet.
Vendoset një koncept i ri në përllogaritjen e shumës financiare për ekzekutim të vendimit përfundimtar për kompensim, duke u bazuar ne zërin kadastral në momentin e shpronësimit me vlerën e tregut që ky zë kadastral sipas hartës se vlerës se pronës ne fuqi.
Vlera e shtuar e pronës së kthyer, është një tjetër mekanizëm në vlerësimin e kompensimit të vendimit me ndryshim zëri kadastral.
• Në këtë mënyrë pronari i shpronësuar i tokës bujqësore do të kompensohet për vlerën e tokës bujqësore me çmimin e hartës aktuale.
• Pronari i shpronësuar i tokës truall do të kompensohet me vlerën e tokës truall referuar çmimit të hartës së vlerës së pronës aktuale, duke realizuar të gjitha pritshmëritë e tij.
Dy kategoritë e mësipërme përbëjnë 75% të pronarëve që presin prej 23 vitesh të kompensohen nga qeveria, ku 100% e pronarëve të tokave bujqësore, kullota dhe pyje nuk janë kompensuar financiarisht asnjëherë deri më sot.
Mekanizmat e rinj për implementimin e rregullave të reja në procesin e kompensimit fizik apo financiar përbejnë dhe thelbin e efikasitetit të kësaj reforme, përmes vlerësimit ekonomik një e nga një, të të gjithë vendimmarrjes së realizuar, apo që do të realizohet deri në mbylljen e procesit duke u orientuar nga rendi kronologjik i vendimmarrjes më të vjetër në kohë.

Për të zbatuar këtë reformë, draft ligji ka parashikuar proceduara të sakta dhe afate të mire përcaktuara duke filluar menjëherë nga ekzekutimi i vendimeve përfundimtare për kompensim.
Kështu, brenda 6 muajve Agjencia merr përsipër detyrën për të identifikuar përmes një regjistri mangësitë formale të 26 mijë vendimeve për kompensim.
Të gjithë pronarëve të interesuar, brenda 6 muajve në vijim duhet të plotësojnë mangësitë e identifikuara me qëllim ekzekutimin e vendimeve përfundimtare.
Ky afat është konsideruar i rëndësishëm për plotësimin formal të vendimeve për kompensim me vendimet gjyqësore te formës së prerë në lidhje me to.
Ndërkohë që të gjitha vendimet e kompensimit të përcaktuara në vlerë dhe ende të pa ekzekutuara, do të kompensohen duke llogaritur edhe interesin bankar dhe vlerën përkatëse e inflacionit të llogaritur nga Banka e Shqipërisë nga momenti i njohjes së pronës.

Ky draft ligj formalizon për herë të parë regjistrimin e të drejtës e parablerjes në regjistrat përkatës të ZVRPP, duke garantuar të gjithë pronarët për zbatimin e këtyre vendimeve gjatë privatizimit apo shitjes me ankand të aseteve shtetërore në pronën e njohur.
Draft /ligji formalizon për herë të parë rezervimin e fondit të tokës për kompensim fizik pranë ZVRPP duke siguruar paprekshmërinë e tij.
Komisioni ndërinstitucional që do të ngrihet do të ketë detyra që burojnë nga ky ligj, për identifikimin, verifikimin dhe vënien në dispozicion të këtij procesi prona shtetërore me status të pastër shtet.
Ky fond për herë të parë administrohet nga procedura e ankandit, përmes të cilës synohet shpërndarja e fondit të tokës apo shtimi i burimeve financiare, me transparencë të plotë ndaj publikut.

Mbivendosjet nuk do të jenë me pengesë për përfitimin nga kompensimi financiar për pronën e lirë nga mbivendosja, ndërkohë që vlera e pronës në këtë lloj konflikti, do të ngrijë në llogari bankare, deri në zgjidhjen e mosmarrëveshjes me vendim gjykate apo marrëveshje deklarative mes palëve.
Draft ligji mënjanon procedurat e gjata të aplikimit dhe vetëvepron përmes çeljes dhe derdhjes së shumës së kompensimit automatikisht në numrat e llogarisë të hapura nga vet Agjencia.
Agjencia e Trajtimit të Pronës, përmes kësaj reforme, merr përsipër:
1. Lehtësimin dhe thjeshtëzimin e procedurave që do të duhet të ndjekin aplikuesit, duke marrë një rol lider në procesin administrativ, të vërtetimit dhe verifikimit të fakteve të paraqitura nga kërkuesit.
2. Merr përgjegjësi në funksion të bashkërendimit ndërinstitucional, zhvillimit teknologjik si dhe rritjes së kapaciteteve të burimeve njerëzore në administrimin e këtij procesi.
3. Parashikon vendosjen e kërkesave fleksibël për grumbullimin, përpunimin dhe administrimin e të dhënave dokumentare nga ana e Agjencisë, në zbatim kjo të sugjerimeve të paraqitura nga grupet e interesit.
Integrimi i këtij draft/ ligji me politikat reformuese të qeverisë, zhvillimit strategjik të pronave dhe ruajtjes së zonave të mbrojtura së bashku me rritjen e cilësisë së shërbimeve ndaj qytetarëve, janë baza e zbatimit dhe funksionimit të suksesshëm të draft ligji.
Të nderuar përfaqësues të shoqatave të pronarëve dhe grupeve të interesit!
Ashtu sikurse paraprakisht jeni njoftuar, në datë 21 korrik, jeni të ftuar në ambientet e Ministrisë së Drejtësisë për të vijuar së bashku diskutimin e draft ligjit dhe të dispozitave të tij.
Tryeza e ardhshme e diskutimeve dhe komunikimit do të jetë dhe vendi ku do të paraqiten sugjerimet tuaja në lidhje me përmirësimin e këtij drafti dhe mundësinë e reflektimit sa më të gjerë të tij, ndërkohë që mirëpresim çdo sugjerim të dhënë, nga çdo personalitet i fushës me qëllim finalizimin e reformës së nisur në këtë fushë.
Duke ju falënderuar për vëmendjen tuaj, në këtë foltore do të marrin fjalën me rradhë Ministri I Drejtësisë Z. Nasip Naço për mbështetjen e padiskutueshme në përgatitjen e kësaj reforme!

Me qëllim garantimin e burimeve të mjaftueshme financiare të planifikuara nga Buxheti I shtetit,
në funksion të përfundimit brenda një afati 10 vjeçar të procesit të ekzekutimit, të rreth 26 mijë vendimeve për kompensim, Ministri i Financave Z. Shkëlqim Canaj.

Përmes kontributit të dhënë, Znj. Alma Hiçka Avokate e Përgjithshme e shtetit dhe agjente e qeverisë para Gjykatës Evropiane të të drejtave të njeriut për të shprehur në lidhje me pasqyrimin në këtë proces reformues të kritereve dhe parimeve të mbrojtura nga Karta Europiane e të drejtave të njeriut.

Për ndihmën dhe mbështetjen shumë të çmuar të eksperteve të dërguar nga misioni i Këshillit të Evropës në Shqipëri, për hartimin e draft ligjit të ri për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit Z. Marko Lajdeker kreu i zyrës së Këshillit të Evropës në Shqipëri.

Prona është shpallur si një nga 6 prioritetet e qeverisë sonë, ndërkohë që reformimi i këtij procesi është një pjesë e planit të përgjithshëm të masave që qeveria po ndërmerr në fushën e pronave. Për të gjithë mbështetjen e tij, në fund fjalën e merr Kryeministri i Shqipërisë Z. Edi Rama