LIGJ Nr. 10239, datë 25.2.2010

LIGJ

Nr. 10239, datë 25.2.2010

PËR KRIJIMIN E FONDIT SPECIAL TË KOMPENSIMIT TË PRONAVE

 Neni 1

Qëllimi

Qëllimi i këtij ligji është përcaktimi i fondit të kompensimit të pronave, burimet e krijimit dhe rregullat për administrimin e tij.

Neni 2

Fondi i kompensimit të pronave

1. Fondi i kompensimit të pronave është fondi i krijuar me ligjin nr. 9235, datë 29.7.2004 “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”, të ndryshuar.

2. Fondi i kompensimit të pronave vlerësohet fond special, në kuptim të nenit 7 të ligjit nr. 9936, datë 26.6.2008 “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”.

Procedurat e propozimit dhe të miratimit të buxhetit të këtij fondi janë po ato që zbatohen për ligjin për Buxhetin e Shtetit dhe paraqiten së bashku me të për miratim në Kuvend.

3. Fondi i kompensimit të pronave përdoret për kompensimin në vlerë të subjekteve të shpronësuara, të cilave u është njohur e drejta e kompensimit, kur kthimi fizik i pronës së tyre ka qenë i pamundur.

Neni 3

Burimet e fondit të kompensimit të pronave

Burimet e fondit të kompensimit të pronave janë:

1. Të ardhurat, ku përfshihen:

a) të ardhurat nga Buxheti i Shtetit për kompensimin e subjekteve të shpronësuara, sipas ligjit nr. 9235, datë 29.7.2004 “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”, të ndryshuar;

b) të ardhurat e realizuara nga shitja me ankand e pasurive shtetërore, për të cilat nuk ka vendim të dhënë nga komisionet e kthimit dhe kompensimit të pronave, në masën 65 për qind të vlerës së shitjes për objektet dhe 100 për qind të vlerës së shitjes për truallin;

c) të ardhurat e arkëtuara nga transferimi i pronësisë së parcelës ndërtimore, sipas ligjit nr. 9482, datë 3.4.2006 “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar;

ç) të ardhura të tjera që, sipas ligjeve të veçanta apo akteve nënligjore, kalojnë për llogari të fondit të kompensimit të pronave.

2. Të ardhurat nga donatorë të ndryshëm.

Neni 4

Administrimi i fondit

1. Fondi i kompensimit të pronave administrohet nga Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave.

2. Fondi i kompensimit administrohet në një llogari të veçantë të thesarit në Bankën e Shqipërisë. Burimet që përbëjnë fondin e kompensimit të pronave, sipas nenit 3 të këtij ligji, arkëtohen dhe administrohen, sipas natyrës së tyre, nëpërmjet sistemit të thesarit.

3. Pavarësisht rregullit të përcaktuar në nenin 5 të ligjit nr. 9936, datë 26.6.2008 “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, gjendja e mjeteve monetare të papërdorura nga fondi i kompensimit të pronave në fund të vitit buxhetor, në llogarinë e veçantë në Bankën e Shqipërisë, mbartet për llogari të vitit të ardhshëm.

4. Llogaritë e fondit special të kompensimit të pronave paraqiten në Kuvend si pjesë e raportit vjetor të konsoliduar të zbatimit të Buxhetit të Shtetit.

5. Ministri i Financave përcakton me udhëzim mënyrën dhe procedurën për administrimin e fondit të kompensimit dhe rregullat për arkëtimin e administrimin e burimeve, që përbëjnë fondin e kompensimit.

Neni 5

Subjektet përfituese

1. Subjektet e shpronësuara, të cilave u është njohur e drejta për kompensim, në përputhje me ligjin nr. 9235, datë 29.7.2004 “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”, të ndryshuar, përfitojnë kompensim nga fondi i kompensimit në masën dhe sipas mënyrës së përcaktuar me vendim të Këshillit të Ministrave.

2. Pronarët, të cilëve u është njohur e drejta për shpërblim, në përputhje me ligjin nr. 9482, datë 3.4.2006 “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar, përfitojnë kompensim nga fondi i kompensimit, në varësi të të ardhurave të arkëtuara nga transferimi i pronësisë së parcelave ndërtimore.

3. Çdo subjekt i shpronësuar, të cilit i njihet e drejta e kompensimit të pronës me ligj të veçantë, përfiton kompensim nga fondi i kompensimit, sipas rregullave të përcaktuara në këtë ligj dhe/ose në ligjin që i njeh të drejtën e kompensimit.

Neni 6

Shpërndarja e fondit

1. Këshilli i Ministrave, me propozim të Ministrit të Financave, në bazë të të ardhurave të arkëtuara, sipas shkronjës “c” të pikës 1 të nenit 3 të këtij ligji, miraton shumën në dispozicion të pronarëve, të parashikuar në pikën 2 të nenit 5 të këtij ligji dhe shtrirjen kohore të përfitimit të kësaj shume.

2. Pjesa e mbetur e fondit të kompensimit financiar përdoret për kompensimin e subjekteve të parashikuara në pikën 1 të nenit 5 të këtij ligji, në periudha të ndryshme kohore gjatë vitit, në varësi të të ardhurave, që gjenden në fondin e kompensimit të pronave.

3. Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave njofton publikisht në media dhe/ose nëpërmjet faqes së vet zyrtare listën e personave që përfitojnë nga fondi i kompensimit të pronave për periudhën përkatëse.

4. Subjektet përfituese, në emër dhe për llogari të tyre, hapin një llogari bankare në njërën nga bankat e nivelit të dytë. Vërtetimin e lëshuar nga banka e dërgojnë pranë Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, e cila ia bashkëlidh dosjes së aplikimit.

5. Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, sipas fondit të vënë në dispozicion, shpërndan vlerën e kompensimit për subjektet e përcaktuara në nenin 5 të këtij ligji, nëpërmjet derdhjes së shumës në depozitën bankare, të hapur për këtë qëllim nga subjekti përfitues, sipas pikës 4 të këtij neni.

6. Pagimi i shumës së depozituar në favor të subjekteve përfituese bëhet pas paraqitjes së të gjithë dokumentacionit ligjor të nevojshëm për kryerjen e pagesave nga Buxheti i Shtetit. Dokumentacioni i nevojshëm dhe procedurat për verifikimin e tij përcaktohen me udhëzim të Ministrit të Financave.

Neni 7

Raportimi

1. Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave i raporton, me shkrim, periodikisht çdo tre muaj, Kryeministrit dhe Ministrit të Drejtësisë për ecurinë e procesit të kompensimit financiar dhe për administrimin e fondit të kompensimit të pronave.

2. Ministri i Drejtësisë, në emër të Këshillit të Ministrave, i paraqet raport me shkrim Kuvendit, brenda muajit mars të çdo viti, për ecurinë e procesit të kompensimit të procesit financiar të subjekteve të shpronësuara.

Neni 8

Parimet e nxjerrjes së akteve nënligjore

Aktet nënligjore në zbatim të këtij ligji nxirren duke respektuar parimet e kompensimit të drejtë, të barazisë para ligjit, sigurisë juridike, procesit të rregullt ligjor dhe proporcionalitetit.

Neni 9

Hyrja në fuqi

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.

Shpallur me dekretin nr.6465, datë 18.3.2010 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi