Kryeministri Rama:”Nuk ka amnesti për pronën e grabitur”

Me date 29.08.2015 kater institucione, Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Prokuroria e Përgjithshme, Policia e Shtetit, Avokatura e Përgjithshme e Shtetit, nënshkruan  marrëveshjen e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes së pronës.

 Nënshkrimi i marrëveshjes u bë gjatë konferencës që u zhvillua në Vlorë, ku u njoftua edhe nisja e veprimit ndërinstitucional, bazuar në bashkëpunimin intensiv që garanton kjo marrëveshje, për t’i dhënë përgjigje abuzimit, përfitimit korruptiv dhe tjetërsimit të pronës përmes falsifikimit.

Kryeministrit Edi Rama në nënshkrimin e marrëveshjes ndërinstitucionale të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes së pronës tha se :
Ky është një moment me shumë rëndësi në një proces që qeveria shqiptare ka nisur qysh me marrjen e detyrës, përmes, nga njëra anë, vënies nën kontroll të të gjithë situatës së tërësisht kaotike dhe korruptive në Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave; nga ana tjetër, përmes angazhimit të drejtpërdrejtë të Avokaturës së Përgjithshme të Shtetit për këtë proces dhe së fundmi, jo për nga rëndësia, përmes krijimit të një Taks-force, e cila për një periudhë të konsiderueshme kohore ka marrë në shqyrtim gjendjen në qarkun e Vlorës, si qarku më problematik i Shqipërisë përsa i përket situatës me pronën.

Pas këtij procesi jemi këtu për të çelur një fazë të dytë mbi bazën e kësaj marrëveshje ndërinstitucionale, që garanton një bashkëpunim intensiv dhe të përditshëm, për t’u hedhur në kundërsulm ndaj grabitësve dhe falsifikatorëve te pronës.
Përveçse ky mbetet një detyrim madhor i Shqipërisë për të përmbushur një nga kushtet themelore të të qenit një demokraci funksionale dhe një shtet i së drejtës, është edhe një prioritet i yni në raport me detyrimin që kemi ndaj gjeneratave të tjera. Shqipëria nuk mund të jetë vendi, të cilin gjenerata tjetër ta trashëgojë si një vend ku grabitësit e falsifikatorët ta gëzojnë njëherë e përgjithmonë, produktin e veprës së tyre kriminale.

Shteti nuk mundet të mbyllë sytë përpara një fenomeni kanceroz, që në vite ka prekur dhe ka cenuar në qelizë, të gjithë organizmin e sigurisë juridike të pronës, duke praktikisht u kthyer në një gangrenë që pengon zhvillimin e mëtejshëm të vendit dhe që ju bie ndesh interesave pasurore të qytetarëve dhe të pronarëve të vërtetë.
Ka raste që janë me qindra vetëm në qarkun e Vlorës, por do të doja të sillja në vëmendjen tuaj, thjeshtë për ilustrim, tre raste me të cilat publiku mund të kuptojë fare qartë se deri ku ka shkuar abuzimi dhe deri ku është shtrirë fuqia gllabëruese e grabitësve, me ndjesinë e frikshme të një imuniteti që as nuk ua ka dhënë dhe nuk ua jep dot kush, por që as nuk e ka kontenstuar kush, përpara kësaj qeverie.

Një rast shumë i freskët në rezervatin e Velipojës, pjesë e peizazhit ujorë dhe tokësor të mbrojtur të Republikës së Shqipërisë dhe pjesë e listës së zonave me rëndësi ndërkombëtare, sipas konventës së Ramsarit. Pasi është pretenduar njohja e pronësisë dhe kthimi apo kompensimi, sipas rastit, për 50 hektarë, pra, pretendimi është 50 hektarë, vendimi i gjykatës kthen 500 hektarë! Domethënë, për të gjithë ju që jeni ekspertë të fushës është fare e qartë, por besoj që nuk ka asgjë të paqartë dhe për çdo qytetarë që na dëgjon. Shkohet në gjykatë për të kërkuar 50 hektarë dhe gjykatësi, me bujarinë e një mbreti apo të një sundimtari sovran, nuk të jep 50, të jep 500. Dhe të jep 500 hektarë në një tokë, e cila është zonë e mbrojtur dhe sipas ligjeve të kësaj republike, por dhe sipas konventave ndërkombëtare nuk është e kthyeshme. Dhe kjo përmes aktekspertizash absolutisht të falsifikuara që depozitohen në gjykatë, apo përmes përdorimit të dokumenteve, të cilat nuk e vërtetojnë pronësinë e pretenduar.

Një rast tjetër, këtu në jug, ku është arritur të neutralizohet tentativa për të regjistruar dhe tjetërsuar 30 hektarë, që përbëjnë një nga gjiret më të mrekullueshme të bregdetit Jon, përmes dokumenteve të falsifikuara, akteve gjyqësore dhe akteve absolutisht të pavlefshme, të cilat janë verifikuar nga ana e Taks-forcës. Por ajo që është më e bukura, në kuptimin e më të tmerrshmes, është se të gjitha këto akte janë prodhuar, pasi është bërë një regjistrim fillestar në hipotekë, pa asnjë akt. E regjistroj, pastaj bëj aktet.
Një rast tjetër në plazhin e Durrësit, ku prona e pozicionuar sipas dokumenteve arkivorë të origjinës është në majë të kodrës dhe në brendësi të pjesës së saj, ndërkohë që gjykata e jep në buzë të detit. Spostim spektakolar i një prone abuzive, sepse edhe ajo në majë të kodrës nuk ishte prona e pretendentit. Por ndërsa pretendenti e kërkon në majë të kodrës, gjykata e jep buzë detit.
Këto janë grabitje që nuk kanë asgjë të ngjashme jo në Europën ku jetojmë sot, por as në kohën më të errët të Perandorisë Otomane, e cila, sidoqoftë, në raport me pronën ishte shumë e shumë herë më strikte, sesa ç’është shteti shqiptar i këtyre dy dekadave të mëparshme.

Mesazhi i sotëm për të gjithë ata, të cilët janë në anën e shtetit në fushën e kësaj beteje të madhe, që përfaqësojnë prokurorinë, që përfaqësojnë policinë, që përfaqësojnë Avokaturën e Përgjithshme të Shtetit, që përfaqësojnë Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, është që parashkrimi mund të shpëtojë nga ndëshkimi penal autorët e grabitjes, por nuk mund ta amnistojë produktin dhe nuk mund të legalizojë produktin e grabitjes si një produkt legjitim të grabitësit. Pra, hajduti ka vjedhur, vepra është parashkruar dhe ajo që ka vjedhur i mbetet atij si pronë. Kjo është e papërfytyrueshme. E për këtë arsye, marrëveshja e nënshkruar sot ka një rëndësi themelore, për të finalizuar në një rrugë që do të jetë padyshim jo e lehtë, një proces të neutralizimit të produkteve të veprës penale të grabitjes së pronës dhe të kthimit të pronës tek i zoti shtet, apo tek i zoti i vërtetë.

Këto katër institucione kanë në dorë fatin e pronës në Shqipëri dhe duke pasur në dorë fatin e pronës në Shqipëri, kanë në dorë edhe fatin e gjeneratave të tjera. Të gjithë ata që do të përfshihen në këtë operacion duhet të jenë të vetëdijshëm që kanë një barrë të madhe për të mbajtur, sepse përgjegjësia është e jashtëzakonshme dhe sepse suksesi në këtë betejë ka një rëndësi historike të jashtëzakonshme për integritetin moral të këtij vendit, për integritetin juridik të këtij vendi dhe për zhvillimin ekonomik të këtij vendi- tha Z.Rama ne fjalen e tij.