Postuar më: 27/03/2013

Vendim i KM Nr.868 Datë 18.6.2008

VENDIM

Nr.868, datë 18.6.2008

PËR KRIJIMIN E FONDIT TË KOMPENSIMIT FIZIK NGA FONDI I TOKËS BUJQËSORE

 Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr.9235, datë 29.7.2004 “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001 “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e Ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Këshilli i Ministrave

VENDOSI:

1. Kalimin në fondin e kompensimit fizik dhe vënien në dispozicion të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, të fondit të tokës bujqësore, me sipërfaqe 17 335 (shtatëmbëdhjetë mijë e treqind e tridhjetë e pesë) ha, të ish-NB-ve dhe institucioneve kërkimore të Ministrisë së Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, sipas dosjeve të dorëzuara nga seksionet e administrimit dhe mbrojtjes së tokës (SAMT) në qarqe, në zyrat rajonale të AKKP-së, me sipërfaqet e dhëna me hollësi, sipas lidhjes që i bashkëlidhet këtij vendimi.

2. Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave bën verifikimin përfundimtar të pronësisë së truallit për fondin e tokës, të sipërpërmendur, dhe:

a) për sipërfaqet, që përfshihen brenda zonave kadastrale, ku ka përfunduar procesi i regjistrimit fillestar, konfirmimin e bën zyra vendore e regjistrimit të pasurive të paluajtshme (ZVRPP);

b) për sipërfaqet, që përfshihen në zonat kadastrale, ku nuk është kryer regjistrimi fillestar, konfirmimin e bën SAMT-ja në qark.

AKKP-ja i përdor sipërfaqet, me statusin e pronësisë shtetërore, për kthimin dhe kompensimin fizik, sipas kritereve të përcaktuara në ligj.

3. Pas verifikimit përfundimtar, të bërë nga Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, pronat, të cilat rezultojnë me njohje apo kthim pronësie, zbriten nga fondi i mësipërm.

4. Ngarkohen Ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit dhe SMAT-të në qark të bëjnë inventarizimin dhe transferimin e sipërfaqeve të tjera të tokës bujqësore, disponibël shtetërore, të ish-NB-ve, në zyrat rajonale të AKKP-së, sipas procedurave të përcaktuara në vendimin nr.567, datë 5.9.2007 të Këshillit të Ministrave.

5. Ngarkohen Ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit dhe Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.

KRYEMINISTRI

Sali Berisha

© Agjencia e Trajtimit të Pronave 2022 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.