Vizitë e Delegacionit të KiE

Delegacioni i KiE-së me përfaqësuesit Znj. Corinne Amat, Drejtoreshë e Përgjithshme e Ekzekutimit të vendimeve të  GJEDNJ, Znj.Lucja Miara, eksperte e Departamentit, Znj. Laura Lelciu, eksperte nga Rumania e Departamentit, si dhe Avokatja e Shtetit Alma Hicka, zhvilloi një takim me përfaqësues të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, në ambientet e kësaj Agjencie.

Takimi i zhvilluar ishte në kuadrin  e shkëmbimit të ideve për përmirësimin dhe ecurinë e procesit të kthimit dhe Kompensimit të Pronave, një proces ky i zvarritur prej vitesh si dhe hartimin e një plan veprimi konkret nga ana e Qeverisë Shqiptare në lidhje me zbatimin e detyrave të lënë në vendimin pilot të Gjykatës së Strasburgut.

Zëvendës Drejtori i Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Lemi Muçaj, u paraqiti përfaqësueseve të delegacionit të KiE ecurinë e këtij procesi si dhe projektet dhe angazhimet konkrete që kjo Agjenci ka ndërmarrë nga tetori I vitit të kaluar.

Gjithashtu vuri në dukje problemet me të cilat përballet Agjencia çdo ditë në realizimin e objektit të punës së saj në raport me qytetarët dhe zgjidhjen e problematikave të tyre. Aktualisht Agjencia po punon për dixhitalizimin dhe inventarizimin e arkivës dhe ky është një ndër projektet kryesore ku Agjencia është fokusuar në muajt e fundit. Nëpërmjet këtij procesi Agjencia synon të parashikojë edhe faturen e kompensimit për subjektet e shpronësuara në këto 20 vjet.

Nga ana e saj Drejtoresha e Përgjithshme e Ekzekutimit të vendimeve të GJEDNJ, Znj. Corinne Amat u shpreh e impresionuar me punën e bërë në këto 5 muaj në Agjenci. Është hera e parë theksoi Znj. Corinne Amat që shikoj një impenjim dhe përkushtim kaq të lartë nga ana e Agjencisë.

Në fund të takimit delegacioni i KiE zhvilloi edhe një vizitë në zyrën e arkivës, ku po kryhet dhe procesi I dixhitalizimit. Përfaqësueset panë nga afër punën që po kryhet aktualisht në Agjenci dhe shprehën vlerësime pozitive të punës së bërë deri më tani.