Ministri i Drejtësisë, z. Ylli Manjani ka pritur në një takim, Z.Christos Giakoumopoulos, Drejtor për të Drejtat e Njeriut, në Drejtorinë e Përgjithshme të të Drejtave të Njeriut dhe Sundimit të ligjit, pranë Këshillit të Europës.
Gjatë këtij takimi ndër të tjera z.Giakoumopoulos i ka shprehur sërish z.Manjani mbështetjen e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Europës për ligjin e ri “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e proçesit te kompensimit” dhe inkurajon implementimin dhe vijimin e zbatimit të këtij ligji në vendin tonë, duke garantuar respektimin e një të drejte themelore siç është e drejta e pronësisë.
Në këtë kuadër z. Manjani ka bërë me dije se nga nisja e zbatimit të këtij ligji është shënuar një numër i madh qytetarësh të cilët kanë aplikuar sipas kritereve të parashikuara nga ky ligj i ri, ndërsa theksoi gjithashtu se ky ligj është zgjidhja më optimale në kushtet kur duhet parë me objektivitet edhe shmangia e faturës së lartë financiare që do të mbarte për vite me radhë pjesa tjetër e popullsisë.
Njëkohësisht gjatë këtij takimi është diskutuar edhe mbi bashkëpunimin e deritanishëm me Këshillin e Europës, i cili e ka asistuar ndër vite sistemin e drejtësisë.
Ministri Manjani shprehu mirënjohjen për asistencën e ofruar përmes projektesh me mjaft impakt pozitiv, ndërsa z. Giakoumopoulos bëri me dije nisjen e një tjetër projekti të madh që do të lidhet me sistemin gjyqësor dhe që kryesisht pritet të adresoje një sërë çështjesh sikurse janë rritja e besimit të publikut në gjykata, efektiviteti i sistemit gjyqësor, etj.
Z. Giakoumopoulos shprehu vullnetin për vijimin e bashkëpunimit dhe konkretizimin e këtij projekti në bashkërendim të afërt me Ministrinë e Drejtësisë, ndërsa çdo nevojë specifike nga ana e këtij institucioni do të ishte e mirëpritur dhe do të projektohet brenda këtij projekti