VENDIM
Nr. 383, Datë 19.05.2010,
“Për përcaktimin e procedurave të shpërndarjes së fondit të kompensimit në vlerë për pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimet informale” i ndryshuar
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 6 e 8, të ligjit nr.10239, datë 25.2.2010, “Për krijimin e fondit special të kompensimit të pronave”, të nenit 15/1, të ligjit nr.9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.9235, datë 29.7.2004, “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave (në vijim AKKP), në zbatim të vendimeve të Këshillit të Ministrave, ku përcaktohet shpërblimi i pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimet informale, njofton publikisht në media dhe/ose nëpërmjet faqes së vet zyrtare, listën e personave që përfitojnë nga fondi i kompensimit të pronave, për periudhën përkatëse.
2. Në njoftimin publik duhet të përcaktohen:
a) gjenealitetet e përfituesit;
b) shfuqizuar
c) dokumentacioni i nevojshëm shoqërues i kërkesës;
ç) vlera e tarifës së shërbimit;
d) detyrimi për subjektet përfituese për të hapur, në emër dhe për llogari të tyre, një llogari bankare në njërën nga bankat e nivelit të dytë.
3. Procesi i regjistrimit/pranimit të kërkesave për kompensim fillon 5 (pesë) ditë pas datës së njoftimit publik.
4. Me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm të AKKP-së ngrihet grupi i punës për pranimin e shqyrtimin e kërkesave, me objekt shpërblimin e pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimet informale, dhe shpërndarjen e fondit përkatës.
5. Kjo procedurë kryhet për çdo fond që i kalon AKKP-së sipas ligjit nr.10239, datë 25.2.2010, “Për krijimin e fondit special të kompensimit të pronave”, dhe në zbatim të vendimeve të Këshillit të Ministrave, ku përcaktohet shpërblimi i pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimet informale. Kompensimi bëhet në masën e përcaktuar në vendimin e Këshillit të Ministrave, ku parashikohet shpërblimi i pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimet informale.
6. Subjekti apo përfaqësuesi me prokurë i tij paraqet pranë zyrës së AKKP-së, dokumentacionin e mëposhtëm:
a) Kërkesën për kompensimin e pronës sipas formatit tip, bashkëlidhur këtij vendimi;
b) Dëshminë e trashëgimisë për të gjithë trashëgimtarët e ligjshëm të subjektit përfitues, sipas radhës së trashëgimtarëve, në përputhje me përcaktimet e Kodit Civil. Për dëshmitë e trashëgimive të lëshuara nga gjykata për testamentin e bërë me akt noterial të sillet certifikatë familjare e personit, për të cilin është lëshuar kjo dëshmi trashëgimie;
c) Prokurën e posaçme, të nënshkruar nga të gjitha subjektet që përfitojnë kompensim, ku si tagër i nevojshëm të jetë edhe e drejta për të tërhequr vlerën financiare, në emër të tyre;
ç) Vërtetimin e lëshuar nga banka e nivelit të dytë për hapjen e llogarisë bankare në emër dhe për llogari të subjektit përfitues, ku përcaktohet edhe numri i llogarisë bankare ku do të transferohet vlera financiare e përfituar;
d) Fotokopjen e dokumentit të identifikimit, si dhe certifikatën familjare të kërkuesit;
dh) Mandatpagesën, që vërteton pagimin e tarifës së shërbimit.
6/1. Në rastet kur nuk është e mundur të dorëzohet prokura e posaçme, sipas shkronjës “c” të pikës 6, secili bashkëpronar apo një pjesë e tyre, paraqesin kërkesë individuale apo të përbashkët, për pjesën takuese në pronën që kompensohet.
Nëse kërkesa paraqitet nga një pjesë e bashkëpronarëve, ajo shoqërohet nga prokura e posacme e nënshkruar prej tyre, ku si tagër i nevojshëm të jetë edhe e drejta për të tërhequr vlerën financiare, në emër të tyre. Në rastin e kërkesave individuale të secilit bashkëpronarë apo të një pjese të tyre, për çdo aplikim të kryer, paguhet tarifë shërbimi, pavarësisht se i përket të njëjtës pasuri të paluajtshme.
7. AKKP-ja bashkëpunon me ALUIZNI-in dhe zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme për verifikimin e konfirmimin e të dhënave për subjektet përfituese.
8. Grupi i punës, sipas pikës 4, të këtij vendimi, brenda 60 (gjashtëdhjetë) ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës për kompensimin e pronës, kryen veprimet e mëposhtme:
a) Verifikon legjitimimin e kërkuesit për çdo kërkesë për kompensimin e pronës;
b) Kontrollon dokumentacionin e paraqitur nga subjekti përfitues;
c) Konfirmon të dhëna të tjera të nevojshme pranë institucioneve përkatëse;
ç) Harton relacionin, në të cilin i propozon drejtorit të Përgjithshëm kalimin e shumës në numrin e llogarisë bankare përkatëse;
d) shfuqizuar
9. Drejtori i Përgjithshëm i AKKP-së, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e përfundimit të procesit të verifikimit nga grupi i punës,:
a) nxjerr vendimin për miratimin e listës së subjekteve që kompensohen, ku përcaktohet edhe numri i llogarisë bankare ku do të derdhet vlera e kompensimit;
b) urdhëron publikimin e listës së subjekteve që kompensohen;
c) njofton kërkuesin, që nuk përfshihet në listën e subjekteve që kompensohen, duke përcaktuar arsyet e mospërfshirjes.
9/1. Subjektet përfituese, kërkesa e të cilëve nuk është pranuar për mungesë dokumentacioni gjatë procedurave të mëparshme, kanë të drejtë të riaplikojnë pas plotësimit të mangësive të konstatuara. Këto subjekte nuk paguajnë tarifë shërbimi, nëse provojnë pagimin e saj gjatë aplikimit të mëparshëm.
10. AKKP-ja kryen veprimet me degën e thesarit dhe bankën e nivelit të dytë për derdhjen e shumës në depozitën bankare, të hapur për këtë qëllim nga subjekti përfitues, në përputhje me procedurat e përcaktuara në legjislacionin në fuqi për kryerjen e pagesave nga buxheti i shtetit.
11. AKKP-ja realizon ndarjen e fondit të kompensimit të pronave në vlerë proporcionale me masën përkatëse të parashikuar në listat bashkëlidhur vendimeve të Këshillit të Ministrave, që përcaktojnë shpërblimin e pronarëve për pasuri, të cilat preken nga ndërtimet informale, deri në të njëjtën masë të përfituar nga subjektet e kompensuara më parë.
12. Ngarkohen Ministria e Drejtësisë dhe Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA