Takim pune me ekspertët e Bankës Botërore

Sot pranë AKKP-së u zhvillua një takim i frytshëm pune me ekspertë ndërkombëtarë nga Banka Botërore në kuadër të programit të Qeverisë për procesin e reformimit ligjor dhe institucional.

Pjesë e rëndësishme e kësaj reforme dhe ligjit te ri është gjetja e një formule të re, realiste dhe efikase për kompensimin e subjekteve të shpronësuar , temë e cila u diskutua gjerësisht sot me ekspertët nga Banka Botërore.

Ekspertët e Bankës Botërore të cilët do punojnë intensivisht  me stafin  e Agjencisë për formulën e re , e cila do te realizoje plotësimin brenda një afati të arsyeshëm të së drejtës së pronësisë për subjektet e shpronësuar u shprehën pozitivisht për hapat e ndërmarrë deri tani.

Në zbatim të programit të Qeverisë dhe të vendimit pilot “Manushaqe Puto” është realizuar një analizë e hollësishme e ligjit dhe akteve nënligjore mbi çështjen e kthimit dhe kompensimit të pronës duke evidentuar ato masa të cilat do të çonin në përfundimin e procesit të shqyrtimit administrativ për dosjet e mbetura pa vendim përfundimtar si dhe do te sillnin realizimin efektiv të të drejtës së pronësisë për subjektet e shpronësuar.

Me anë të kësaj Reforme synohet të plotësohen detyrat e vendosura nga vendimi pilot i Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut për Qeverinë shqiptare dhe kjo Reformë pritet të përfundojë brenda muajit Prill 2015.
Procesi reformues do të prodhojë një institucion i cili do ta trajtojë  pronën si element për zhvillimin ekonomik të gjithë vendit, ku pronari të shihet si partner me qeverinë për të zhvilluar projekte në të gjithë territorin. Do të realizojë një proces për kthimin e pronës në mënyrë të unifikuar dhe në zbatim të planeve zhvillimore dhe strategjike të qeverisë sipas rregullave të përcaktuara dhe një proces kompensimi të bazuar në parimet kushtetuese për një shpërblim të drejtë për pronaret dhe real për buxhetin e shtetit.
Përfshirja e ekspertëve të huaj dhe asistenca e vazhdueshme për të marrë eksperiencë nga praktikat më të mira ndërkombëtare është tejet e rëndësishme në realizimin e këtij prioriteti kyç te Qeverisë shqiptare.