Fjala e Kryeministrit në prezantimin e Reformës për trajtimin përfundimtar të çështjes së Kthimit dhe Kompensimit të Pronës
Si fillim nuk shpreh keqardhje për shkëputjen nga salla të një grupi të drejtuar nga trashëgimtari i Parkut dhe i Teatrit Antik të Butrintit, sepse besoj që, për të pasur një dialog serioz lidhur me këtë çështje me rëndësi historike dhe kombëtare, jo vetëm për ata që sot jetojnë, por për të gjithë gjeneratat e tjera, na duhet një partneritet serioz me të gjitha grupet e interesit padyshim, por absolutisht na duhet dhe një vijë e prerë ndarëse midis logjikës dhe absurdit.
E gjithë historia që lidhet me pronën e Shqipërisë së re është historia e një absurdi që ka pasur dy palë, nga njëra anë, individë që kanë arritur të trashëgojnë edhe amfiteatrot e antikitetit dhe nga ana tjetër, një shtet dhe një qeveri që ka arritur të bëjë me pronën çorapin më të paimagjinueshëm, në gjithë historinë e raporteve me pronën mes shteteve dhe individëve.
Në vitin 2005, në progres-raportin për Shqipërinë shkruhej se: “Të drejtat mbi pronën mbeten të dobëta, dëmtojnë potencialin e investimeve dhe aktivitetin ekonomik dhe se zgjidhja e këtij problemi mbetet kyç për nxitjen e zhvillimit ekonomik dhe për menaxhimin e tokës”. Dhe ky është një raport që lidhet drejtpërdrejt, çdo vit, me ecurinë e Shqipërisë drejt realizimit të asaj aspirate të përbashkët kombëtare, që është anëtarësimi në Bashkimin Europian.
Fatkeqësisht nga viti 2005 deri në vitin 2013, raportet e progresit të Shqipërisë, në çështjen e pronave kanë ardhur duke u bërë më të zymta dhe më të pashpresa.
Ashtu sikundër, një nga pesë prioritetet, për të cilat, ne sot jemi nën vëzhgimin e Bashkimit Europian dhe mbi të cilat ndërtohet fati Europian i Shqipërisë në rrugën drejt Bashkimit Europian, është prona.
Në këtë periudhë kohore dua ta them me bindje dhe me krenari se kemi çelur një proces që na sjell sot, këtu, mbi një bazë krejt të re. Duke shmangur nga njëra anë faturat e njëpasnjëshme dhe marramendëse që mbledh prej vitesh Shqipëria për shkak të një politike destruktive në lidhje me pronën nga Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut dhe duke racionalizuar një proces që, përndryshe, me logjikën e pranuar të gjithë këtyre viteve do të duhej 1000 vjet për t’u përmbyllur.
Në tetë vite, nga momenti i atij progres-raporti që citova deri në momentin kur ne morëm të drejtën për të qeverisur vendin, jo vetëm që nuk ndryshoi asgjë nga vlerësimi i Bashkimit Europian, përkundrazi, vlerësimi erdhi duke u rënduar. Por më e keqja, gjendja e pronës dhe e raporteve të pronësisë erdhi duke u bërë çdo vit e më katastrofike.
Progres-raporti i 2013-ës, mbi të cilin ne filluan këtë punë, shkruan që: “Përpjekje madhore dhe sistematike duhen ndërmarrë për të zgjidhur problemin e pronave. Rikthimi, kompensimi dhe ndërtimet e paligjshme janë çështje që duhen zgjidhur”. Që do të thotë se, ose zgjidheni, ose rrini lidhur mbas vetes, se vend në Bashkimin Europian, ju nuk keni. Kaq e thjeshtë dhe e drejtpërdrejt është kjo.
Nuk është vetëm kemi apo nuk kemi vend në Bashkimin Europian, por është çfarë vendi do t’u lëmë fëmijëve tanë. Me trasenë që çeli politika e vjetër e të shkuarës është e sigurt se fëmijëve tanë do t’u trashëgonim një vend në gjendje permanente konflikti civil dhe social. Ndërsa me trasenë që çel ky projekt është e sigurt se në një hark kohor të paimagjinueshëm deri pak kohë më parë, prej vetëm dhjetë vitesh, ne mbyllim nga pikëpamja përmbajtësore, një problem mund të shkonte 1000 vjet dhe nga pikëpamja financiare, një problem që mund të kërkonte 350 vjet.
Kur Ministri i Financave foli për 150 vite, iu referua asaj formule që ne sot mendojmë se kemi gati për të çelur këtë proces, kurse me formulat e vjetra, historia do të zgjatej shumë më tepër. Parafytyroni që një ligj për kthimin e pronave, që u miratua në vitin 2004 me 34 nene, në tetë vite, nga ata që e bënë ligjin, u ndryshua 24 herë. Pra, ligjit të 2004-ës nuk i mbeti “as nami e as nishani”.
Që prej vitit 1993 janë marrë 26 mijë vendime për kompensim. Sot, në zyrat e Agjencisë janë 9 300 të tillë, që presin të shqyrtohen. Në 2013-ën, kur ne morëm në trashëgim këtë Agjenci, nuk kishte arkiv, por thjesht një depo dosjesh, të hedhura pa rend dhe pa asnjë inventar. Ajo që ne bëmë ishte një punë paralele, nga njëra anë, sistemimi i gjithë arkivit dhe skanimi, digjitalizimi i dosjeve. Nga ana tjetër, ngritja e grupeve të punës për të gjetur shtegun nga mund të dilet nga gjithë kjo xhungël vrastare, që vret përditë ëndrra, shpresa dhe mundësi për Shqipërinë tonë kaq të vogël dhe me kaq shumë probleme dhe me kaq shumë pronarë. Parafytyroni vetëm kaq, që në Shqipëri ka pretendentë për prona dhe pretendime për kthime sa dyfishi i sipërfaqes së vendit tonë.
Nëse ne, të paktën në një pikë jemi dakord, që kemi 28 mijë kilometra katrorë dhe në këtë pikë nuk ka pasur debat a janë 28, apo janë 29, kërkesat për pronat janë dyfish! Një absurd që është zhvilluar me pathos, falë një bande në sistemin e drejtësisë. Një bandë kriminale, që ka bërë një kasaphanë duke përdorur çekiçin e gjykatësit dhe duke kthyer prona, kujt nuk i takon e duke i mohuar të drejtën e pronës, shumëkujt që i takon.
Jo më larg se pak kohë më parë, ndërkohë që përgatiteshim për një projekt të zhvillimit të turizmit, u ndeshëm me një anëtare të kësaj bande, që kthen 500 hektarë në një zonë me pronë shtet dhe me potencial turistik. 500 hektarë, me një të rënë të çekiçit në një fole, në një zgëqe të quajtur sallë apo zyrë gjykatësi dhe parafytyroni sesa të tilla kanë ndodhin në gjithë këto vite.
Ne e dimë mirë se çfarë ndodhi me legalizimet. Edhe pse ishte një përparësi në tetë vjet, vetëm u incentivua ndërtimi pa leje, duke u thënë se do të legalizohen të gjithë dhe “o burra ndërtoni”, se ndërtimi është bereqet, bereqeti sjell lumturi, lumturia sjell ndërtim të ri. Në vend se të kishim një proces ku të ndaloheshin ndërtimet pa leje dhe të legalizoheshin ato që duheshin legalizuar, u shumëfishuan ndërtimet pa leje, u shumëfishuan territoret e zaptuara dhe u legalizua vetëm më pak se 2% e totalit të ndërtimeve pa leje. Dhe në këtë më pak se 2% janë 80% që nuk janë shtëpi fare, por janë vetëm motele, hotele, pika karburanti, magazina, pishina dhe gjithë llojet e bizneseve, të krijuara duke zaptuar pronat e shtetit apo pronat e të tjerëve. Deri dhe kala, të zaptuara me letra njohjeje të e pronës. I ka dalë pronar edhe kalave, kështjellave.
Faktikisht, një projekt pilot, që u bë për të testuar situatën e gjithë këtij procesi, tregoi se çfarë kanceri agresiv qëndron në gjithë këtë sistem, mbi vendimet e dhëna në 21 vjet. Mbivendosjet e pronave në atë zonë që u testua dhe konfliktet për pronat janë shprehja e një katrahure të pashoqe. Ky është edhe shkaku që rreth 70% e çështjeve vazhdojnë të jenë në dyert e gjykatave dhe vazhdojnë të jenë material, lëndë e parë për bandën e gjykatësve, që me çekiç ndan pronat sipas oreksit, që plotësohet me para në dorë. Me para për t’u bërë pronar, jo me të drejta, jo me dokumente.
Sasia e titujve të falsifikuar të pronësisë në projektin pilot që ne bëmë në atë zonë të Vlorës është marramendëse dhe është marramendës fakti që edhe Prokuroria, pasi gjykon për tituj pronësie të falsifikuar, nuk kërkon asgjësimin e tyre. Dhe historia që janë vepra të parashkruara është një histori më vete, që kërkon një trajtim më vete, sepse nuk mund të jetë e parashkruar një vepër kriminale e falsifikimit të titujve të pronësisë, ndërkohë që ai titull i falsifikuar është ende aktiv. Vepra të parashkruara janë vepra që janë kryer dhe efekti i tyre ka përfunduar, ndërkohë që efekti i kësaj vepre kriminale vazhdon dhe mbi atë akt falsifikimi, i ashtuquajturi pronar vazhdon pasurohet, ndërton, jep me qira e kështu me radhë.
Pra, këtu është një thelb që ne si pjesë e këtij projekti do ta diskutojmë qoftë me Prokurorinë, qoftë me publikun, për t’i hapur rrugë rikthimit në të drejtë, jo thjeshtë atyre të cilëve iu janë grabitur pronat, po publikut shqiptar. Publikut shqiptar dhe të gjithë atyre gjeneratave që do të trashëgojnë këtë vend, që na e bënë copë-copë, që e kthyen në një zhele të shqyer nga të gjitha anët, nëpërmjet një bashkëpunimi në verbëri, të mashtruesve me tituj pronësie të falsifikuar dhe të pushtetarëve dhe të atyre që kishin në dorë qeverinë deri dje, të cilët verbërisht bashkëpunuan fajësisht në të gjithë këtë proces.
Ne jemi të bindur që batërdia gjatë shqyrtimit të padive të ngritura për njohje pronësie, ku çdo gjyqtar ka bërë rolin e komisionit të kthimit të pronës dhe ka kthyer prona si të ishte komision, si të ishte agjenci, si të ishte shtet, është një arsye themelore për të bërë një proces transparence dhe një gjyq të madh për gjithë këta personazhe, që nuk kanë lënë gjë pa i bërë Shqipërisë, në çdo fushë. Tek fusha e pronave i kanë bërë një hata të pashoqe dhe sigurisht kanë përfituar nga një sistem komplet abuziv, për shkak, nga njëra anë, të atij ligjit që thashë – 31 nene kishte derëziu ligj në 2004-n dhe 24 herë u ndryshua – dhe nga ana tjetër, të një sistemi komplet kaotik, pa asnjë rregull, pa asnjë kriter, pa asnjë procedurë, ku kush ka gjetur shesh, ka bërë përsheshin e vet.
Ka 22 muaj, që Agjencia ka filluar punën dhe nuk ka marrë vendime. Kjo sepse nuk është bërë pjesë dhe nuk jemi bërë pjesë e kësaj maskarade kriminale, e këtij bashkëpunimi në verbëri mes qeverisë së shkuar dhe mashtruesve, që si ndërmjetës kanë pasur bandën e gjykatësve, të përfshirë në këtë krim. Nga ana tjetër, sepse proceduat e legjislacionit në fuqi, siç e kanë thënë raportet e Bashkimit Europian, siç e kanë nënvizuar të gjithë ekspertët dhe ekspertizat në këtë proces, siç e ka nënvizuar pa na e thënë, por duke vepruar, Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut, janë procedura që vetëm rrisin pabarazinë, favorizojnë klientelizmin dhe ushqejnë korrupsionin dhe krimin. Madje jo vetëm krimin, në kuptimin krimin e grabitjes së një prone, po krimin e organizuar.
Në këtë proces, krimi i organizuar është bërë zot i këtij vendi. Në gjithë historinë e njohjeve të kthimeve dhe të imponimeve të pronësisë së padrejtë, fuqia e krimit të organizuar ka qenë determinonte dhe ka gllabëruar sipërfaqe të tëra tokash, jo vetëm të pronarëve, se na u bë Shqipëria sikur këtu të gjithë ishin pronarë që nga koha e Mbretëreshës Teuta, por edhe të publikut, edhe të të gjithë atyre familjeve dhe njerëzve të zakonshëm, që janë bashkëpronarë të këtij vendi dhe që kanë të drejtë të përfitojnë nga të mirat që krijohen prej administrimit publik të pronës së përbashkët të këtij vendi.
Faktikisht, historira pafund ka ky proces, që transparenca e realizuar nga ana jonë, ashtu siç e kemi premtuar, ka bërë të mundur që të dalin në sipërfaqe si fenomene, jo si pafundësi ngjarjesh, po si fenomene. Nga ana tjetër ka bërë të mundur që të vijmë me një reformë, që është radikale si të gjitha reformat tona, por që nuk do të ndalet dhe sigurisht që nuk e ndalin dot, as trashëgimtarët e amfiteatrove antike dhe as ata, të cilët janë përgjegjës për të gjithë këtë katastrofë që ne kemi trashëguar. Ne nuk mund t’i lëmë gjeneratave të tjera, jo vetëm këtë situatë me pronat, por dhe një mal me para, në formë ndëshkimesh nga Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut.
Kjo reformë është rezultat i shansit që kësaj qeverie, për shkak të këtij serioziteti, iu dha nga gjykata e Strasburgut, për të ndërmarrë masa konkrete në zbatim të rekomandimeve të saj, me qëllim një reformë reale, një reformë serioze dhe një reformë të mundshme. Jo ligje, si ato që bënte Partia Demokratike, që ishin për t’i shkelur syrin një grupi interesi elektoral dhe nga ana tjetër, për të shkelur nga të katër anët, liritë dhe të drejtat e njerëzve.
Është e sigurt që në 22 muaj, jo vetëm që arritëm të zbatojmë rekomandimet e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut dhe Planin e Veprimit që u miratua në zbatim të vendimit pilot të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, por sot arrijmë të dalim përpara popullit shqiptar dhe t’i themi me plot gojën se më në fund, Shqipëria ka një projektligj, që është reforma që çel rrugën e zgjidhjes përfundimtare të këtij problemi kaq të madh dhe që çel rrugën e zmbrapsjes përfundimtare të këtij kanceri, që po e ha Shqipërinë prej 20 e kusur vitesh, pasi doli nga gjendja e gjumit, sepse kanceri burimin e ka në vitin 1945, kur u shtetëzua çdo pronë dhe u mbyt çdo e drejtë mbi pronat.
Formula është e thjeshtë, është realiste dhe siguron përmbushjen e qëllimit, për të përmbyllur këtë proces mbi atë princip që Avokatja e Përgjithshme e Shtetit e shprehu shumë qartë: “Pronarët atë që u takon dhe shoqërisë shqiptare atë që i takon.”
Sot nuk mund të vijë dikush dhe të pretendojë përveç pronës që iu mor në 1945-n dhe vlerën e shtuar mbi të, që është kontribut i të gjithë shoqërisë. Kjo e para është e padrejtë, e dyta është e pamundur. Është e pamundur, siç është e pamundur të dialogosh me njerëz, të cilët thonë se dialogu fillon nga abrogimi i ligjit 7501 dhe nga abrogimi i çdo ligji dhe procedure për legalizim. Domethënë, dialogu fillon nga njëra anë, riskllavërimi i të gjithë njerëzve që jetojnë me tokën në Shqipëri dhe nga ana tjetër, nga “bombardimi” i të gjithë shtëpive të ndërtuara në këto 25 vjet, sipas tyre. Çfarë dialogu është ky!? Si mund të ketë dialog mbi këtë ide kaq marramendëse dhe kaq irealiste!? Aq më tepër që na dolën të gjithë pronarë dhe po t’i hymë historisë, ajo na tregon gjëra shumë të ndryshme. Siç na tregon se kullotat, ku kulloteshin delet dhe me lejen e turqve dhe turqit merrnin rentat e tyre, nuk është domosdoshmërisht që të konsiderohen prona, apo siç na tregon se prona të shpronësuara një herë nga Mbreti Zog, të shpronësuara nga qeveria e Italisë fashiste janë rimarrë, pra, mbasi ja kanë marrë tre herë lekët.
Por ne nuk duam të hyjmë në këtë valle, duke thënë thjesht dhe vetëm që synimi ynë është që ky proces të përmbyllet në të njëjtën kohë që synojmë të ulemi në tryezën e familjes europiane, 10 vjet.
10 vjet për të shkuar në tryezën e familjes europiane, si përfaqësues i një vendi që nuk ka probleme me pronën. Ky është synimi! Nga ana tjetër, 3-5 vjet për të mbyllur procesin e vlerësimit financiar të të gjithë këtij mali me dosje të akumuluar në çerek shekulli dhe për të ekzekutuar të gjitha vendimet e dhëna në këto 23 vite; 3 vjet për shqyrtimin e kërkesave të patrajtuara me vendim deri sot; 6 muaj për publikimin e mangësive teknike dhe ligjore të 26 000 vendimeve për kompensim; 6 muaj afat prekluziv për aplikimin e kërkesave të reja, pa i zvarritur qytetarët në dyert e gjykatave dhe sigurisht, paralelisht dhe reformën në drejtësi dhe hapjen e një beteje historike, dhëmbë për dhëmbë, me bandën e gjykatësve që ka marrë peng të gjithë sistemin tonë të drejtësisë dhe që ka operuar si një organizatë kriminale në raport me popullin shqiptar.
Kur them bandën, nuk kam parasysh të gjithë gjykatësit, ta kemi shumë të qartë, por kam parasysh bandën që ka marrë peng sistemin dhe që i ka bërë gjykatësit, njerëzit më të urryer të popullit shqiptar. Kjo është e vërteta, të themi çfarë të duam.
Së fundi, dëshiroj të theksoj se sakrifica shumë e madhe, e jashtëzakonshme, që të gjithë sëbashku do të bëjmë si taksapagues, për të kaluar nëpërmjet buxhetit tek fondi special i kompensimit të pronarëve, është gjesti më serioz që një qeveri shqiptare ka bërë ndaj pronarëve dhe për të drejtën e pronës që në vitin 1912. Përballë këtij gjesti, besoj se kush ka dy fije mend në kokë duhet të përulet me shumë respekt. Të gjitha historitë e tjera, me kompensimet 100% dhe me marrjet mbrapsht të 56 000 kilometrave katrorë Shqipëri, janë absurditete.
Ne jemi të vendosur që këtë reformë ta kalojmë, siç i kemi kaluar me vendosmëri reforma të tjera dhe siç do të vazhdojmë të kalojmë me vendosmëri të tjera reforma, sepse ne kemi marrë një mision: Ne duam të bëjmë shtet.
Dhe nuk mund të bëhet shtet, pa marrë në konsideratë faktin se çfarë kemi trashëguar nuk është shtet. E për të ngritur në këmbë këtë organizëm të rraskapitur nga kanceri në të gjithë organet e veta, duhen reforma radikale, që ne jemi të vendosur t’i çojë deri në fund.
Kjo reformë do të jetë një reformë, të cilës do t’i shohin hairin të gjithë ata që janë pronarë me të vërtetë dhe që kanë vuajtur me komunistët dhe me demokratikasit po njësoj dhe nuk kanë ngritur kokë, por njëkohësisht edhe publikun shqiptar, që nënkupton të gjithë njerëzit e zakonshme, të gjithë familjet e ndershme, të gjithë ata që respektojnë ligjin në këtë vend dhe që me të vërtetë nuk kanë trashëguar amfiteatro, por as nuk kanë cenuar asnjë centimetër katror të këtij vendi, për të ndërtuar në mënyrë të paligjshme. Atyre iu takon një falënderim i madh, sepse janë pjesë e një sakrifice shumë të madhe. Këtë sakrificë do ta bëjmë të gjithë sëbashku, këto para do të dalin nga kjo sakrificë dhe përmes kësaj sakrifice, ne do t’i heqim Shqipërisë, një njollë turpi të pashoqe, sepse jemi një vend që nuk e gjen jo në Europë, por në asnjë pjesë të globit, për çfarë i kemi punuar vetvetes, në një bashkëpunim kriminal mes mashtruesve dhe sekserëve, qeverisë dhe më ndërmjetësinë e bandës së gjykatësve, jo të korruptuar, por po aq të inkriminuar sa vetë krimi i organizuar.
Shumë faleminderit!