Postuar më: 24/10/2014

Qato: Të vendosur të zgjidhim përfundimisht cështjen e kthimit dhe kompensimit të pronave

Fjala e Drejtoreshës së Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të pronave, Sonila Qato, në tryezën me grupet e interesit për reformën ligjore dhe institucionale të AKKP-së:

Ju falenderoj Zoti Zv. Ministër dhe gjej rastin t’ju falenderoj për të gjithë përkushtimin tuaj në krah të AKKP-së për realizimin e reformës që duam të ndërmarrim në këtë fushë.

Të nderuar zotërinj,

Duke vlerësuar praninë tuaj në këtë tryezë, vlerësoj rolin shumë të rëndësishëm të secilit prej jush, të përfaqësuesve të pronarëve, ekspertëve dhe përfaqësuesve të organizatave të ftuara dhe të kolegëve; për të konsideruar këtë nismë si një nismë të përbashkët tonën për realizimin e kësaj reforme kaq të rëndësishme.

Çështja e së drejtës së pronësisë ka qenë dhe vijon të mbetet një nga problemet më serioze që has Shqipëria në rrugën e saj për ndërtimin e shtetit të së drejtës dhe respektimin e së drejtës së pronësisë.

Ajo përbën pengesë për zhvillimin ekonomik të vendit dhe në përgjithësi është pengesë “tejet serioze” në rrugën e saj të integrimit europian.

Në këto kushte dhe në zbatim të vendimeve të dhëna deri tani nga Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut (M. Puto dhe të tjerë v. Shqipërisë),Qeveria ka marrë përsipër të analizojë dhe të evitojë defektet strukturore që ka legjislacioni në fushën e të drejtave të pronësisë, duke paraqitur mekanizma efektivë të realizimit të tyre për t’i transformuar ato nga të drejta “teorike dhe iluzive” në të drejta “të prekshme dhe praktike”.

Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave në kuadër të zbatimit të Strategjisë Ndërsektoriale për Reformën në Fushën e Pronës dhe Plan Veprimit për zbatimin e vendimit pilot të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut “Manushaqe Puto dhe të tjerë kundër Shqipërisë”, ka ndërmarrë një sërë masash objektive për të realizuar:
• Transparencën e shumë kërkuar, qartësimin e tablosë dhe për të nxjerrë konkluzione konkrete me qëllim zgjidhjen e çështjes së pronës.
Në muajin tetor të vitit 2013, AKKP, institucioni i ngarkuar me ligj për të trajtuar çështjet e kthimit dhe kompensimit të pronave, nuk ishte në gjendje të prodhonte asnjë të dhënë zyrtare për procesin dhe vendimmarrjet përkatëse në këtë fushë.
Strategjia Sektoriale për pronat 2012 – 2020, kishte mbetur vetëm në letër dhe e paimplementuar, përsos faktit se, më shumë se strategji ajo pasqyron problematikat përkatëse, pa parashikuar zgjidhje dhe detyra konkrete për qeverinë dhe agjencitë e ngarkuara për çështjet e pronësisë.
Në AKKP identifikuam një arkivë të rrëmujshme dokumentash prone, të grumbulluara në të ashtuquajtura dosje të hedhura në shesh; ku presupozohej të kishte ushtruar aktivitet ky institucion për kthimin dhe kompensimin e pronave ndaj subjekteve të shpronësuar.
Rregullat e sanksionuara në legjislacionin në fuqi për ruajtjen dhe qarkullimin e dokumentacionit nuk njiheshin dhe jo më të respektoheshin.
Kjo gjendje i jepte krah dhe fuqi vetëm veprimeve korruptive të personave të papërgjegjshëm ndaj të drejtës së pronësisë.
Nevoja për realizimin e një transparence në procesin e kthimit dhe kompensimit të pronave, ishte një nevojë për të ç’bërë sistemin e mbyllur të ngritur pranë këtij institucioni, por jo vetëm, ishte nevojë për qeverinë fotografimi i këtij procesi, inventarizimi, regjistrimi, nxjerrja e të dhënave teknike dhe hartografike, përpunimi i tyre me qëllim realizimin e një reforme ligjore dhe institucionale jo më teorike, por të bazuar në problematikat e evidentuara mbas transparencës së këtij procesi të realizuar nga Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave nga muaji tetor deri më sot.
Kemi bërë publike çdo hap të agjencisë dhe kemi mirëpritur çdo sugjerim nga palët e interesuara në këtë proces, sikurse çdo konsultim me ekspertë të fushës do të jetë i vlefshëm për të finalizuar një reformë të suksesshme në këtë fushë.
Hapat e ndërmarra:
1. Realizuam evidentimin dhe regjistrimin e çdo informacioni gjatë procesit të njohjes, kthimit dhe kompensimit të pronës, duke krijuar për herë të parë një databazë të plotë elektronike, “Regjistri Elektronik” për të gjitha dosjet që janë trajtuar me vendime nga ish-KKKP, ZRKKP apo AKKP.
Ky regjistër u përfundua dhe u publikua online në faqen e ëeb-it të AKKP-së në muajin korrik të 2014 dhe aktualisht jemi në fazën e konsultimit publik të këtij regjistri, me qëllim plotësimin, saktësimin e informacionit në të përmes njoftimeve nga qytetarët dhe pronarët e interesuar.
Krijuam regjistrin themeltar dhe elektronik të vendimmarrjes se kthimit dhe kompensimit të pronave nga viti 1993 deri më sot duke saktësuar të dhëna për:
i. subjektin e shpronësuar
ii. subjektin kërkues pranë Agjencisë
iii. Qarkun, Rrethin, Bashkinë, Komunën ku ndodhet prona
iv. Zona kadastrale
v. Lloji I pasurisë dhe kategoritë përkatëse
vi. Llojin e vendimmarrjes sipas përcaktimeve në legjislacionin në fuqi
vii. Të dhënat në dispozitivin e vendimmarrjes
viii. Sipërfaqet e pretenduara, të njohura, të kthyera, të kompensuara, e të drejtat e tjera të përcaktuara në vendim
ix. Vendimet e gjykatave të formës së prerë, aty ku kemi të dhëna zyrtare të këtyre vendimeve
x. Problematika të identifikuara, si psh faktin nëse vendimet janë shoqëruar me hartat përkatëse apo jo.

2. Ky regjistër i vendimmarrjes 23 vjeçare ishte produkt i dixhitalizimit të arkivës së AKKP-se dhe skanimit të të gjithë vendimmarrjes përkatëse gjatë këtyre viteve.

3. AKKP vijon punën për përditësimin e këtij regjistri përmes një marrëveshje bashkëpunimi të lidhur midis AKKP dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivës së Shtetit, e cila do të sigurojë krijimin e arkivës Teknike shkencore të AKKP. Në përfundim të këtij procesi dhe mbas një bashkëpunimi edhe me arkivat e atyre Bashkive ku kemi të dhëna për dosje të kthimit dhe kompensimit të pronave, do të finalizohet edhe regjistri themeltar i vendimmarrjes së kthimit dhe kompensimit te pronave në këto 23 vjet.

4. Me qëllim vendosjen e një ligjshmërie dhe komunikimi transparent me qytetarët, trashëgimtarë ligjore të subjekteve të shpronësuar, AKKP ka miratuar Rregulloren e qarkullimit të dokumentave zyrtare dhe arkivore dhe mënyrën e dhënies së informacionit në marrëdhëniet me publikun.
Kjo masë e marrë nga ana jonë vjen si pasojë e abuzivizmit që është bërë gjatë gjithë këtyre viteve me dokumentat pronësore të administruara nga ana e këtij institucioni, duke rritur numrin e konflikteve gjyqësore mes palëve.
Kemi vendosur rregull bazuar në legjislacionin në fuqi për arkivat dhe për të drejtën e qytetarëve për informim pranë institucioneve publike.
5. Duke patur një ide të qartë të situatës në Agjenci, identifikuam se në Institucion nuk janë siç është raportuar, të paktën 4 vitet e fundit, 7300 dosje për shqyrtim por më shumë, 8343 dosje që ende presin vendimmarrje.

Agjencia ka marrë përsipër përgjegjësinë për fillimin e shqyrtimit të të gjitha dosjeve pa vendim, në mënyrë të unifikuar dhe ka marrë masa konkrete për nxjerrjen nga arkiva të të gjitha atyre dosjeve për të cilat gjatë 4 viteve të fundit administratorët e mëparshëm nuk kanë ushtruar iniciativën e shqyrtimit dhe hetimit administrativ të tyre.
6. Në funksion të një procesi të rregullt ligjor për vendimmarrjen, që do të ndërmerret në raport me dosjet e pashqyrtuara, AKKP ka filluar nga puna konkrete duke realizuar hapin e parë të punës me hedhjen në harte dixhitale të të gjitha aplikimeve të bazuara në nenin 22 të ligjit për kthimin dhe kompensimin e pronave, në 12 Qarqet e RSH.

7. Gjithashtu, paralelisht, në mbështetje nga donatore, AKKP finalizoi projektin pilot të pozicionimit hartografik dhe hedhjen e të dhënave tekniko – ligjore të të gjithë vendimmarrjes së realizuar nga viti 1993-2013 në Qarkun e Vlorës.
Përmes këtij projekti, të cilin duam ta shtrijmë në të gjithë territorin e RSH, është arritur të realizohet transparenca e vendimmarrjes 21 vjeçare në Qarkun e Vlorës si dhe fatura e kompensimit në këtë qark.
Projekti rezulton i kënaqshëm jo vetëm për pozicionimin gjeografik të vendimmarrjes së deri tanishme, por edhe për pozicionimin hartografik të pretendimeve në shqyrtim e sipër në Qarkun e Vlorës, me qëllim shmangien e vendimeve me mbivendosje dhe konflikte gjyqësore mes palëve.
Gjithashtu ky projekt, sikurse dhe regjistri elektronik, nxori si problematikë faktin se një përqindje e konsiderueshme e vendimmarrjes në vite janë të pashoqëruara nga hartat përkatëse, të cilat janë shumë të domosdoshme, sidomos për procesin reformues që duam të ndërmarrim për kthimin dhe kompensimin e pronarëve.
8. Ambicia e AKKP –së për të realizuar pozicionimin hartografik të vendimmarrjes në të gjithë territorin e Shqipërisë, ndikon në një vendimmarrje të drejtë deri në mbylljen e shqyrtimit të dosjeve ende pa vendim, por mbi të gjitha në identifikimin e një fature kompensimi të saktë, pa mbivendosje, të drejtë dhe reale.

Ashtu sikurse ju jeni në dijeni, jemi në proces kompensimi të vendimeve për kompensim deri në vitin ’95, shumë pak kjo në raport me vendimmarrjen përkatëse në 20 vjet.

9. Përmes Regjistrit të plotë të vendimmarrjes së kthimit dhe kompensimit të pronave nga viti 1993 deri më sot, Sektori i Kompensimit në AKKP po krijon ‘Regjistrin Elektronik të Vendimeve për Kompensim’, regjistër ky i cili do të jetë baza e punës së Agjencisë dhe Qeverisë për përllogaritjen e Faturës së kompensimit, si detyrim ky i përcaktuar edhe në vendimin pilot të GJEDNj “Manushaqe Puto e etj kundër Shtetit Shqiptar”.

Për herë të parë në këto 23 vjet, jemi shumë pranë nxjerrjes së një fature të detyrimit të shtetit shqiptar ndaj pronarëve të shpronësuar nga regjimi i kaluar.

Kjo shënon hapin e parë për fillimin nga puna të Reformës konkrete në fushën e kthimit, por mbi të gjitha të kompensimit të pronarëve, përmes Rishikimit të formulës dhe krijimit të instrumentave efikase të kompensimit, detyrë edhe kjo e përcaktuar në Strategjinë dhe Plan Veprimin e nxjerrë në zbatim të vendimit pilot të Gjykatës së Strasburgut.

Aktualisht po punojmë për finalizimin e Regjistrit të Vendimeve për kompensim ’93-2013, të ndare sipas kategorive së tokës, regjistër ky që do të na ndihmoje në përgatitjen e një skeme të qartë për kompensimin e pronareve, në zbatim të vendimit të Gjykatës se Strasburgut, për të eliminuar shkeljet e konstatuara nga kjo gjykatë të Konventës EDNJ.

10. Gjithashtu duke konstatuar numrin e ulët gjatë 4 viteve të fundit të përfituesve të fondit nga ALUIZNI për kompensimin financiar të pronarëve, toka e të cilëve është zënë nga ndërtimet informale në proces legalizimi, Agjencia është bërë iniciatore me propozime konkrete pranë Ministrisë së Drejtësisë, për rishikimin e VKM-së në fuqi për ndarjen e fondit, me qëllim lehtësimin e procedurave që duhet të ndjekin këta pronare për të marre kompensimin e caktuar sipas fondit të vënë çdo vit nga Qeveria për këtë kategori.
11. Harta e vlerës së tokës është një tjetër instrument i reformës që duam të ndërmarrim. Rishikimi i metodologjisë për përcaktimet e ccmimeve referuese sipas kategorive të tokës, është një nevojë të cilën e imponon jo vetëm tregu por edhe nevoja për zhvillimin ekonomik dhe dhënies së një vlere reale pronës.

12. Paralelisht, Agjencia ka punuar për identifikimin, verifikimin e statusit juridik të pronave shtet të vena deri më sot në dispozicion të Fondit Fizik të pronarëve, duke kryer veprimet e para proceduriale të rezervimit të fondit me status të pastër juridik “shtet” pranë ZVRPP.

Me Urdhër të Kryeministrit janë ngritur dhe po punojnë dy grupe ndërinstitucionale punë, nën drejtimin e ZV/Kryeministrit. Këto grupe pune janë ngarkuar të identifikojnë dhe të dërgojnë për miratim në qeveri fondin fizik tokë bujqësore prej 25 mijë ha, si dhe të inventarizojnë ato pasuri prona shtet dhe publike të cilat do të vihen në dispozicion të fondit fizik për kompensimin.

Grupi i parë i punës e përfundon misionin e tij në fund të këtij muaji dhe do të çojë brenda afatit të përcaktuar në Qeveri për miratim fondin fizik të pronës tokë bujqësore.

Në bashkëpunim të ngushtë me ZQRPP, Ministrinë e Brendshme, Ministrinë e Bujqësisë dhe Ministrinë e Ekonomisë dhe Sipërmarrjes, do të krijohet për herë të parë një fond fizik për kompensimin e pronarëve, i identifikuar në terren, i materializuar hartografikisht dhe i verifikuar në statusin juridik si pronë shtet pa konflikte.

13. Aktualisht, AKKP është në prag të një reforme institucionale dhe ligjore.

Qëllimi është realizimi i një procesi të drejtë dhe ligjor për përfundimin brenda një afati të arsyeshëm të procesit të kthimit dhe kompensimit të pronave.
Ne duam të ndërmarrim një proces reformues, i cili të prodhojë një institucion që do ta trajtojë pronën si element për zhvillimin ekonomik të të gjithë vendit, ku pronari të shihet si partner me Qeverinë për të zhvilluar projekte në të gjithë territorin.
Duam të realizojmë nga njëra anë – një proces për kthimin e pronës në mënyrë të unifikuar dhe në zbatim të planeve zhvillimore dhe strategjike të Qeverise sipas rregullave të përcaktuara dhe nga ana tjetër- një proces kompensimi të bazuar në parimet kushtetuese për një shpërblim të drejtë për pronaret dhe real për buxhetin e shtetit.

14. Ministria e Drejtësisë ka ndërmarrë hapa serioze për rishikimin e të gjithë kuadrit ligjor në fuqi për fushën e pronave, si dhe ka qenë në rol aktiv, së bashku me Avokaturën e Shtetit, pranë Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut me qëllim që kjo reformë të asistohet nga eksperte të kësaj fushe.

15. Në faqen zyrtare WEB të AKKP –së kemi hapur adresën sugjerime@akkp.gov.al ku mirëpresim të gjitha sugjerimet tuaja ndaj reformës që duam të ndërmarrim.
Kërkojmë dhe vlerësojmë çdo kontribut, çdo mendim, duke qenë të hapur të shqyrtojmë platformat tuaja si dhe argumentat teknike dhe ligjore me qëllim për të realizuar një reforme sa më transparente dhe gjithëpërfshirëse në fushën e kthimit dhe kompensimit të pronave.
Kjo tryezë shënon vetëm takimin e parë, ndërkohë që takime të tjera me grupe më të vogla dhe me informacione apo shkëmbime idesh konkrete do të organizojmë në vijim.
Jemi te gatshëm së bashku me stafin e AKKP-se, të ndajmë çdo mendim dhe të reflektojmë çdo sugjerim tuajin në funksion të kësaj reforme.

Ju faleminderit!

© Agjencia e Trajtimit të Pronave 2022 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.