Vendim i KM Nr.256 Datë 13.4.2010

VENDIM

Nr.256, datë 13.4.2010

PËR MËNYRËN E ORGANIZIMIT DHE TË FUNKSIONIMIT TË AGJENCISË SË KTHIMIT DHE KOMPENSIMIT TË PRONAVE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 5 të nenit 15 të ligjit nr.9235, datë 29.7.2004 “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”, të ndryshuar, me propozimin e Ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave

VENDOSI:

1. Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave në Republikën e Shqipërisë, më poshtë e quajtur AKKP-ja, është person juridik publik, me qendër në Tiranë, në varësi të Ministrit të Drejtësisë.

2. AKKP-ja përmbush objektivat, kryen detyrat dhe ushtron përgjegjësitë në përputhje me përcaktimet e bëra në ligjin nr.9235, datë 29.7.2004 “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”, të ndryshuar.

3. AKKP-ja, gjatë ushtrimit të veprimtarisë, është e hapur për publikun dhe në shërbim të subjekteve të shpronësuara apo të trashëgimtarëve të tyre, gjatë të gjithë orarit zyrtar të punës. Çdo kufizim, brenda orarit zyrtar, për aplikim, plotësim dokumentacioni, takim, këshillim, me punonjësit e AKKP-së, përcaktohet me urdhër të brendshëm të drejtorit të Përgjithshëm të kësaj Agjencie.

4. Organika dhe struktura e AKKP-së përcaktohen me urdhër të Kryeministrit, me propozimin e Ministrit të Drejtësisë, në përputhje me nenin 10 të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003 “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”.
5. AKKP-ja drejtohet nga drejtori i Përgjithshëm dhe 2 (dy) zëvendësdrejtorë të Përgjithshëm.

6. Drejtori i Përgjithshëm, përveç detyrave dhe përgjegjësive të parashikuara në ligj, ushtron dhe këto përgjegjësi:

a) Drejton AKKP-në dhe e përfaqëson atë në marrëdhënie me të tretët.
b) Autorizon kryerjen e veprimeve të caktuara nga zyrtarë të tjerë të AKKP-së për përmbushjen e detyrave të saj.

c) Raporton, informon dhe i relaton për veprimtarinë e AKKP-së Ministrit të Drejtësisë, si dhe zbaton urdhrat dhe udhëzimet e tij.

ç) Raporton në institucionet kushtetuese, sipas këtij vendimi.

7. Dy zëvendësdrejtorët e Përgjithshëm drejtojnë, përkatësisht, strukturat e mëposhtme:
a) Drejtorinë e Kthimit të Pronave, përgjegjëse për:

i) shqyrtimin në kohë, dhe ndjekjen e zgjidhjen, sipas ligjit, të kërkesave të subjekteve të shpronësuara;

ii) përditësimin e të dhënave në regjistër për çështjet e shqyrtuara (njohje, kthim apo kompensim pronash);

iii) regjistrimin pranë zyrës së regjistrimit të pasurive të paluajtshme të vendimeve, ku disponohet, në favor të subjektit të shpronësuar, e drejta e pronësisë për pasuri të paluajtshme apo të drejta reale të lidhura me to;

iv) çdo detyrë tjetër, të caktuar nga drejtori i Përgjithshëm i AKKP-së.

b) Drejtorinë e Kompensimit të Pronave, përgjegjëse për:

i) evidentimin e subjekteve dhe përgatitjen e të dhënave të regjistrit për subjektet e shpronësuara, të cilëve iu është njohur e drejta për kompensim dhe që ende nuk e kanë përfituar atë;

ii) përllogaritjen e faturës financiare;

iii) administrimin dhe shpërndarjen, sipas ligjit, të fondit të kompensimit, të vënë në dispozicion;
iv) shqyrtimin dhe vlerësimin e kërkesave për tjetërsim të sipërfaqeve, pronë shtetërore, për llogari të fondit të kompensimit financiar;

v) çdo detyrë tjetër, të caktuar nga drejtori i Përgjithshëm i AKKP-së.

8. Drejtori i Përgjithshëm i AKKP-së emërohet, lirohet dhe shkarkohet nga detyra nga Këshilli i Ministrave, me propozimin e Kryeministrit, ndërsa 2 zëvendësdrejtorët e Përgjithshëm emërohen, lirohen dhe shkarkohen nga detyra nga Kryeministri, me propozimin e ministrit të Drejtësisë. Drejtori i Përgjithshëm dhe 2 (dy) zëvendësdrejtorët e Përgjithshëm propozohen nga radhët e personave të aftë profesionalisht, me përvojë në drejtim dhe me integritet të lartë personal.

Kryeministri, në urdhrin e emërimit, përcakton zëvendësdrejtorin përgjegjës, i cili, në mungesë të drejtorit të Përgjithshëm, ka të drejtën të ushtrojë detyrat e përgjegjësitë, për përfaqësimin e AKKP-së, për çështjet e përcaktuara në ligjin nr.9235, datë 29.7.2004 “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”, të ndryshuar.

9. Kur vendi mbetet vakant për më shumë se 10 (dhjetë) ditë kalendarike, detyrat dhe përgjegjësitë e drejtorit të Përgjithshëm të AKKP-së, në zbatim të ligjit nr.9235, datë 29.7.2004 “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”, të ndryshuar, ushtrohen, drejtpërdrejt, në përputhje me nenin 34 të ligjit nr.8485, datë 12.5.1999 “Kodi i Procedurave Administrative të Republikës së Shqipërisë”, nga zëvendësdrejtori i Përgjithshëm, që mban këtë tagër, sipas përcaktimit të bërë në urdhrin e emërimit të tij në detyrë. Në çdo rast, AKKP-ja evidenton në regjistrat e saj, në mënyrë të saktë, periudhën e zëvendësimit dhe e bën publike për çdo të interesuar edhe në faqen e internetit të Agjencisë. Ky informacion përditësohet çdo muaj.

Për çdo detyrë a përgjegjësi tjetër, zëvendësimi ose delegimi kryhet në përputhje me legjislacionin në fuqi.

10. Dy zëvendësdrejtorët e Përgjithshëm i raportojnë me shkrim, një herë në muaj, drejtorit të Përgjithshëm të AKKP-së. Raporti përmban të dhëna:
a) të përgjithshme për ecurinë e procesit të njohjes, të kthimit e të kompensimit të pronave dhe për mbarëvajtjen e këtij procesi, përfshirë të dhëna për masën e sipërfaqes së njohur, të kthyer dhe atë të njohur për kompensim, dhe, sipas rastit, edhe për përcaktimin e zërit kadastral të saj, si dhe për vlerën e kompensuar;

b) për numrin e kërkesave të paraqitura nga subjektet e shpronësuara për realizimin e së drejtës së njohur për kompensim, vlerën dhe llojin e pasurisë, objekt kërkimi;
c) për numrin e kërkesave të shqyrtuara e për raportet e kthimit e të kompensimit,

indeksin e saktë të çështjeve të pranuara apo të rrëzuara;
ç) për nivelin e bashkëpunimit me institucionet e tjera shtetërore dhe për problematikat e hasura;
d) për indeksin e rasteve të ankimit gjyqësor dhe për ecurinë e çështjeve në gjykatë;
dh) për indeksin e vendimeve të njohura për kompensim dhe të atyre të njohura me të drejtë parablerjeje, në përputhje me regjistrin e subjekteve, që u është njohur e drejta për t’u kompensuar ose e drejta e parablerjes;
e) për informatizimin dhe përditësimin e regjistrit dixhital të arkivit të AKKP-së;
ë) për përditësimin e hartës së vlerës dhe çdo lloj projekti tjetër, që ka të bëjë me dixhitalizimin e të dhënave të pronësisë;
f) të tjera, që mund të kërkohen nga drejtori i Përgjithshëm.
Raporti për drejtorin e Përgjithshëm duhet të përmbajë edhe informacion për mënyrën e zbatimit të politikës, performancën e personelit të punësuar, zbatimin e ndjekjen e buxhetit, zbatimin e detyrave e të përgjegjësive, të lëna nga drejtori i Përgjithshëm, raportet e Departamentit të Kontrollit të Brendshëm Administrativ dhe Antikorrupsionit,në Kryeministri, apo raportet e Kontrollit të Lartë të Shtetit.

11. AKKP-ja, nëpërmjet strukturave të saj, pranon, ndjek, plotëson, shqyrton apo heton administrativisht, kërkesat e subjekteve të shpronësuara dhe i ushtron funksionet e veta në përputhje me ligjet nr.9235, datë 29.7.2004 “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”, të ndryshuar, e nr.8485, datë 12.5.1999 “Kodi i Procedurave Administrative të Republikës së Shqipërisë”, me ligjet e aktet nënligjore në fuqi, si dhe me aktet e brendshme të drejtorit të Përgjithshëm.

12. Të gjithë punonjësit e AKKP-së, që, sipas detyrës funksionale, pranojnë, përpunojnë,

plotësojnë, shqyrtojnë, hetojnë, mbikëqyrin kërkesat e subjekteve të shpronësuara apo përgatisin vlerësimin ligjor, relacionin shoqërues, a projektaktin, që kalon për shqyrtim e miratim e për nxjerrjen e vendimit nga drejtori i Përgjithshëm, sipas ligjit nr.9235, datë 29.7.2004 “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”, të ndryshuar, kanë përgjegjësinë e vlerësimit ligjor të çështjes dhe të propozimit në funksion të zgjidhjes së drejtë të saj, si dhe të administrimit, të pasqyrimit e të dokumentimit të çdo të dhëne e veprimi teknik apo procedural, të kryer në lidhje me dosjen, objekt shqyrtimi.

Evidentimi i të gjitha veprimeve procedurale kryhet nëpërmjet përfshirjes në dosje të çdo shkrese, që i bashkëlidhet praktikës, si dhe nëpërmjet depozitimit të të gjitha procesverbaleve, kujtesave, informacioneve, akteve të vlerësimit teknik a ekspertimit, vlerësimeve ligjore të përgatitura, sipas rastit, apo çdo shkrese tjetër të brendshme apo për të tretët, lidhur me trajtimin e kërkesës.

Në kuptim të këtij detyrimi, sektori i pranimit të kërkesave/ankesave dhe ai i vlerësimit kanë përgjegjësinë ligjore të vlerësojnë ligjërisht e hartografikisht kërkesat dhe dokumentet e paraqitura, për çështje të bazueshmërisë së saj në ligj dhe në prova, brenda afatit procedural, të përcaktuar në ligj. Vlerësimi ligjor dhe hartografik i çështjes është pjesë përbërëse e praktikës dhe nënshkruhet nga grupi i punës me specialistin/ët, juristë dhe hartografë, që shqyrtoi/uan praktikën, dhe përgjegjësin e sektorit, që e mbikëqyri dhe pranoi atë.

Ministri i Drejtësisë miraton me urdhër modelet e vendimeve të AKKP-së për pranimin e kërkesave/ankesave për njohjen, kthimin apo kompensimin, si dhe për mospranimin/rrëzimin e kërkesave/ankesave.

13. Drejtori i Përgjithshëm i raporton, me shkrim, periodikisht, çdo tre muaj, Kryeministrit dhe Komisionit të Përhershëm Parlamentar për Ekonominë dhe Financën, të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë. Raporti përmban të dhëna:

a) të përgjithshme për ecurinë e procesit të njohjes, të kthimit e të kompensimit të pronave dhe për mbarëvajtjen e tij, si dhe për detyrimin për të raportuar për sipërfaqen dhe vlerën në lekë;

b) për numrin e kërkesave të paraqitura nga subjektet e shpronësuara, të ndara sipas qarkut dhe në shkallë vendi, si dhe për llojin e pasurisë;

c) për numrin e kërkesave të shqyrtuara, për raportet e kthimit e të kompensimit, indeksin

e saktë të çështjeve të pranuara a të rrëzuara në AKKP, si dhe për numrin e çështjeve të ndjekura e të ankimuara në gjykatë;

ç) për numrin e kompensimeve të kryera nga AKKP-ja dhe vlerën e tyre;

d) për numrin e vendimeve të marra nga drejtori i Përgjithshëm, si dhe indeksin e çështjeve, për të cilat është vendosur pranimi i ankimit, rrëzimi apo zgjidhja në themel;

dh) për nivelin e bashkëpunimit me institucionet e tjera shtetërore;

e) për indeksin e rasteve të ankimit gjyqësor;

ë) për politikën e ndjekur nga Agjencia dhe për masat e marra për çështje të kontrollit të ligjshmërisë, të luftës kundër korrupsionit, konfliktit të interesit, mitmarrjes apo favorizimeve të tjera, të paligjshme;

f) për trajtimin e denoncimeve nga qytetarët;

g) për çdo çështje tjetër, për të cilën kërkohet informacion apo që, sipas vlerësimit të drejtorit të Përgjithshëm, duhet të vihet në dijeni Kryeministri dhe/apo komisioni përkatës i Kuvendit.

Të dhënat e përcaktuara nga shkronja “a” deri në shkronjën “g” dhe të dhënat e tjera, që kanë lidhje me procesin e njohjes, të kthimit e të kompensimit të pronave, për subjektet e shpronësuara, bëhen publike në faqen elektronike të Agjencisë, brenda 2 (dy) javëve nga data e dorëzimit të raportit.

14. Drejtori i Përgjithshëm i AKKP-së ndjek dhe vë në dijeni, çdo muaj, Ministrin e Drejtësisë, për ecurinë e vendimmarrjes ndaj kërkesave të subjekteve të shpronësuara, për çështje të përfaqësimit të interesave ligjorë të shtetit në gjykatë, gjatë zgjidhjes dhe shqyrtimit të konflikteve, dhe për çdo çështje, sa herë që i kërkohet ose çmohet e domosdoshme nga drejtori i Përgjithshëm.

15. Drejtuesit e ish-zyrave rajonale në qarqe dorëzojnë pranë AKKP-së, në përputhje me nenin 20 të ligjit nr.9235, datë 29.7.2004 “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”, të ndryshuar, dokumentacionin përkatës për logjistikën, mjetet e punës dhe të gjithë fondin e inventarizuar arkivor në ngarkim të ish-drejtuesve rajonalë dhe arkivistëve përgjegjës. Inventarizimi, dorëzimi dhe ruajtja e administrimi i dokumentacionit në AKKP dhe në zyrat rajonale kryhen në përputhje me ligjin nr.9154, datë 6.11.2003 “Për arkivat”.

16. Personeli i AKKP-së duhet të plotësojë kërkesat e përgjithshme, të përcaktuara në pikën 1 të nenit 12 të ligjit nr.8549, datë 11.11.1999 “Statusi i nëpunësit civil”, dhe kërkesat e veçanta, të përcaktuara nga drejtori i Përgjithshëm. AKKP-ja rekruton personel, specialistë me përvojë dhe integritet të lartë moral, të diplomuar në degët drejtësi, urbanistikë, arkitekturë, inxhinieri, specialistë për vlerësim pasurish të paluajtshme, ekonomistë, topografë dhe personel ndihmës. Marrëdhëniet e punës rregullohen me ligjin nr.7961, datë 12.7.1995 “Kodi i Punës në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.

17. AKKP-ja financohet nga Buxheti i Shtetit dhe nga donacionet e ndryshme. Drejtori i Përgjithshëm bashkërendon punën në vijim me donatorët dhe organizatat ndërkombëtare për asistencën teknike në proces dhe informon Ministrin e Drejtësisë për donacionet.

18. Ngarkohet prefekti i çdo qarku të mbikëqyrë transferimin e arkivit, të logjistikës dhe të mjeteve të punës së zyrave rajonale menjëherë me hyrjen në fuqi të këtij akti dhe njofton me shkrim Kryeministrin për ecurinë e procesit.

Transferimi të kryhet me procesverbal dhe me inventar të hollësishëm të çdo dokumenti të mëparshëm, ekzistues në dosje, për çdo praktikë të depozituar nga subjektet e shpronësuara.

19. Vendimet e Këshillit të Ministrave nr.566, datë 23.8.2006 “Për organizimin dhe funksionimin e Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave”, dhe nr.51, datë 7.2.2007 “Për miratimin e modeleve të vendimeve që lëshohen nga Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave dhe zyrave rajonale të saj, për njohjen, kthimin apo kompensimin e pronës”, shfuqizohen.

Kërkesat e paraqitura pranë ish-zyrave rajonale të AKKP-së apo ankimet e paraqitura në AKKP, për të cilat ende nuk është dhënë vendim, vazhdojnë të shqyrtohen nga AKKP-ja, sipas rregullave të këtij vendimi.

20. Ngarkohen Ministri i Drejtësisë dhe Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.

KRYEMINISTRI
Sali Berisha