Prezantohet për konsultim projektligji “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”

Prezantohet për konsultim projektligji “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”. Ministri Naço: “Zgjidhja e çështjes kërkon një pakt kombëtar.”

Zvarritjet e procesit të kthimit dhe kompensimit të pronave do të mbyllen përfundimisht brenda një periudhe 10-vjeçare. Me këtë deklaratë të fortë Ministri i Drejtësisë, z. Nasip Naço, parashtroi risitë e nismës më të fundit ligjore të qeverisë shqiptare përmes projektligjit “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”.

Në një takim të hapur në prani të krerëve më të lartë të shtetit, institucioneve qendrore dhe lokale, përfaqësive diplomatike, grupeve të interesit dhe medias u shpalos projektligji i ri, që synon të revolucionarizojë procesin e kthimit dhe kompensimit të pronave tek pronarët, duke i dhënë fund mundimeve të 23 viteve në demokraci, përgjatë të cilave kjo çështje nuk mori zgjidhjen e duhur. Ndërkohë, në 22 muaj qeverisje Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, nën kujdesin e Ministrisë së Drejtësisë dhe Avokaturës së Përgjithshme të Shtetit, përmes asistencës dhe mbështetjes së Këshillit të Evropës dhe ekspertëve të Bankës Botërore ka hartuar bazat e një reforme të rëndësishme.

Kjo reformë fut në rrugën e zgjidhjes përfundimtare problematikën në çështjet e pronave, e cila ka rol kryesor në zhvillimin ekonomik dhe integrimin e vendit në Bashkimin Europian.

Kjo reformë sjell një formulë të re, të thjeshtë e realiste, cila siguron realizimin e qëllimit kryesor ekzekutimin e vendimeve përfundimtare për kompensim nga viti 1993 deri në fund të procesit brenda një afati të arsyeshëm.

Reforma identifikon mjetin e brendshëm efektiv, i cili mundëson një kompensim të mjaftueshëm dhe të përshtatshëm mbas një periudhe 23- vjeçare moszbatimi të zgjatur të vendimeve për kompensim.

Një risi e projektligjit të ri “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronës” është përcaktimi i modaliteteve në zbatim të saj përmes lehtësimit të procedurave në favor të aplikuesve, duke i dhënë fund zvarritjeve në dyert e shtetit.

Një kontribut të madh në këtë reformë kanë dhënë grupet e interesit, shoqëria civile, ekspertë të jurisprudencës, ekonomisë dhe financave, gjeodedë, informaticienë nga vendi nga bashkësia ndërkombëtare, të cilët gjatë takimeve të shumta, të përbashkëta dhe të drejtpërdrejta, kanë dhënë propozimet konkrete për masat ligjore dhe organizative mbi çështjet e njohjes, kthimit dhe kompensimit të pronës.

Pas prezantimit publik, ky projektligj do të kalojë në fazën e konsultimit konkret me grupet e interesit dhe gjithë aktorët e interesuar në ditët në vijim.

Më poshtë, gjeni fjalën e plotë të Ministrit të Drejtësisë.

Më lejoni që në emër të Ministrisë së Drejtësisë t’ju shpreh mirënjohjen që pranuat ftesën e institucionit tonë, për prezantimin e një prej reformave më të rëndësishme që po realizon Qeveria Shqiptare në lidhje me çështjen e pronave, që do ta konsideroja me rëndësi kombëtare. Është fakt që procesi i kthimit dhe kompensimit të pronave në këto 22 vjet është zvarritur, apo për të mos e thënë edhe më keq, është futur në labirinthe ndryshimesh ligjore, të cilat e kanë përkeqësuar gjendjen dhe situatën, duke vështirësuar në këtë mënyrë edhe zgjidhjen e saj. E megjithatë, kjo maxhorancë që prej shtatorit 2013 i prezantoi Kuvendit një program politik, ku një vend jo pak të rëndësishëm zinte edhe zgjidhja e çështjes së pronave. Ne i premtuam shqiptarëve, se do ta fusnim çështjen e pronave në rrugën e zgjidhjes së saj, nëpërmjet një reforme të thellë në legjislacionin ekzistues, por dhe me marrjen e masave organizative, teknike dhe institucionale për përmirësimin e gjendjes. Ne i premtuam shqiptarëve, se ata do të jenë pronarë të ligjshëm në prona të ligjshme, pasi Qeveria do të eliminonte me instrumente ligjore, çdo praktikë zvarritjesh burokratike në procesin e kthimit dhe kompensimit të pronave. Ne nuk u nxituam, por  krahas funksioneve që do të kryente AKPP, e nisëm këtë proces reformues duke u bazuar në detyrat e përcaktuara nga Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut. Ne miratuam një plan konkret veprimi,  me afate të mirë përcaktuara dhe me detyra të qarta për të gjithë aktorët e përfshirë në këtë proces. Ne premtuam dhe realizuam një proces skanimi të plotë, për të gjithë gjendjen e vendimmarrjes 22-vjeçare në fushën e kthimit dhe kompensimit të pronave dhe ndërkohë që krijuam për herë të parë regjistrin dixhital të vendimmarrjes dhe zbatuan teknologjinë për krijimin e hartës dixhitale të vendimmarrjes së AKPP-së ndër vite, fillimisht për Qarkun e Vlorës, dhe tani po punojmë dhe kemi siguruar mjetet e duhura, për ta shtrirë atë në të gjithë Shqipërinë. Krahas këtyre hapave, ne realizuam një analizë të plotë të kuadrit ligjor që kishte funksionuar në fushën e kthimit të pronave në këto 22 vjet. Nga kjo analizë identifikuam një tërësi problemesh ku ne konstatuam, se gjithmonë pronarëve ju ishte premtuar se do të jenë pronarë dhe jo më ish-pronarë, por asnjëherë nuk ishte ndërmarrë një nismë serioze për ta bërë realitet këtë. Kjo edhe për faktin, se klasa vendimmarrëse politike e kohës, duke vlerësuar koston financiare, kishte zgjedhur gjithmonë ndër vite që të bënte një zgjidhje provizore kalimtare, shpesh herë dhe të gabuar, por asnjëherë përfundimtare, duke e trashëguar kështu problemin nga një qeveri tek tjetra, fakt ky i cili me kalimin e viteve e ka vështirësuar zgjidhjen. Të gjithë këtë panoramë, të realitetit ndër vite, ne  ja prezantuam publikisht grupeve të interesit, institucioneve të linjës, partnerëve tanë ndërkombëtarë dhe medias, pa asnjë retushim, nëpërmjet publikimit të të dhënave të skanuara dhe të regjistruara, por dhe duke realizuar disa tryeza diskutimi dhe konsultimi. Ne diskutuam hapur mbi të gjitha mundësitë ligjore dhe teknike të zgjidhjes së çështjes së pronave, mbi mënyrën se si kjo reformë duhet realizuar, hapat që duhen ndërmarrë, si dhe mundësitë e shtetit shqiptar, për ta finalizuar dhe zgjidhur atë. Gjatë këtij procesi ne ishim të hapur me njeri tjetrin dhe morëm opinione, të cilat shprehnin shqetësimin real që ekziston për këtë çështje. Ne nuk u ndalëm këtu, por të gjithë problematikën dhe vlerësimin tonë paraprak, sesi kjo çështje duhej të zgjidhej njëherë e përgjithmonë. E diskutuam dhe konsultuam ngushtësisht me partnerët tanë ndërkombëtarë: Këshillin e Europës, Bankën Botërore dhe ekspertët më të mirë vendas e të huaj. Jo vetëm kaq, por për realizimin e kësaj reforme dhe hapat që po ndërmerrnim, falë punës së AKKP dhe Avokaturës së Shtetit, ne kemi informuar dhe kemi kryer konsultime të vazhdueshme dhe me Komitetin e Ministrave në Këshillin e Europës. Sot, në përfundim të këtij procesi vlerësues dhe konsultues, kemi arritur në fazën, kur përgatitëm dhe po paraqesim përpara jush këtë nismë ligjore, me bindjen se kjo është nisma e duhur për përfundimin e procesit të kthimit dhe kompensimit brenda një kohe të përshtatshme dhe në përgjigje të rekomandimeve të Gjykatës Evropiane të së Drejtave të Njeriut. Ne nuk trembemi nga vlerësimi dhe konsultimi i kësaj nisme ligjore, pasi ne duhet të flasim hapur dhe pa doreza me njëri – tjetrin, sepse vetëm kjo do të jetë mënyra e vetme në gjetjen e një zgjidhje të gjithëpranuar. E kam thënë edhe më parë, se zgjidhja që do t’i ofrohet shqiptarëve, do të ketë ndikim në brezat që do të vijnë dhe për këtë duhet ta konsultojmë me të gjithë dhe në të mirën e të gjithëve, duke pasur në parim respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, në balancë të plotë me interesin publik në mënyrë që, kjo zgjidhje të jetë e qëndrueshme dhe e drejtë, mundësisht e gjithëpranuar dhe për këtë personalisht, gjithmonë, kam theksuar se zgjidhja përfundimtare e çështjes së pronave kërkon një Pakt Kombëtar, ku secili nga ne, duhet të lëshojë diçka nga vetja. Për të folur më hapur qeveria me këtë ligj, ka marrë përsipër të shumëfishojë angazhimet e saj përkundrejt shtresës së pronarëve, sa i takon detyrimit për realizimin e kompensimit financiar, ashtu sikundër të gjithë, duhet të biem dakord që ky detyrim nuk mund të realizohet dhe të zbatohet në praktikë, pa rënë dakord më parë për mënyrën dhe zgjidhjen e duhur. Ne nuk kemi ardhur këtu të fshihemi pas gishtit, por kemi ardhur që të fillojmë këtë proces konsultues për ta dëgjuar njëri- tjetrin, për hir të së mirës së përbashkët për ta zgjidhur këtë problem dhe gabim historik, që regjimi i mëparshëm e krijoj me shtetëzimin e pronës me pa të drejtë, duke sjellë për vite me radhë, pasoja të rënda sociale në jetën e shtresës së pronarëve. Ne gjithashtu jemi të bindur që të mos vazhdojmë më, me metodën e këtyre 22-viteve që kanë kaluar, ku zgjidhja që ju është ofruar kësaj shtrese, për fat të keq, ka qenë e pjesshme, jorealiste, për të mos thënë shpeshherë e gënjeshtërt, pasi në formën e krijuar, ajo nuk mund të realizohej kurrë.

Mjafton t’ju përmend faktin, se Fondi i Kompensimit Financiar i vendosur në dispozicion për tu shpërndarë ndër vite ka qenë i papërfillshëm, ndërkohë që me ketë projektligj Fondi i Kompensimit Financiar që vihet në dispozicion të pronarëve është rreth 20-fish më i lartë dhe kjo vetëm në një vit. Pra, modelit të vjetër të kompensimit në lekë, që tashmë po i vjen fundi, do t’i duheshin 20 vjet, për tu barazuar me angazhimin që kjo qeveri merr përsipër vetëm për 1 vit. Për të vazhduar me risitë që sjell ky projektligj që paraqesim sot për konsultim, me gjithë grupet e interesit, por edhe me publikun e gjerë, do t’ju citoja se kjo reformë parashikon: një formulë efikase dhe realiste për kompensimin e pronarëve; një afat të arsyeshëm dhe të përcaktuar kohor për përfundimin e të gjithë procesit; një zgjidhje të drejtë, duke respektuar normat kushtetuese për të gjithë pronarët, por gjithashtu edhe për të gjithë qytetarët, duke mbajtur në konsideratë interesin publik; përcakton përfundimin e shqyrtimit dhe dhënien e vendimeve për kërkesat që janë të patrajtuara brenda një afati 3-vjeçar; përcakton afatin 10-vjeçar për përfundimin e likuidimit të të gjitha vendimeve të kompensimit, duke garantuar shlyerjen e këtij detyrimi nëpërmjet fondit financiar të përvitshëm të kompensimit, të përcaktuar në projektligj, që do e ritheksoja që është rreth 20-fish më shumë vetëm në 1 vit.

Ky projektligj gjen një balancë midis interesit publik, së drejtës së pronës dhe grupeve të interesit. Në thelb, objektivi i kthimit të së drejtës së pronës nuk është fshirja e të gjitha padrejtësive, por zvogëlimi i tyre, gjithmonë brenda kushteve dhe mundësive ekonomiko-sociale të vendit, por duke qenë njëkohësisht të matur dhe të vendosur që ky proces i kompensimit të pronës të mos shkaktojë padrejtësi të tjera. Nga kjo pikëpamje, rregullimi i kthimit dhe kompensimit të pronës në origjinën e vet, synon të korrigjojë, për aq sa është e mundur padrejtësitë e regjimit të kaluar, të kryera në dëm të pronës private nëpërmjet shtetëzimeve, shpronësimeve, konfiskimeve ose me çdo mënyrë tjetër të padrejtë. Nuk mund të mos përmendja në fjalën time, një falënderim të veçantë për aktorët që kanë kontribuar  apo kanë ndihmuar në hartimin e këtij projektligji, si Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave dhe Avokaturën e Shtetit, por njëkohësisht edhe ekspertët vendas dhe ata të Këshillit të Europës e Bankës Botërore.

Të nderuar pjesëmarrës,

Në përfundim të fjalës sime, siç e theksova edhe më sipër, reforma në sistemin kompensimit të pronës, është tepër e rëndësishme dhe kërkon një pakt kombëtar, ku gjithsecili nga aktorët duhet të lëshoj nga vetja, pasi siç e dini fatura e zgjidhjes është tepër e madhe dhe ndikon në jetën e brezave që do të vijnë. Maxhoranca duhet të lëshojë diçka nga vetja. Ajo tashmë e ka bërë këtë, ku parashikon të vërë në dispozicion të fondit për pronarët 20-fishin e asaj që kanë parashikuar qeveritë e kaluara dhe kjo vetëm për 1-vit, me qëllim që ta zgjidhi këtë çështje përfundimisht për një afat 10- vjeçar. Maxhoranca mund t’i kalonte këto fonde në drejtime të tjera, siç kanë bërë qeveritë e tjera ndër vite, për rritje pagash, pensionesh, aty ku vendi ka nevojë, por këtë herë ajo zgjodhi t’i adresoj këto fonde, për të korrigjuar një gabim historik të së kaluarës. Opozita e sotme dhe maxhoranca e djeshme duhet të mbështesë dhe të inkurajojë këtë proces dhe jo ta pengojë atë, duke nxitur probleme sociale dhe politike. Ne nuk mund ti heqim opozitës “dashurinë” që ka ajo për pronarët, por duam që ajo të heqë cinizmin dhe mashtrimin që i ka bërë kësaj shtrese kur qeveriste vendin. Opozita duhet të bëhet pjesë e zgjidhjes dhe jo pjesë e problemit. Grupet e interesit që janë dhe përfituesit real nga kjo reformë, duhet të lëshojnë nga kërkesat e tyre objektivisht të pa-realizueshme, brenda mundësive të shtetit Shqiptar, për ta finalizuar dhe zgjidhur përfundimisht këtë gabim historik.

I nderuar Zoti Kryeministër,

Si Ministër i Drejtësisë kam bindjen, se qeveria e drejtuar prej jush, me të njëjtin vullnet që projektoi dhe po zbaton me sukses Reformën Administrative Territoriale, ashtu siç po ecën në rrugën dhe drejtimin e duhur në Reformën në Drejtësi, do të realizojë me po të njëjtin sukses edhe këtë reformë të vështirë, por jo të pa arritshme, për vizionin dhe vullnetin tuaj Reformator.

Ju faleminderit!