Një delegacion i nivelit të lartë, i kryesuar nga Ministri i Drejtësisë, z. Ylli Manjani dhe Ministri i Financave, z. Arben Ahmetaj zhvilluan sot një takim me Presidentin e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ), z. Guido Raimondi.
Ministrat e informuan z. Raimondi mbi ecurinë e zbatimit të ligjit të ri për trajtimin e pronës. Gjatë diskutimit u paraqitën me hollësi të gjitha angazhimet administrative, ligjore dhe financiare të shtetit shqiptar për zgjidhjen e drejtë të çështjes së pronës në Shqipëri.
Ministri Manjani u shpreh se “ka nevojë të kemi një bashkëpunim nga Gjykata, duke marrë në konsideratë faktin se tashmë ka një Ligj që ofron mekanizmin e munguar për trajtimin e kësaj çështjeje në Shqipëri”. Në këtë kontekst u kërkua që në bazë të artikullit 38.1 të Statutit të Gjykatës, të pezullohet shqyrtimi i mëtejshëm i çështjeve në pritje në këtë gjykatë.
Ministri i Financave, z. Arben Ahmetaj shprehu shqetësimin lidhur me efektet e rënda buxhetore të vendimeve të dhëna nga GJEDNJ. “Qeveria është përpjekur të ofrojë një zgjidhje të drejtë dhe proporcionale, pa dëmtuar interesat e brezave që do vijnë. Për 10 vitet e aplikimit të Ligjit, në buxhetin e shtetit do të ketë një zë me vete, ku do të alokohen fondet për këtë çështje” – tha Ministri, ndërsa përsëriti kërkesën për pezullimin e vendimeve për të krijuar hapësirat e nevojshme për implementimin e Ligjit.
Nga ana e tij Presidenti i Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriu shprehu konsideratën se është e rëndësishme që të ketë harmoni ndërmjet respektimit të të drejtës së pronës me interesin publik të atyre që paguajnë.