Vendim i KM Nr.255 Datë 13.4.2010

VENDIM

Nr.255, datë 13.4.2010

PËR PROCEDURAT E MBLEDHJES, PËRPUNIMIT DHE ADMINISTRIMIT TË AKTEVE TË SUBJEKTEVE TË SHPRONËSUARA, GJATË PROCESIT TË NJOHJES DHE KTHIMIT APO KOMPENSIMIT TË PRONËS

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 5 të nenit 15 të ligjit nr.9235, datë 29.7.2004 “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”, të ndryshuar, me propozimin e Ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave

VENDOSI:

Mbledhja, përpunimi dhe administrimi i akteve të subjekteve të shpronësuara, gjatë procesit të njohjes dhe kthimit apo kompensimit të pronës, të bëhet sipas këtyre procedurave:

I. Mbledhja e akteve

1. Subjekti i shpronësuar depoziton, drejtpërdrejt ose nëpërmjet postës, në sekretarinë e AKKP-së, kërkesën e motivuar për njohjen dhe kthimin apo kompensimin e pronës, shoqëruar me dokumentacionin e nevojshëm, sipas këtij vendimi, me të cilin provon pretendimet e tij.

2. Kërkesa e subjektit të shpronësuar duhet të jetë sipas formularit tip, të miratuar nga Ministri i Drejtësisë, me propozim të drejtorit të Përgjithshëm të AKKP-së. Formulari tip nënshkruhet nga subjekti i shpronësuar ose përfaqësuesi i tij me prokurë. Formulari tip përmban një paralajmërim, që ngarkon me përgjegjësi sipas ligjit subjektin kërkues, në rast të deklarimit të të dhënave të rreme apo depozitimit të dokumentacionit të falsifikuar.

3. Dokumentacioni shoqërues, që vërteton pronësinë e subjektit të shpronësuar, përbëhet nga:

a) dokumentacioni ligjor;

b) dokumentacioni hartografik.

Në çdo rast që subjekti depoziton kërkesë të re, sipas një vendimi gjyqësor për rivendosje në afat, pjesë e dokumentacionit shoqërues është edhe vendimi i gjykatës për rivendosjen në afat.

4. Dokumentacioni ligjor përbëhet, sipas rastit, nga:

a) vërtetimi i pronësisë, shoqëruar me kopje të njehsuar të fletës përkatëse të regjistrit hipotekor, të lëshuar nga zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme, për efekt të kthimit dhe kompensimit të pronave;

b) dokumenti kadastral, shoqëruar me kopje të njehsuar të fletës përkatëse të regjistrit kadastral, pranë zyrave të administrimit dhe mbrojtjes së tokës, në këshillin e qarkut;

c) vendimi gjyqësor i formës së prerë, së bashku me hartën e pasurisë, të vulosura nga gjykata, si dhe aktekspertimi, në rast se gjatë gjykimit të çështjes në gjykatë është kryer një i tillë;

ç) dokumenti që vërteton heqjen ose marrjen e së drejtës së pronësisë nga shteti subjektit të shpronësuar, sipas akteve ligjore e nënligjore, vendimeve penale të gjykatave ose në çdo mënyrë tjetër të padrejtë që nga data 29.11.1944, apo dokumenti për pasuritë e paluajtshme të shtetasve shqiptarë, të krijuara përpara datës 7 prill 1939, të cilat janë sekuestruar sipas nenit 14 të ligjit nr.37, datë 13.1.1945 “Ligja e tatimit të jashtëzakonshëm për fitimet e luftës”;

d) vendimet e mëparshme të ish-Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, vendimet e Komisionit/Komitetit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, të cilat janë marrë përpara hyrjes në fuqi të ligjit nr.9583, datë 17.7.2006 “Për disa shtesa e ndryshime në ligjin nr.9235, datë 29.7.2004 “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”, të ndryshuar”;

dh) dokumenti i lëshuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (kur dokumente si akttranskripti, aktpjesëtim pasurie, aktshitjeje apo fletë regjistri kadastral, dokumente që vërtetojnë shpronësimin, konfiskimin apo shtetëzimin e pronës janë të depozituara në të), si dhe çdo dokument tjetër i lëshuar nga institucionet shtetërore, me vlerë provuese në hetimin administrativ të çështjes në shqyrtim;

e) dokumenti i lëshuar nga arkivi hipotekor (pranë zyrës së regjistrimit të pasurive të paluajtshme);

ë) çdo dokument tjetër ligjor, i nevojshëm për zgjidhjen e drejtë të çështjes.

5. Dokumentacioni hartografik për pozicionin gjeografik të pronës, i cili përbëhet, sipas rastit, nga:

a) dokumentacioni hartografik i mëparshëm, që i takon kohës nga fitimi i së drejtës së pronësisë deri në marrjen e padrejtë të pronës nga shteti. Ky dokumentacion përmban çdo të dhënë topografike dhe hartografike, të konfirmuar nga institucioni shtetëror që e administron atë dhe mund të sigurohet nga:

i) ministria përgjegjëse për punët publike, e cila ka në varësi Arkivin Qendror Teknik dhe degët e tij në rrethe, ose nga Instituti Gjeografik Ushtarak;

ii) departamenti i shërbimit të tokës dhe ujit (ish-Instituti i Studimit të Tokave) në QTTB, Fushë-Krujë;

iii) Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave;

iv) Drejtoria e Shërbimit Pyjor (arkivi i kadastrës pyjore);

v) bashkia/qarku (arkivi hartografik i urbanistikës);

vi) këshilli i qarkut (zyra e administrimit dhe mbrojtjes së tokës);

vii) çdo institucion tjetër shtetëror që disponon të dhëna për vendndodhjen e pronave.

b) dokumentacioni hartografik aktual, i cili përmban çdo të dhënë topografike dhe hartografike të pronës së pretenduar të pasqyruar në hartën aktuale dhe të konfirmuar nga institucioni që e administron atë. Harta mund të sigurohet në një nga institucionet e poshtëshënuara:

i) Zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme, për të gjitha zonat urbane dhe për zonat rurale, ku është bërë regjistrimi;

ii) Drejtoria e Shërbimit Pyjor, për pyjet e kullotat dhe tokat e tjera jobujqësore;

iii) këshilli i qarkut (zyra e administrimit dhe mbrojtjes së tokës), për tokat bujqësore të paregjistruara, dhe tokat e tjera jobujqësore;

iv) njësitë e legalizimit, pranë organeve të qeverisjes vendore apo Agjencia e Legalizimeve dhe Urbanizimit të Zonave Informale (ALUIZNI), të krijuara sipas ligjit nr.9482, datë 16.2.2006 “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar.

6. Subjekti i shpronësuar paraqet, pranë AKKP-së, kërkesën e motivuar për kompensimin e pronës, shoqëruar me dokumentacionin, si më poshtë vijon:

a) kërkesën, e nënshkruar, të subjektit të shpronësuar apo të përfaqësuesit të tij me prokurë, sipas dhe në zbatim të formularit tip, të miratuar nga Ministri i Drejtësisë, me propozimin e drejtorit të Përgjithshëm të AKKP-së, në të cilën përcaktohet edhe njëra nga format e kërkuara të kompensimit, të parashikuara në nenin 11 të ligjit;

b) vendimin e AKKP-së apo të ish-komisioneve të kthimit dhe kompensimit të pronave për pasurinë e paluajtshme, të njohur për t’u kompensuar;

c) deklaratën personale për heqje dorë nga e drejta e parablerjes, sipas formularit tip, të miratuar nga Ministri i Drejtësisë, me propozimin e drejtorit të Përgjithshëm të AKKP-së;

ç) çdo dokument ligjor që provon lidhjen e ligjshme të kërkuesit me subjektin e shpronësuar.

II. Administrimi i akteve

7. Në rastet kur AKKP-ja konstaton mungesë në dokumentacion, subjektit të shpronësuar i kërkohet plotësimi i dosjes përkatëse, brenda 30 ditëve nga çasti i marrjes së njoftimit për plotësim dokumentacioni. Plotësimet mund të bëhen për të gjitha dosjet e paraqitura për shqyrtim në ish-zyrat rajonale të AKKP-së në qark, para datës 31.12.2008, ose edhe për dosjet e subjekteve pas kësaj date, të cilat, në bazë të vendimeve gjyqësore të formës së prerë, janë rivendosur në afat.

8. Çdo subjekt i shpronësuar ka të drejtë të pajiset, nga sekretaria e AKKP-së, me vërtetimin përkatës për numrin e protokollit të dosjes së regjistruar, që tregon edhe datën e dorëzimit të kërkesës dhe dokumenteve të tij.

9. Kërkesat e subjekteve të shpronësuara, të cilat depozitohen nëpërmjet shërbimit postar dhe kanë mangësi në dokumentacionin shoqërues, gjë që e bën të pamundur vlerësimin e tyre, do t’i kthehen kërkuesit në adresën e dhënë, duke i kërkuar plotësimin e dokumentacionit në mënyrë të hollësishme, sipas dispozitave të këtij vendimi. Kërkesa, së cilës i mungon adresa e saktë postare, vlerësohet jo e mirëqenë dhe riaktivizohet vetëm me interesimin e kërkuesit pranë zyrave të AKKP-së. Në çastin e konstatimit, nga struktura përkatëse e AKKP-së, bëhet shpallja publike në mjediset e AKKP-së dhe në njësitë e qeverisjes vendore, ku ndodhet prona, objekt pretendimi. Kërkesa e subjektit të interesuar pranohet brenda një afati 3-mujor nga data e konstatimit, në të kundërt kërkesa e subjektit nuk pranohet, me vendim të drejtorit të Përgjithshëm të AKKP.

10. AKKP-ja pranon dhe administron kërkesat e subjekteve të shpronësuara kundrejt tarifave të përcaktuara, me urdhër të përbashkët të Ministrit të Drejtësisë dhe të Ministrit të Financave.

III. Përpunimi i akteve

11. AKKP-ja, në varësi të objektit të kërkesës së subjektit të shpronësuar, bashkërendon punën me institucione të treta, duke kërkuar dokumente të nevojshme për vërtetimin e gjendjes juridike apo fizike të pronës, si dhe konfirmimin e dokumentacionit tekniko-ligjor të depozituar nga subjekti. Ky dokumentacion, sipas rastit, mund të kërkohet nga një ose disa prej institucioneve të mëposhtme:

a) Zyra vendore e regjistrimit të pasurive të paluajtshme (ZVRPP), për gjendjen juridike të pronës;

b) njësitë e qeverisjes vendore, për pronat që i shërbejnë një interesi publik dhe për të cilat bëhet propozimi për tjetërsim;

c) bashkia (drejtoria e përgjithshme e urbanistikës), komuna, këshilli i qarkut (drejtoria e urbanistikës apo njësitë e legalizimit për konfirmimin e gjendjes së trojeve dhe të ndërtesave;

ç) Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës apo organet në varësi të saj, për pronat për të cilat ka humbur interesi publik dhe janë në pritje të procesit të privatizimit, për pronat e përmbytura nga hidrocentralet dhe nëse për këto prona ka pasur përfitim sipas legjislacionit për shpronësimet për interes publik;

d) Ministria e Mbrojtjes dhe Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit;

dh) Agjencia e Legalizimit dhe Urbanizimit të Zonave Informale;

e) Enti Kombëtar i Banesave;

ë) çdo institucion tjetër shtetëror, i cili ka në administrim pronën apo që mund të japë informacion për të.

12. Të gjitha kërkesat për njohje dhe kthim të pronës, të paraqitura në zyrat e AKKP-së, shqyrtohen sipas rendit kronologjik të paraqitjes së tyre. Mënyra e trajtimit, shqyrtimit dhe e dhënies së vendimit për kërkesat apo ankesat e subjekteve të shpronësuara, bëhet në përputhje me ligjin nr.9235, datë 29.7.2004 “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”, të ndryshuar, dhe akteve nënligjore të dala në bazë dhe për zbatim të tij.

13. AKKP-ja, pas shqyrtimit të kërkesës dhe marrjes së vendimit, pajis subjektet e shpronësuara me dokumentin përkatës për njohjen, masën dhe mënyrën e kthimit ose të kompensimit të pronës. Në rastin kur AKKP-ja nuk e pranon/rrëzon kërkesën/ankesën e subjektit, i jep subjektit të shpronësuar një kopje të vendimit të mospranimit/rrëzimit.

14. Ngarkohet Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave për zbatimin e këtij vendimi.

15. Vendimi i Këshillit të Ministrave nr.747, datë 9.11.2006 “Për procedurat e mbledhjes, të përpunimit dhe administrimit të kërkesave të subjekteve të shpronësuara gjatë procesit të njohjes, kthimit apo kompensimit të pronës”, shfuqizohet. Kërkesat e paraqitura pranë ish-zyrave rajonale të AKKP-së apo ankesat e paraqitura në AKKP, bazuar në vendimin nr.747, datë 9.11.2006 të Këshillit të Ministrave, për të cilat ende nuk është dhënë vendim, vazhdojnë të shqyrtohen nga AKKP-ja, sipas rregullave të përcaktuara në këtë vendim.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.

KRYEMINISTRI

Sali Berisha