Vendim i KM Nr.52 Datë 7.2.2007

VENDIM

Nr.52, datë 7.2.2007

PËR PËRCAKTIMIN E PROCEDURAVE DHE TË AFATEVE TË KOMUNIKIMIT, NDËRMJET AKKP-SË DHE INSTITUCIONEVE SHTETËRORE, GJATË PROCESIT TË NJOHJES, KTHIMIT APO KOMPENSIMIT TË PRONËS

VENDOSI:Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2 të nenit 15 të ligjit nr.9235, datë 29.7.2004 “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”, të ndryshuar, me propozimin e Ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave

1. Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, në ushtrim të përgjegjësive të veta, në përputhje me ligjin nr.9235, datë 29.7.2004 “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”, të ndryshuar, dhe me aktet nënligjore, të dala në zbatim të tij, bashkëpunon me institucionet shtetërore, që kanë në administrim pronën, shtetërore apo publike, apo që kanë të dhëna të nevojshme, për pronën, objekt shqyrtimi.

2. Për vërtetimin e gjendjes, juridike apo fizike, të pronës, konfirmimin e dokumentacionit tekniko-ligjor, si dhe të çdo informacioni tjetër të nevojshëm, AKKP-ja dhe zyrat rajonale të saj, kërkojnë në varësi të objektit të kërkesës/ankesës, i cili do të shërbejë si bazë në përcaktimin e kthimit ose kompensimit të pronës, informacion apo konfirmim, pranë institucioneve të mëposhtme:

– Zyrës së regjistrimit të pasurive të paluajtshme (ZRPP), për vërtetimin për gjendjen juridike të pronës.

– Këshillit të qarkut (seksioni i administrimit dhe mbrojtjes së tokës), (SAMT), për vërtetimin e gjendjes juridike të sipërfaqeve, që në regjistrin kadastral figurojnë “tokë bujqësore”.

– Njësive të qeverisjes vendore, për pronat që i shërbejnë një interesi publik dhe për të cilat bëhet propozimi për tjetërsim.

– Bashkisë (Drejtoria e Përgjithshme e Urbanistikës), komunës, këshillit të qarkut (Drejtoria e Urbanistikës apo njësitë e legalizimit), për konfirmimin e gjendjes së pronës.

– Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës apo organeve në varësi të saj, për pronat e përmbytura nga hidrocentralet dhe nëse pronarët kanë përfituar sipas ligjit për shpronësimet për interes publik.

– Ministrive dhe institucioneve të tjera shtetërore, për pronat të cilat nuk shfrytëzohen për interesa publike.

– Agjencisë së Legalizimit dhe Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave Informale.

– Entit Kombëtar të Banesave.

– Ministrisë së Mbrojtjes.

– Ministrisë së Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, për pronat e tjera të paluajtshme, përveç tokës bujqësore, të parashikuara në paragrafin e dytë të kësaj pike.

– Arkivit Qendror të Shtetit.

– Drejtorisë së Shërbimit Pyjor (arkivi i kadastrës pyjore), për zërat kadastralë: “Tokë pyjore”, “Pyje”, “Livadhe” dhe “Kullota”.

– Departamentit të shërbimit të tokës dhe ujit, në QTTB, Fushë-Krujë.

– Çdo institucioni tjetër shtetëror, i cili ka në administrim pronën, objekt shqyrtimi apo që mund të japë informacion për të.

3. Kërkesa për marrjen e informacionit paraqitet me shkrim e nënshkruhet nga drejtuesi i AKKP-së dhe i zyrave rajonale.

4. Institucionet, e përmendura në pikën 2 të këtij vendimi, duhet të kthejnë përgjigje, me shkrim, të nënshkruar nga titullari apo, në mungesë të tij, nga zëvendësi, pranë AKKP-së dhe zyrave rajonale, brenda 10 ditëve nga administrimi i kërkesës pranë institucionit të tyre. Në rast të moskthimit të përgjigjes brenda këtij afati, drejtuesi i AKKP-së, njofton, me shkrim, Ministrin e Drejtësisë dhe kabinetin e Kryeministrit.

5. Institucionet përgjegjëse për administrimin apo privatizimin e pronës publike, për objektet shtetërore, për të cilat do të fillojnë procedurat e privatizimit, duhet të vënë në dijeni, paraprakisht, AKKP-në dhe zyrën rajonale në qark, ku ndodhet prona, objekt i privatizimit, e cila duhet të japë përgjigje për pronësinë e tokës, brenda 60 ditëve nga paraqitja e këtij informacioni, për garantimin e ushtrimit të së drejtës së parablerjes nga subjekti i shpronësuar.

6. Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, brenda 60 ditësh nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, vë në dispozicion të AKKP-së hartat e zonave, që kanë përparësi zhvillimin e turizmit, si dhe masterplanet e studimeve të zonave turistike, për një periudhë afatmesme 10-vjeçare.

7. Vendimi nr.330, datë 13.5.2005 i Këshillit të Ministrave “Për sigurimin e të dhënave për pronat, publike dhe private, në funksion të realizimit të procesit të kthimit dhe kompensimit të tyre”, shfuqizohet.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.

KRYEMINISTRI

Sali Berisha