Ligj 146/2016

Për Njoftimin dhe Konsultimin Publik

 Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të
Ministrave,
KUVENDI
I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
VENDOSI:
KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
Neni 1
Objekti
1. Ky ligj rregullon procesin e njoftimit dhe të konsultimit publik të projektligjeve, projektdokumenteve
strategjike kombëtare dhe vendore, si dhe politikave me interes të lartë publik.
2. Ky ligj përcakton rregullat procedurale që duhen zbatuar për të garantuar transparencën
dhe pjesëmarrjen e publikut në proceset politikëbërëse dhe vendimmarrëse nga organet
publike.
3. Ky ligj synon nxitjen e transparencës, të përgjegjshmërisë dhe integritetit të autoriteteve
publike.
Neni 2
Përkufizime
Në këtë ligj termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:
1.“Akt administrativ individual” është çdo vullnet i shprehur nga organi publik, në ushtrim të
funksionit të tij publik, ndaj një ose disa subjekteve individualisht të përcaktuara të së drejtës, që
krijon, ndryshon ose shuan një marrëdhënie juridike konkrete.
2. “Akt nënligjor normativ” është çdo vullnet i shprehur nga organi publik, në ushtrim të
funksionit të tij publik, që rregullon marrëdhënie të përcaktuara me ligj, duke vendosur rregulla të
përgjithshme sjelljeje dhe që nuk shteron me zbatimin e tij.
3. “Emergjencë civile” është një situatë e shkaktuar nga faktorë natyrorë, ekologjikë,
industrialë, socialë, veprime terroriste, veprime ushtarake (në gjendje lufte), të cilat sjellin dëme të
menjëhershme e të rënda për jetën, për shëndetin e popullatës dhe të gjësë së gjallë, për pasurinë, për
trashëgiminë kulturore dhe për mjedisin.
4. “Grup interesi” është çdo organizatë jofitimprurëse që përfaqëson interesat e një grupi
personash fizikë ose juridikë, si dhe subjekte të tjera të prekura apo të interesuara për projektaktet që i
nënshtrohen procesit të konsultimit publik.
5. “Konsultim publik” është tërheqja e mendimeve dhe sugjerimeve të palëve të
interesuara për përmbajtjen dhe përmirësimin e projektaktit, nga momenti i publikimit të
projektaktit deri në miratimin përfundimtar të tij.
6. “Ministër përgjegjës” është ministri që mbulon fushën e teknologjisë së informacionit.
7. “Njoftim paraprak” është ftesa zyrtare për të marrë pjesë në procesin e dhënies së
informacioneve ose opinioneve paraprake, përpara fillimit të hartimit të projektaktit.
8. “Njoftim publik” është ftesa zyrtare për të marrë pjesë në procesin e konsultimit të
projektaktit të propozuar dhe nisja e procedurave të konsultimit publik.
9. “Organ publik” është çdo organ i pushtetit qendror, i cili kryen funksione administrative, çdo
organ i enteve publike, në masën që ato kryejnë funksione administrative, çdo organ i pushtetit
vendor, që kryen funksione administrative, çdo organ i Forcave të Armatosura e çdo strukturë
tjetër, për aq kohë sa këto kryejnë funksione administrative, si dhe çdo person fizik ose juridik, të
cilit i është dhënë me ligj, akt nënligjor ose çdo lloj forme tjetër, të parashikuar nga legjislacioni në
fuqi, e drejta e ushtrimit të funksioneve publike.
10. “Proces i vendimmarrjes” është proces që përfshin proceset e hartimit e të miratimit nga
organet publike të projektakteve.
11. “Projektakt” është projekti i një ligji, projekte të dokumenteve strategjike, kombëtare
dhe vendore, të politikave me interes të lartë publik, të hartuara nga organet publike.
12. “Regjistri elektronik” është faqja zyrtare e internetit ku do të publikohen projektaktet, sipas
përcaktimeve të nenit 7 të këtij ligji.
13. “Rekomandim” është çdo sugjerim, propozim apo mendim me karakter konsultativ për
projektaktet e hartuara, i shprehur verbalist dhe/ose me shkrim nga palët e interesuara.
14. “Takim publik” është çdo takim i hapur me palët e interesuara për diskutimin e
projektakteve që i nënshtrohen procesit të njoftimit dhe konsultimit publik, me qëllim
sqarimin dhe informimin e opinionit publik në lidhje me këto projektakte, si dhe marrjen e
komenteve e të rekomandimeve përkatëse për përmirësimin e tyre.
15. “Transparencë” është veprimtaria e hapur e një organi publik për të informuar në lidhje
me aktet me interes të lartë publik, me proceset politikëbërëse dhe vendimmarrëse, që u
siguron palëve të interesuara mundësinë për të marrë pjesë në këto procese.
Neni 3
Fusha e zbatimit
Ky ligj zbatohet për rregullat dhe procedurat e njoftimit e të konsultimit publik që zhvillohen
nga organet publike në proceset politikëbërëse dhe vendimmarrëse.
Neni 4
Kufizime
Dispozitat e këtij ligji nuk zbatohen gjatë procesit të vendimmarrjes që lidhet me:
a) çështjet e sigurisë kombëtare, për aq sa ato përbëjnë sekret shtetëror, sipas ligjit për
informacionin e klasifikuar “sekret shtetëror”;
b) marrëdhëniet ndërkombëtare dhe marrëveshjet dypalëshe dhe shumëpalëshe;
c) aktet administrative individuale dhe aktet administrative me karakter normativ, përveçse kur
me ligj të veçantë parashikohet ndryshe;
ç) aktet normative, me fuqinë e ligjit, të miratuara në Këshillin e Ministrave;
d) emergjencën civile;
dh) çështjet e tjera përjashtimore të parashikuara me ligj.
Neni 5
Parimet në procesin e njoftimit e të konsultimit publik
Procesi i njoftimit dhe i konsultimit publik kryhet në bazë të parimeve të mëposhtme:
a) transparenca gjatë procesit të njoftimit e të konsultimit publik me pjesëmarrje gjithëpërfshirëse
dhe jodiskriminuese;
b) efektshmëria e procesit të vendimmarrjes në organet publike;
c) përgjegjësia e organeve publike ndaj palëve të interesuara.
KREU II
DETYRIMI PËR NJOFTIM DHE KONSULTIM PUBLIK
Neni 6
Detyrimi për njoftimin dhe konsultimin publik
1. Organet publike janë të detyruara të marrin të gjitha masat e nevojshme, në mënyrë që të
krijojnë mundësi për pjesëmarrjen e publikut dhe të të gjitha palëve të interesuara në procesin e
njoftimit e të konsultimit publik, përfshirë:
a) publikimin në regjistrin elektronik të projektaktit, të njoftimit për konsultim dhe të
dhënave të lidhura me konsultimin e projektakteve;
b) publikimin në programin e transparencës, sipas ligjit nr. 119/2014 “Për të drejtën e
informimit”, të planeve vjetore të organeve publike që lidhen me procesin e vendimmarrjes, në
kuptim të këtij ligji;
c) dhënien e informacionit në lidhje me procesin e njoftimit dhe të konsultimit publik në të
gjitha fazat, duke filluar nga publikimi i projektaktit, marrja e komenteve dhe rekomandimeve për
përmirësimin e tij, organizimi i debateve publike e deri te miratimi i aktit përfundimtar.
2. Organi publik, pas publikimit të njoftimit në regjistrin elektronik, mund të organizojë
konsultime të drejtpërdrejta dhe takime publike me palët e interesuara. Konsultimet e
drejtpërdrejta dhe takimet publike me palët e interesuara dokumentohen me procesverbal.
Procesverbali i takimeve publike, të organizuara sipas këtij ligji, është dokument zyrtar. Për
konsultime veçanërisht të rëndësishme, si dhe kurdo që është e mundur, me vendim të organit
publik, takimet publike transmetohen në median audiovizive publike për të mundësuar ndjekjen e
tyre nga publiku i gjerë.
3. Pavarësisht nga përcaktimet e pikave 1 dhe 2, të këtij neni, organet publike nuk
përjashtohen nga detyrimi për publikimin dhe konsultimin e projektakteve, sipas ligjeve të
veçanta për funksionimin e tyre.
Neni 7
Regjistri elektronik për njoftimet dhe konsultimet publike
1. Çdo projektakt publikohet në regjistrin elektronik për njoftimin dhe konsultimin publik.
Ky regjistër është një faqe zyrtare interneti, e cila shërben si një pikë qendrore konsultimi, dhe
nëpërmjet këtij regjistri sigurohet akses dhe ofrohet mundësia e komunikimit të të gjitha
palëve të interesuara me organin publik. Kjo formë siguron dhe forcon barazinë për sa i
përket aksesit në informacion dhe shërbim, duke pasur në vëmendje dhe nevoja specifike për
persona apo grupime të caktuara.
2. Krijimi dhe rregullat e administrimit të regjistrit elektronik për njoftimet dhe konsultimet
publike përcaktohen nga Këshilli i Ministrave, me propozimin e ministrit përgjegjës.
KREU III
PALËT E PËRFSHIRA NË KONSULTIMIN PUBLIK
Neni 8
Palët e interesuara
1. Palët e interesuara në procesin e njoftimit e të konsultimit publik janë:
a) organet publike;
b) shtetasit e Republikës së Shqipërisë dhe grupet e interesit;
c) personat fizikë të huaj me vendqëndrim të përhershëm në Republikën e Shqipërisë, si dhe
personat juridikë të huaj, të regjistruar në Republikën e Shqipërisë.
2. Personat e tjerë të huaj mund të marrin pjesë në procesin e konsultimit, në përputhje me
marrëveshjet ndërkombëtare ose me kërkesë të drejtpërdrejtë të organeve publike, kur e çmojnë
të nevojshme.
Neni 9
Të drejtat e palëve të interesuara
Palët e interesuara në procesin e njoftimit dhe konsultimit publik kanë të drejtë:
a) të kërkojnë informacion për procesin e njoftimit e të konsultimit publik, përfshirë
aksesin në projektakt, sipas përcaktimit të shkronjës “a”, të pikës 1, të nenit 6, të këtij ligji, me
përjashtim të rasteve të parashikuara në nenin 4 të këtij ligji;
b) t’u propozojnë organeve publike fillimin e procedurës për hartimin dhe miratimin e
projektakteve, sipas planit vjetor të procesit të vendimmarrjes, publikuar nga organi publik, në
përputhje me parashikimet e shkronjës “b”, të pikës 1, të nenit 6, të këtij ligji;
c) t’u dorëzojnë organeve publike komente dhe rekomandime për projektaktet që janë në
proces të njoftimit e të konsultimit publik.
Neni 10
Koordinatori i njoftimit dhe konsultimit publik
Çdo organ publik cakton një person si koordinator të njoftimit dhe konsultimit publik, i cili
është përgjegjës për bashkërendimin dhe administrimin e përgjithshëm të punës për garantimin e
së drejtës së njoftimit e të konsultimit publik, të parashikuar nga ky ligj.
KREU IV
RREGULLAT E PROCESIT TË NJOFTIMIT DHE KONSULTIMIT PUBLIK
Neni 11
Mënyrat e njoftimit dhe marrja e komenteve dhe rekomandimeve
1. Njoftimi për projektaktet që do t’i nënshtrohen procedurës së konsultimit publik bëhet
nëpërmjet regjistrit elektronik. Në rastet kur organi publik e konsideron të nevojshme, njoftimi
mund të kryhet edhe në një apo disa nga format e mëposhtme:
a) me postë elektronike;
b) me lajmërim publik, i cili afishohet në ambientet e organit publik inicues;
c) me një lajmërim në mediat audiovizive kombëtare, rajonale ose lokale;
ç) me botimin në gazeta lokale ose në dy gazetat më të lexuara në nivel kombëtar.
2. Marrja e komenteve dhe rekomandimeve në procesin e konsultimit publik kryhet në një nga
format e përmendura më sipër, si dhe në raste të caktuara në formë verbale dhe/ose me shkrim e të
regjistruara në procesverbalin e takimeve publike.
Neni 12
Njoftimet paraprake
1. Organi publik, në raste të veçanta, mund të mbledhë informacione dhe/ose opinione
paraprake nga grupet e interesit përpara se të nisë procesin e hartimit të aktit përkatës.
2. Në fazat fillestare, organi publik, kur e gjykon të nevojshme, publikon në një nga format e
parashikuara në nenin 11 një njoftim paraprak për aktin që do të hartojë për të siguruar
informacione nga palët e interesuara.
3. Çdo palë e interesuar mund t’i përgjigjet njoftimit paraprak brenda afateve të parashikuara
në këtë ligj, duke dorëzuar komente dhe rekomandime.
Neni 13
Përmbajtja e njoftimit në lidhje me nismën vendimmarrëse
1. Në njoftimin për fillimin e procesit të konsultimit publik duhet të përcaktohen të paktën:
a) arsyet e nevojshme për nxjerrjen e projektaktit, si dhe ndikimi që ai do të ketë;
b) afati, vendi dhe mënyra me të cilën palët e interesuara paraqesin ose dërgojnë rekomandimet e
tyre;
c) adresa e kontaktit të koordinatorit për njoftimin dhe konsultimin publik të organit publik
për mbledhjen e rekomandimeve e të komenteve për projektaktin;
ç) vendi dhe data e organizimit të takimit publik në rastet kur organi publik vendos për
organizimin e tij.
2. Aksesi në dokumentacionin e nevojshëm që lidhet me projektaktin sigurohet edhe sipas
mënyrës së përcaktuar në legjislacionin në fuqi për të drejtën e informimit.
Neni 14
Informacioni që nevojitet të sigurohet
1. Palët e interesuara që do të konsultohen, pajisen me informacionin e nevojshëm për t’u
krijuar atyre mundësinë të kontribuojnë në mënyrën më efektive të mundshme në procesin e
përgatitjes së projektaktit në rrugë elektronike dhe/ose postare.
2. Krahas dokumenteve përkatëse, në varësi të kompleksitetit, volumit dhe karakteristikave të
tjera të projektaktit, sigurohen shpjegime për qëllimin, problemet që do të trajtohen, idetë e
përgjithshme, ndryshimet kryesore dhe/ose alternativat e mundshme dhe, për aq sa është e
mundur, studime apo analiza që janë kryer për hartimin e projektaktit.
Neni 15
Afati për dorëzimin e komenteve dhe rekomandimeve
1. Palëve të interesuara u jepet koha e arsyeshme për të dërguar pranë organit publik
vendimmarrës komentet dhe rekomandimet e tyre:
a) brenda 20 ditëve pune nga data e njoftimit për procesin e njoftimit paraprak;
b) brenda 20 ditëve pune nga data e njoftimit për procesin e njoftimit e të konsultimit publik.
2. Për akte veçanërisht komplekse ose të rëndësishme, sipas vendimit të organit publik, afati për
dërgimin e komenteve mund të zgjatet deri në 40 ditë pune nga data e njoftimit.
3. Përcaktimet e sipërpërmendura nuk anashkalojnë afatet kohore të përcaktuara në ligje të
veçanta për procedurat e konsultimit dhe informimit publik.
Neni 16
Zgjatja dhe përsëritja e fazës së konsultimit
Organi publik mund të zgjasë afatin për dërgimin e komenteve ose mund të ripërsëritë
fazën e marrjes së komenteve e të rekomandimeve në rastet kur:
a) organi publik nuk është i kënaqur me cilësinë e komenteve të përftuara;
b) në komentet dhe rekomandimet e dhëna janë ngritur çështje të reja të rëndësishme që nuk kanë
qenë pjesë e konsultimit fillestar.
Neni 17
Njoftimi për takime publike
1. Gjatë periudhës së konsultimit, nisur nga rëndësia e projektaktit dhe interesi i lartë publik,
organi publik mund të organizojë takime publike, ku palët e interesuara paraqesin opinionin e tyre
dhe të dhëna për projektaktin që do të hartohet.
2. Palëve të interesuara, të ftuara për të marrë pjesë në takimet publike, u jepet koha e nevojshme
për përgatitje. Në çdo rast, ato informohen jo më pak se 20 ditë pune përpara takimit publik, duke u
vënë në dispozicion kopje të projektaktit që do të diskutohet.
Neni 18
Pjesëmarrja në takimet publike
1. Konsultimi në takime publike është i hapur.
2. Njoftimi për organizimin e takimeve publike bëhet sipas mënyrave të njoftimit, të
parashikuara në nenin 11 të këtij ligji.
3. Përfaqësuesi i organit publik, që drejton takimin, në përputhje me rregullat e organit
publik, u ofron pjesëmarrësve mundësinë për të shprehur mendimin e tyre për çështjet që
diskutohen.
4. Në çdo takim publik mbahet procesverbal, i cili arkivohet pranë organit publik.
5. Nëse konsiderohet e nevojshme, takimi publik mund të regjistrohet.
6. Procesverbalet dhe regjistrimet e takimeve publike mund të bëhen publike sipas kërkesës
së paraqitur, në përputhje me legjislacionin në fuqi për të drejtën e informimit mbi dokumentet
zyrtare.
Neni 19
Shqyrtimi i komenteve dhe rekomandimeve
1. Komentet dhe rekomandimet e marra gjatë procesit të konsultimit publik grumbullohen
nga koordinatori i njoftimit dhe konsultimit publik të organit publik përkatës në një mënyrë të
strukturuar dhe transparente.
2. Shqyrtimi i komenteve dhe rekomandimeve kryhet nga organi publik përgjegjës për
hartimin e projektaktit, i cili vendos për pranimin ose refuzimin e rekomandimeve të marra nga
palët e interesuara të konsultuara.
3. Projektaktet shoqërohen me një përmbledhje të rekomandimeve të pranuara, sipas dispozitave
të këtij ligji. Nëse rekomandimet e palëve të interesuara nuk janë pranuar, atëherë organi publik
paraqet një përmbledhje të arsyeve për mospranimin e tyre në një nga format e njoftimit, të
parashikuar në nenin 11 të këtij ligji.
Neni 20
Raportet për transparencën në procesin e vendimmarrjes
1. Organet publike janë të detyruara të hartojnë dhe të publikojnë raporte vjetore për
transparencën në procesin e vendimmarrjes, ku përfshihet informacion për:
a) numrin e akteve të miratuara nga organi publik përkatës gjatë vitit referues;
b) numrin e përgjithshëm të rekomandimeve të marra nga palët e interesuara;
c) numrin e rekomandimeve e të komenteve të pranuara dhe të refuzuara gjatë procesit të
vendimmarrjes;
ç) numrin e takimeve publike të organizuara.
2. Raporti vjetor për transparencën në procesin e vendimmarrjes publikohet sipas parashikimeve
të nenit 11 të këtij ligji.
KREU V
KOMPETENCAT DHE PROCEDURAT PËR SHQYRTIMIN E ANKESAVE
Neni 21
Procedurat për shqyrtimin e ankesave
1. Nëse palët e interesuara vlerësojnë se organi publik ka cenuar të drejtën e tyre për
njoftim dhe konsultim publik, sipas parashikimeve të pikës 1, të nenit 6, të këtij ligji, si dhe kur
nuk janë respektuar afatet e parashikuara në nenet 15 dhe 17 të këtij ligji, mund të ankohen:
a) pranë titullarit të organit publik përgjegjës për procesin e njoftimit dhe konsultimit publik,
kur projektakti nuk është miratuar ende;
b) pranë Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale,
brenda 30 ditëve nga data e miratimit të aktit.
2. Organi publik përgjegjës, me marrjen e ankesës, merr masa të menjëhershme për
korrigjimin dhe reflektimin e vërejtjeve të paraqitura në ankesën e palës së interesuar. Në çdo
rast, autoriteti publik njofton palën e interesuar për masat e marra dhe e fton të japë komentet
dhe rekomandimet për projektaktin.
3. Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, me
marrjen e një ankese, i kërkon ankuesit dhe organit publik, kundër të cilit është bërë ankesa, të
paraqesin parashtrime me shkrim brenda 10 ditëve. Kur e sheh të përshtatshme, Komisioneri
organizon një seancë dëgjimore publike me pjesëmarrjen e palëve.
4. Në përfundim të shqyrtimit, Komisioneri, kur arrin në përfundimin që ka shkelje të dispozitave
të këtij ligji, i propozon organit publik përgjegjës marrjen e masave administrative ndaj
personit/personave përgjegjës, sipas legjislacionit për shërbimin civil në fuqi.
KREU VI
DISPOZITAT KALIMTARE DHE PËRFUNDIMTARE
Neni 22
Dispozita përfundimtare
Ngarkohet Këshilli i Ministrave për nxjerrjen e akteve të nevojshme nënligjore në zbatim të
pikës 2, të nenit 7, të këtij ligji, brenda 3 muajve nga hyrja në fuqi e tij.
Neni 23
Hyrja në fuqi
Miratuar në datën 30.10.2014

Shpallur me dekretin nr. 8793, datë 18.11.2014 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë,
Bujar Nishani