Marrëveshje midis dy institucioneve

Nënshkruhet marrëveshja e bashkëpunimit ndërmjet Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave

Është nënshkruar sot marrëveshja e bashkëpunimit midis Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave dhe Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të pronave, si masë konkrete e zbatimit të planit të veprimit të miratuar nga Qeveria në lidhje me harmonizimin ligjor dhe zgjidhjen e problemit të pronave në vendin tonë.

“Në vijim të një procesi tashmë pa kthim mbrapa, mbi realizimin e transparencës 23 vjeçare të kthimit dhe kompensimit të pronave, me qëllim plotësimin e regjistrit themeltar të vendimmarrjes së kthimit dhe kompensimit të pronave dhe plotësimit të dokumentacionit përkatës, lidhet kjo marrëveshje sot midis këtyre dy institucioneve, ku Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave merr përsipër impenjimin për dorëzimin e të gjitha dosjeve të dokumentave arkivore të AKKP, të arkivuara gjatë viteve nga Zyrat Rajonale të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, në Arkivat shtetëror vendore të qarqeve Elbasan, Durrës, Vlorë, Fier, me qëllim krijimin e një arkive të unifikuar të këtyre dokumentave pranë AKKP-së në rang vendi.
Ky proces duhet të ishte realizuar që në vitin 2010 vit kur u krijuar Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të pronave. Sot me nënshkrimin e kësaj marrëveshje AKKP-ja merr përsipër që 46916 dosjeve të identifikuara pranë arkivës së këtij institucioni ti shtohen edhe rreth 2500 dosje të ruajtura deri më sot në zyrat e arkivave vendore”- është shprehur drejtoresha e AKKP-së, Sonila Qato.

Ky akt do ti shërbejë nga sot Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave për të vijuar punën e saj mbi identifikimin e të gjithë vendimmarrjes në procesin e kompensimit të pronave me qëllim realizimin brenda muajit dhjetor të Faturës së Kompensimit. Një mision qe shteti shqiptar e realizon për herë të parë në 23 vjet, si një instrument shumë i rëndësishëm për realizimin e reformës ligjore në fushën e kthimit dhe kompensimit të pronave.